PS nuk jep konsensus: Artan Hoxha, kandidat i maxhorancës për President

Jun 11, 2012 | 12:08

Artan Hoxha

Berisha, Meta, Idrizi e Mediu zyrtarizojnë emrin e analistit të njohur në raundin e katërt me 71 vota. Cili është 48-vjeçari, ministër në Qeverinë “Meksi” që në 1992.

Profili i kandidatit të shumicës. Drejtor i ISB dhe analist i gazetës “Panorama”

Nga ministër në moshën 28-vjeçare, kryetar shteti 48 vjeç.

Sot, Artan Hoxha duhet të ishte në krahun e djathtë të faqes së parë të gazetës “Panorama”, aty ku ai për gati një vit çdo të hënë ka pasur editorialin e radhës. Por dje, telefonata e tij i ka munguar redaksisë për shkakun e vetëm se analisti i njohur ka qenë gjatë gjithë ditës në konsulta me krerët e maxhorancës si kandidat për postin e Presidentit të Republikës. Emri i tij doli publikisht në orët e mesditës, u përforcua gjatë pasdites kur u zbulua lista me katër kandidatura që maxhoranca dërgoi në tryezën e bisedimeve dhe u zyrtarizua nga kreu i LSI-së, Ilir Meta, pak orë para se Parlamenti të mblidhet në raundin e katërt të votimit. Gjatë ditës së djeshme ai është kontaktuar si nga kryeministri Berisha ashtu edhe nga Meta dhe ka pranuar të kandidojë qoftë edhe me 71 vota, ndryshe nga Zaganjori.
CV e kandidatit
Artan Hoxha ka lindur më 19 nëntor 1964. Ai ndoshta është i pari ministër në moshën 28 vjeçare, i cili në qeverinë e parë demokratike pas zgjedhjeve të vitit 1992 mori në portofol shumë të rëndësishëm si ai i Tregtisë dhe Bashkëpunimit Ekono-mik. Por  është e sigurt se nëse do të zgjidhet sot, do të jetë i pari që në moshën 48-vjeçare merr postin e Presidentit. Ndonëse gjithçka do të vendoset sot në një proces të fshehtë me kuti në Parlament, të pakta janë mundësitë që kandidatura e Hoxhës të mos i marrë 71 votat e nevojshme për t’u bërë Presidenti i gjashtë i Shqipërisë pluraliste. Në CV-në e tij thuhet se në periudhën 1984-1989 ka kryer studimet universitare në Fakultetin e Gjeologjisë dhe Minierave të Universitetit Politeknik të Tiranës. Pas marrjes së pushtetit nga Partia Demokratike, ai mori një prej posteve më me peshë për momentin, atë të Tregtisë dhe Bashkëpunimit Ekono-mik, por që e mbajti vetëm një vit. Në vitin 1997 u bë President i Institutit të Studimeve Bashkëkohore, një OJQ që u fokusua në fushën e projekteve për mirëqeverisjen e vendit. “Përgjatë karrierës së tij mbi 20-vjeçare, z. Hoxha ka kontribuar në përgatitjen e politikave, strategjive dhe ligjeve më të rëndësishme të lidhura me reformat ekonomike dhe institucionale. Vitet e fundit ka luajtur rol thelbësor në ngritjen e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit (QKR), Qendrës Kombëtare të Licencimit (QKL), reformimin e sistemit fiskal, krijimin e gjykatave administrative dhe aktualisht po punon për reformimin e sistemit institucional e ligjor të inspektimeve administrative mbi biznesin”, thuhet më tej në CV-në e tij. Artan Hoxha, trajner i licencuar në Administrim-Biznesi nga “ILO Training Center” në Torino të Italisë (1997), është një njohës i thelluar i çështjeve të lidhura me zhvillimin e sektorit privat. Institucione shtetërore shqiptare apo ndërkombëtare, si dhe biznese shqiptare e të huaja në Shqipëri i drejtohen për këshillim. CV-ja e tij do të shpërndahet sot në dosjen e të gjithë deputetëve të maxhorancës, të cilët do t’i drejtohen kutisë së votimit për të zgjedhur kreun e ri të shtetit, i cili ndonëse zgjidhet pas 24 orësh, zyrtarisht detyrën do ta marrë vetëm më 24 korrik.

