Kreu socialist mblodhi mbrëmë Komitetin e Emergjencave në Partinë Socialiste.
“Furnizim me ujë, barna, ujë, gaz e ushqime për tre muaj”
Partia Socialiste prezantoi dje planin e saj të emergjencës që kërkon veprim të menjëhershëm. Kreu socialist mblodhi mbrëmë Komitetin e Emergjencave të PS, ku u prezantua plani emergjent i ndërhyrjes dhe i veprimit në zonat e bllokuara. Sipas këtij plani të paraqitur nga deputeti socialist Erion Braçe PS kërkon ndërhyrje të menjëhershme për zhbllokimin e të gjitha rrugëve kombëtare, rurale dhe të atyre që lidhin fshatrat me komunat. Plani i emergjencës i PS kërkon furnizim të menjëhershëm me ujë, me barna mjekësore, furnizim me veshmbathje në fshat e qytet për dy muaj, furnizim me gaz, qymyr dhe dru për 3 muaj si dhe furnizim me ushqim në sasi të mjaftueshme edhe për 3 muaj. Socialistët kërkojnë përmes këtij lajmi identifikimin e të gjitha humbjeve që kanë pësuar komunat, fshatra, ekonomitë private por dhe rrugët, shkollat, qendrat shëndetsore. gjithashtu në planin e tyre të emergjencës socialistët kërkon alokim të granteve të planifikuara në buxhetin e shtetit për komunat dhe bashkitë në nevojë, alokim i fondeve për ndërhyrje të menjëhershme si dhe pagesat e ndihmës sociale për një periudhë katër mujore në mënyrë që banorët e këtyre zonave të kenë mundësi financiare për të përmirësuar gjendjen e tyre. Rama theksoi se forca që drejton është e hapur të votojë çdo ndryshim të buxhetit të shtetit, që shkon në adresimin e problemeve të mprehta të kësaj emergjence: “Ne nesër në Kuvend duhet që në mënyrë këmbëngulëse dhe të qartë ta paraqesim këtë plan tonin si një domosdoshmëri që nuk ka të bëjë me interesin e ngushtë partiak apo të opozitës në tërësi, po ka të bëjë me interesin e vendit. Të votojmë çdo ndryshim në buxhetin e shtetit, që shkon në ndihmë të familjeve në nevojë alarmante dhe çdo ndryshim që shkon në funksion të një kthese të domosdoshme në të gjithë rrugën e veprimit të qeverisë shqiptare në administrimin e financave”, u shpreh Rama. Kreu i PS tha se qeveria nuk ka aftësi as për të ndërtuar një plan për përballimin e situatës dhe se mbledhjet e saj po shfrytëzohen për të zhvendosur vëmendjen. “Qeveria nuk ka as plan, as aftësi për të ndërtuar një plan. Shohim përditë se mbledhjet e saj shfrytëzohen për të zhvendosur vëmendjen, siç ishte halucinacioni i sotëm për të kthyer gjuhën kineze në gjuhë të detyrueshme”, përfundoi Rama.
Plani emergjent i PS
• Identifikimi i kostove të emergjencës për mbajtjen hapur të rrugëve që lidhin komunat me njëra-tjetrën, fshatrat me njëri-tjetrin dhe fshatrat me komunat.
• Hapjen e rrugëve që lidhin qytetet me komunat dhe fshatrat, hapjen e rrugëve kombëtare.
• Kthimin në eficiencë të plotë të ujësjellësve
• Furnizim të menjëhershëm me ujë të qyteteve dhe komunave
• Furnizim të menjëhershëm me barna edhe për 2 muaj, si dhe mbajtjen hapur të të gjitha qendrave shëndetësore
• Furnizim me veshmbathje në fshat e qytet për dy muaj
• Furnizim të menjëhershëm me gaz, qymyr dhe dru për 3 muaj
• Furnizim me ushqim në sasi të mjaftueshme edhe për 3 muaj
• Identifikimin e kostove për dëmet në rrugë rurale dhe kombëtare, në rrugët e brendshme të qyteteve.
