
Partia Socialiste do të kërkojë pavlefshmëri të zgjedhjeve në Tiranë.Këtë e shprehën qartë përfaqësuesit e PS në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, por dhe gjatë mesditës sekretari Organizativ në PS, Blendi Klosi. “Partia Socialiste dhe Opozita e Bashkuar, e bindur se fitorja më 8 maj i takon Edi Ramës dhe se fitorja e Edi Ramës ishte një fitore madhështore mbi makinerinë qeverisëse, e bindur se Sali Berisha dhe Ristani i prishën këto zgjedhje për të fshehur humbjen e tyre në Tiranë dhe në të gjithë Shqipërinë, do të kërkojë pavlefshmërinë e plotë për këtë masakër elektorale”, u shpreh Klosi. Në këtë konkluzion Partia Socialiste arrin duke parashtruar një grup faktesh që sipas sekretarit socialist kanë të bëjnë që nga garancia e kutive të votimit e deri tek mosrakordimi i tabelave zgjedhore. “Kode të ndryshuara, kodet që mungojnë, fletë votimi jashtë zarfeve të futura nga brimat e kutive të çara në bodrumet e KQZ-së. Fletë që kanë fluturuar me kilometra nga njëra qendër në tjetrën nëpërmjet duarve të inkriminuara të shërbëtorëve të shërbëtorit Ristani. Kuti ku janë futur duart deri në bërryl, siç e pa gjithë mileti në televizion. Kolegji Zgjedhor i kërkoi Ristanit që të hapte të gjitha kutitë për të balancuar tabelat e rezultateve. Por, Ristani me të tijtë, në paaftësinë dhe makutërinë e tyre, prodhuan një manipulim skandaloz dhe të padëgjuar për asnjë komunë të largët të këtij vendi. Qindra vota më shumë se votues në plot qendra e qindra më pak në shumë qendra të tjera. Gjysma e qendrave të votimit e numërimit dëshmojnë se janë kthyer në baza manipulimi”, u shpreh Klosi. Edhe përfaqësuesit e PS në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve evidentuan dje pavlefshmëri të procesit të administrimit të rezultatit të Tiranës. Eridian Salianji, avokati i PS në KQZ, tha se “thelbi i vendimit të Kolegjit Zgjedhor është barazia e çdo vote dhe sipas tij, KQZ nuk e ka bërë këtë gjë”.
“I gjithë thelbi i Kolegjit Zgjedhor është barazia e çdo vote. A arritët ju të plotësoni vendimin e Gjykatës? Rreth 300 tabela kanë mospërputhje të vullnetit me votën. Në këtë situatë që jemi ju duhet që të përputhni çdo vullnet me çdo votë, ju keni kohë dhe mos mendoni që çdo gjë që kemi thënë janë për përbaltje. Ne kërkojmë zbatimin e vendimit të Gjykatës, ju duhet të rivlerësoni të gjitha fletët e votimit, ju keni numëruar vetëm fletët e pavlefshme, ju duhet të numëroni çdo votë. Argumenti ligjor është vendimi i Kolegjit Zgjedhor që të përputhni çdo votë”, u shpreh Salianji.
Reagimi
Partia Demokratike, përmes zëdhënëses së saj Albana Mustafaraj, reagoi ndaj deklaratës së Klosit duke akuzuar kreun socialist se do të baltosë procesin zgjedhor. “Z. Rama, pasi dha ultimatumet që t’i njihej fitorja me 10 vota përpara se të përfundonte procesi i numërimit të votave, tani përpiqet me çdo kusht ta përbaltë procesin më transparent në historinë e vendit. Tani që është e qartë si kristali se qytetarët e Tiranës kanë votuar në maxhorancë kandidatin demokrat Lulzim Basha, kryeopozitari Rama njëherë flet për kanibalizëm e herë tjetër për maskarada”, u shpreh Mustafaraj.
Subashi: Të numërohen të gjitha kutitë e Tiranës
Nënkryetarja e KQZ Dëshira Subashi gjatë fjalës së saj shprehu kërkesën dhe pretendimin e PS duke kërkuar që të numërohen edhe njëherë të gjitha kutitë e Tiranës. Sipas nënkryetares së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ky veprim do të bënte leximin e çdo vote të hedhur nga qytetarët e Tiranës. “Kërkojmë të numërohet e gjithë Tirana. Vetëm kështu mund të themi se kemi numëruar votën e qytetarëve dhe jo në mënyrë selektive. Me vendimin e tij, Kolegji Zgjedhor kërkoi të vendosë barazinë e votës, ndërsa kjo që doni të miratoni nuk është zbatim i kësaj kërkese të kolegjit. Gjithashtu, mënyra si u administrua drejtimi i mbledhjes nuk më pëlqen. Mënyra si është organizuar forma e aktit nuk më duket e përshtatshme pasi në asnjë rast ajo nuk mund të marrë një vendim administrativ. Akti ka të bëjë me rezultatin e Tiranës. Kolegji Zgjedhor ka prishur vendimin e KQZ.”, deklaroi Subashi.
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al