Kush është Artan Hoxha
. Artan Hoxha ka lindur më 19 nëntor 1964. Ai është një nga ekspertët e mirënjohur të ekonomisë. Ministër i Tregtisë dhe Bashkëpunimit Ekonomik (1992-1993); Drejtor e më pas president i Institutit të Studimeve Bashkëkohore (ISB) nga viti 1997 e në vazhdim; anëtar i Këshillit të Administrimit të Universitetit të Tiranës (shkurt 2008-maj 2010); anëtar i Bordit Këshillimor të Qendrës Kërkimore për Europën Juglindore (SEERC) në Selanik të Greqisë; anëtar i Bordit Këshillimor të Televizionit “Ora Neës”; anëtar i Bordit Këshillimor të revistës “Monitor”; themelues, anëtar dhe drejtor i Bordit të Drejtorëve të Qendrës së Arbitrimit dhe Ndërmjetësimit Tregtar, janë disa nga rolet e mbajtura apo në ushtrim e sipër nga z. Hoxha. Përgjatë karrierës së tij mbi 20-vjeçare, z. Hoxha ka kontribuar në përgatitjen e politikave, strategjive dhe ligjeve më të rëndësishme të lidhura me reformat ekonomike dhe institucionale.

. Vitet e fundit ka luajtur rol thelbësor në ngritjen e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit (QKR), Qendrës Kombëtare të Licencimit (QKL), reformimin e sistemit fiskal, krijimin e gjykatave administrative dhe aktualisht po punon për reformimin e sistemit institucional e ligjor të inspektimeve administrative mbi biznesin.

. Z. Hoxha është një nga opinionistët e njohur lidhur me çështjet ekonomike, ligjore, institucionale dhe politike, me një aktivitet të spikatur mediatik në median televizive dhe shtypin e përditshëm.

. Z. Hoxha, trajner i licencuar në Administrim Biznesi nga “ILO Training Center” në Torino të Italisë (1997), është një njohës i thelluar i çështjeve të lidhura me zhvillimin e sektorit privat. Institucione shtetërore shqiptare apo ndërkombëtare, si dhe biznese shqiptare e të huaja ne Shqipëri i drejtohen për këshillim.

. Z. Hoxha ka kryer studimet pasuniversitare Master në Ekonominë e Mjedisit dhe Energjisë në shkollën pasuniversitare “Enrico Mattei” të Grupit Eni, Itali (1994-1995) dhe ato universitare në Fakultetin e Gjeologjisë dhe Minierave të Universitetit Politeknik të Tiranës (1984-1989). Ai është shpallur dy herë rresht, në vitet 1982 dhe 1983, fitues i vendit të parë në Olimpiadat Kombëtare të Matematikës.

Berisha: Përzgjedhje e standardeve më të mira
Kryeministri Sali Berisha ka vlerësuar figurën e kandidatit të maxhorancës për President, Artan Hoxha. “Artan Hoxha ka dhënë me stafin e tij një kontribut thelbësor në zinxhirin e reformave gjatë dekadës së fundit. Ka një dhunti të çmuar në publicistikë, është një nga opinionistët më të kuotuar në fushën e opinionistëve. Unë mendoj se kjo përzgjedhje jo nga eksponentë të forcave politike të maxhorancës, është një përzgjedhje e standardeve më të mira të mundshme në fushën përkatëse”, tha Berisha.

Meta: Hoxha, ekspert i reformave ekonomike
“Eshtë një emër, besoj, shumë i njohur për të gjithë ju por edhe për të gjithë ata që po na ndjekin. Është një personalitet i njohur i shoqërisë civile, President i Grupit të Studimeve Bashkëkohore, me një karrierë dhe eksperiencë tepër komplekse dhe të pasur, me një karrierë administrative por, sidomos, me një angazhim dhe përkushtim të shquar edhe si profesionist dhe si ekspert i njohur në fushën e reformave ekonomike dhe njëkohësisht edhe të reformave që kërkon procesi i integrimit europian të vendit”, u shpreh Meta në përfundim të takimit.

Procedura
Grupi i PD mbledh sot firmat për Artan Hoxhën

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike do të mblidhet sot në orën 09:00, rreth 60 minuta përpara se të mbahet raundi i katërt i votimit për Presidentin. Në këtë mbledhje, të lajmëruar që ditën e premte, pritet që Kryeministri Sali Berisha të prezantojë rezultatet e tryezës së zhvilluar mbrëmë dhe CV-në e kandidatit të përzgjedhur për postin e kreut të shtetit, Artan Hoxha. Gjatë këtij takimi me deputetët do të mblidhen edhe firmat e nevojshme për kandidimin e analistit të njohur. Sipas Kushtetutës së Shqipërisë, Hoxhës do t’i mjaftojnë 20 firma deputetësh për t’u kandiduar, por nisur nga mbështetja e fortë që i kanë dhënë krerët e koalicionit të djathtë, ky numër pritet të jetë shumë më i madh. Në orën 09:45 është parashikuar mbledhja e Komisionit të Ligjeve, i cili do të trajtojë nga ana ligjore plotësimin e kushteve të përcaktuara në Kushtetutë dhe më pas do t’i depozitojë seancës një raport, përpara se emri i Hoxhës të futet në votim.

