TIRANË- Partia Socialiste i bën apel prokurorisë të zbardhë atë që ajo e cilëson skandali me listat e zgjedhësve.
Gjatë një konference për shtyp, deputeti i PS-së, Armand Subashi ka bërë publike shifra dublimesh në listat e zgjedhësve, ku një numër i konsiderueshëm sipas tij dominojnë Tiranën.
Sipas tij, gjithë dosja me të dhënat është në kallëzimin që tashmë ka në dorë prokuroria dhe pret të zbardhet.
Ai ka deklaruar se që me daljen e listës paraprake, PS konstatoi mangësi dhe te meta, që shpresonte se me listën përfundimtare ato të riparoheshin.
“Por një gjë e tillë nuk ndodhi. Lista paraprake nga gjithë verifikimet tona nxorri se kishte 21 mijë dublime të pastra dhe të fshehta, prej të cilave 5300 vetëm në bashkinë e Tiranës. Në Tiranë, 1096 janë dublime të pastra, pra në dy qendra votimi figuron si votues i njëjti person”- tha ai.
Subashi shtoi se vec tyre në listë ka edhe mjaft dublime të fshehta, që në pamje të parë nuk zbulohen dot, dhe kanë të bëjnë me ndërrimin e vetëm njërit nga katër elementet e identitetit të votuesit. “Këto ka qenë mundësi potenciale që personatë caktuar të kenë votuar në dy qendra votimi. Na rezulton se shumë nga këta kanë votuar në qendrat ku figuronin”- tha ai.
Ai kërkoi hetim edhe për regjistrin kombëtar të gjendjes civile, për krijimin e familjeve të rreme, duke pretenduar se në lista ka familje që nuk ekzistojnë.
© Panorama.al