• Identifikimin e dëmeve të shkaktuara në rrjetin e kanalizimeve, të ujërave të bardha dhe të zeza.
• Identifikimin e dëmeve të shkaktuara në shkolla në qytet dhe në fshat.
• Identifikimin e dëmeve të shkaktuara në banesat e qytetarëve në qytet dhe në fshat.
• Identifikimin e dëmeve të shkaktuara në bagëti.
• Identifikimin e dëmeve të shkaktuara në bazën ushqimore të këtyre familjeve.
• Të alokohen grantet e planifikuara në buxhetin e shtetit për komunat dhe bashkitë në nevojë.
• Alokim i fondeve për ndërhyrje të menjëhershme
• Alokim i fondeve për ndihmën ekonomike në një masë të plotë 4-mujore.
• Alokim i fondeve shtesë për familjet që do bien në varfëri për shkak të dëmeve, në masë të plotë dhe të paktën për 4 muaj.
• Alokim i menjëhershëm i fondit të buxhetit të shtetit për ndërtimin e digave, për t’u paraprirë atyre fenomeneve që mund të ndodhin nga shkrirja e menjëhershme e borës.
• Alokim i menjëhershëm i fondeve operative për funksionimin e hidroforëve dhe kanaleve kulluese.
Arben Malaj
Deputeti Arben Malaj, gjatë parashtrimit të planit afatmesëm, nënvizoi se kjo pjesë e programit parashikon reduktimin e kostove njerëzore. “Duke mbajtur parasysh se fatkeqësitë natyrore janë shtuar, ne mendojmë se duhet të ketë hapa afatmesëm për të reduktuar kostot njerëzore”, u shpreh Malaj. Anëtari i Kryesisë socialiste propozoi krijimin e hartës së riskut të lartë në vend, për t’i dhënë status të veçantë lidhur me pagesat paraprake. Status të veçantë lidhur me garancinë shëndetësore. Status të veçantë të kompanive private dhe publike, që kanë të bëjnë me rrugët dhe energjinë.
Rama shpërndan ndihma për komunat e Librazhdit

Kreu u PS, Edi Rama, i shoqëruar nga deputeti i zonës Taulant Balla, ka shpërndarë paraditen e së mërkurës ndihma për banorët e bllokuar nga dëbora në dy fshatrat malorë të komunës Rrajcë në rrethin e Librazhdit. I shoqëruar nga krerët e bashkive të Elbasanit Qazim Sejdini, të Pogradecit Artan Shkëmbi dhe atij të Korçës Niko Peleshi, kryesocialisti ka qenë në komunat Rrajcë, Skëndërbe dhe Bardhaj. Duke shprehur gatishmërinë e plotë të Partisë Socialiste për të qenë pranë banorëve të bllokuar në të gjithë Shqipërinë, Rama tha se opozita po bën atë që duhet të bënte qeveria me strukturat e saj. “Jemi mobilizuar në të gjitha zonat, por kuptohet që nuk mund të zëvendësojmë shtetin. Fatkeqësisht, shteti është shthurur, sa është katandisur në një strukturë që s’ka fuqi t’i përgjigjet kësaj situate. S’ka plan për të dalë nga kjo situatë”, u shpreh Rama. Kryesocialisti Rama tha se përveç ndihmës në terren, opozita do të ndërmarrë edhe iniciativa në Kuvendin e Shqipërisë për t’iu gjendur pranë financiarisht të gjithë banorëve. “Ne do t’i kërkojmë Parlamentit nesër marrjen e disa masave financiare për të kaluar emergjencën dhe për të kuruar plagët e kësaj drame të madhe, si për dëmet materiale, ato në bagëti etj. Shpresojmë të mos kemi dëme në njerëz”, theksoi Rama. Në përfundim, kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, nuk ka shmangur edhe ironinë ndaj Kryeministrit Berisha. “Rrugës duke ardhur, mësova se Kryeministri ka nxjerrë një recetë të re për të dalë nga situata, të mësojmë kinezçen”, u shpreh ai.
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al