Rama rezufon Hoxhën: I njëanshëm

Kreu i opozitës nuk propozon kandidatura të Partisë Socialiste: Bëmë përpjekje për President konsensual

Rama dje pas tryezës për Presidentin

“Qeveria erdhi me një ofertë të kufizuar brenda oborrit të saj”
Kryetari i opozitës, Edi Rama, tha në përfundim të takimit treorësh me kryetarët e partive parlamentare se tryeza kishte dështuar, ndërsa kandidati i propozuar nga maxhoranca ishte i njëanshëm.
“Zhvillimi i tryezës e bëri të pamundur shtjellimin e mëtejshëm të dialogut dhe bashkërendimin e energjive dhe forcave për të arritur në një zgjidhje konsensuale. Qeveria erdhi me një ofertë të kufizuar brenda oborrit të saj, e cila ishte një ofertë që praktikisht e bënte të pamundur mbështetjen me votë, të cilësdo nga kandidaturat e ofruara”, tha Rama. Sipas tij, përpjekjet e opozitës ishin deri në fund për të ndërtuar një kornizë dialogu që do të prodhonte një kandidat të gjithëpranuar.
“Bëmë një përpjekje të gjatë, intensive, të plotvullnetshme për t’i dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve atë që meritojnë, një President konsensual. Qeveria e kupton fare mirë se moszgjedhja e një Presidenti konsensual është një sinjal negativ për familjen europiane dhe është një zhvillim që nuk parathotë gjëra të mira për 12 tetorin”, tha Rama. Sipas tij, në tryezë zhvillimi i bisedës e bëri të pamundur shtjellimin e mëtejshëm të një momenti dialogu dhe bashkërendimi të energjive dhe të forcave për të arritur në një zgjidhje konsensuale. “Ne paraqitëm në mënyrë të detajuar vizionin tonë dhe u përpoqa të shpjegoj me shumë durim se çfarë kërkojmë ne, opozita shqiptare, nuk është një President i opozitës, por një proces i dakordësuar konsensual që t’i hapet rrugë një procesi ku qeveria dhe opozita do duhet të nxitojnë që brenda qershorit t’i thoshim familjes europiane se Shqipëria, edhe pse me vonesë, e bëri të sajën përmes përfaqësuesve të saj në Parlamentin e Shqipërisë dhe se statusi i kandidatit duhet marrë në konsideratë si një moment tejet i rëndësishëm për momentin, por dhe për të ardhmen për vendin”, u shpreh Rama në përfundim të takimit. Kryesocialisti tha se maxhoranca mes konsensusit dhe kandidatit të njëanshëm zgjodhi kandidatin duke mos respektuar apelin e ndërkombëtarëve dhe të opozitës për një proces dialogu.
“Opozita kërkoi me këmbëngulje në këtë proces mundësinë që të kontribuonte me votë për një mbështetje të qartë politike për një kandidaturë që do përmbushte ato kritere që do ta bënte të mundshme. Opozita nuk mund të mbështesë një kandidaturë haptazi e të njëanshme. Zgjedhja ishte e qartë, mes konsensusit dhe një  emri. I thashë Kryeministrit se nuk mund të sakrifikojmë konsensusin për një emër dhe, nëse kishte një mesazh të qartë në dorëheqjen e zotit Zaganjori, ishte tërheqja në funksion të konsensusit dhe kandidati i paraqitur njëanshmërisht kuptoi se konsensusi ishte më i rëndësishëm se emri i tij. Qeveria dhe Kryeministri nuk arriti dot të ngrihet mbi ata emra, por është një emër i dalë nga oborri i pushtetit dhe kjo s’mund të jetë bazë për një konsensus”, u shpreh kryesocialisti. Për Ramën, maxhoranca ka ende kohë që të reflektojë nëse kërkon realisht konsensus. “Ka kohë për një reflektim deri në minutën e fundit dhe, nëse do të ketë reflektim se jemi gati të kontribuojmë, në të kundërt ata mund ta votojnë vetë dhe ta mbajnë përgjegjësinë vetë. Ne nuk jemi vënë nën mundësinë që të kontribuojmë me emra dhe nuk kemi kërkuar që të merret në konsideratë një emër i nxjerrë prej nesh, dhe pse kemi qenë të gatshëm të jepnim emrat tanë, por ne nuk ndërtuam dot një kornizë për konsensus”, u shpreh Rama.

Votimi, sot mblidhet Grupi i PS
Partia Socialiste do të mbledhë Grupin Parlamentar socialist për të vendosur nëse do të jetë prezent në seancën e sotme në votimin për kandidatin për President. Sot është raundi i katërt i votimit, ku Presidentit të ri i mjaftojnë edhe 71 vota për t’u zgjedhur. Socialistët të cilët nuk dhanë pëlqimin e tyre për kandidaturën e Artan Hoxhës, do të diskutojnë nëse do të votojnë kundër kandidaturës, apo nuk do të marrin pjesë fare në votim. Një muaj më parë, kur sapo kishte nisur diskutimi për zgjedhjen e Presidentit, në Grupin Parlamentar socialist ishte thënë nga drejtuesit e PS se deputetët socialistë nuk do të jenë në sallën e Kuvendit në votim nëse nuk është gjetur një kandidat konsensual që të ketë marrë dhe pëlqimin e opozitës. Në mbledhjen e fundit të Grupit Parlamentar, deputetë socialistë kishin kërkuar një profil politik të Presidentit dhe jo nga fushat e tjera.

Presidenti, Berisha: Po zbatohet Kushtetuta

Kryeministri flet pas takimit me liderin e PS-së, Edi Rama

Berisha dje pas tryezës për Presidentin

“Kush e akuzoi Zaganjorin si noter të Berishës, t’i kërkojë falje”
Kryeministri Sali Berisha tha dje në përfundim të tryezës me kreun e opozitës, Edi Rama, se për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit po zbatohet kushtetuta e ndryshuar e vitit 2008, sipas së cilës në raundin e katërt mjaftojnë 71 vota. Në prononcimin për mediat ai theksoi se: “Unë mendoj se vendi dhe kryetari i opozitës e ka të qartë se këtu po zbatohet Kushtetuta, e cila pesë vjet më parë nuk bënte të mundur zgjedhjen, siç e bën sot në dy raundet e fundit. Respektimi i kushtetutës është detyrimi më madhor dhe është detyrimi që kjo maxhorancë ka para çdo qytetari shqiptar. Kushtetutshmëria është shtylla ndër më kryesoret të një sistemi demokratik”. Duke u kthyer edhe njëherë te kandidatura e Xhezair Zaganjorit, i cili u tërhoq menjëherë pas raundit të tretë të votimit, Berisha tha se ai faktoi se nuk ishte një noter i Kryeministrit, ashtu siç e kishte sulmuar opozita. “Sa i përket përpjekjeve a bëmë ne përpjekje të ndershme dhe të sinqerta për një kandidat, ata që kishin thënë se Zaganjori është një noter i Berishës, duhet t’i kërkojnë të falur, sepse faktoi se ishte një gjykatës i pavarur dhe që mori vendimet e tij në mënyrë të pavarur. Ne faktuam se dolëm nga interesat e ngushta partiake. Në përpjekjen për të arritur konsensus, nuk besoj se do të kishte qoftë edhe një shqiptar të vetëm që të zbrisnim poshtë e më poshtë për të gjetur pikën minimale të ujdisë. Këtu kemi të bëjmë me një post shumë të rëndësishëm të përfaqësimit të çdo qytetari shqiptar”, theksoi Berisha. Sipas tij: “Ne ishim të obliguar para qytetarëve shqiptarë, që nga fusha jopartiake të përzgjidhnim personalitete të shquara. Unë jam i bindur se kjo përzgjedhje është bërë, jam i bindur se Shqipëria dhe shqiptarët do të përfaqësohen me dinjitet nga kreu i ardhshëm i shtetit të tyre”.

Emrat
Partia Socialiste nuk deklaroi as dhe në tryezën e fundit të negociatave për Presidentin e ri të vendit kandidatët e saj për kreun e ri të shtetit. Në asnjë nga mbledhjet e Grupit Parlamentar, por dhe në mbledhjen e Kryesisë socialiste të zhvilluar dy ditë më parë, dhe pse u kërkuan emrat potencialë që PS do të mbështeste në këtë garë, kryetari socialist Rama nuk përmendi asnjë emër duke këmbëngulur në ndërtimin e një procesi dhe përcaktimin e modaliteteve që do të çonin në një President konsensual.

ADI SHKEMBI & ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura