PS në Kuvend: Garanci nga shteti për kreditë e këqija. Rezoluta e plotë e opozitës

Jun 8, 2012 | 12:23

Deputetët e PS, Kodheli, Braçe dhe Bushati dje në Parlament

Rezoluta/ Opozita propozon që bankat të mos ekzekutojnë kolateralet e kompanive me probleme. Maxhoranca e rrëzon.

Grupi Parlamentar i PS propozon në Parlament lehtësi për biznesin e godituar nga kriza ekonomike.

“Në kushtet e krizës, bankat të mos ekzekutojnë shitjen e aseteve”

Partia Socialiste kërkon që bankat, në rastet e kredive të këqija, të mos ekzekutojnë kolateralin e vendosur nga biznesi dhe në këtë mënyrë, sipas opo-zitës, do t’i krijohet më shumë lehtësi ekonomisë.
Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste ka propozuar dje në Kuvend një projekt-rezolutë alternative nga ajo e Komisionit të Ekonomisë për punën e Bankës së Shqipërisë për vitin 2012. Projekt-rezoluta e opozitës mban datën 6 qershor dhe është paraqitur dje në Kuvend pa u diskutuar më parë në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë. Drafti në fjalë mban firmën e nënkryetares së Komisionit të Ekonomisë, Mimi Kodheli, dhe përmban në total shtatë pika kyçe, që sipas socialistëve, duhet të merren parasysh nga Banka e Shqipërisë për politikat makroekonomike që do të hartojë në vitin 2012. Socialistët në draftin e tyre vërejnë se qeveria dhe Banka e Shqipërisë duhet të marrin më shumë iniciativa për të mbështetur biznesin, që sipas tyre, për shkak të krizës ekonomike, ka pësuar goditje të rënda. Opozita në projektin e saj saktëson se shitjet dhe të ardhurat e biznesit kanë pësuar një tkurrje të ndjeshme dhe kreditë e këqija nga bankat kanë pësuar rritje. Për këtë arsye, opozita propozon që strategjia e deritanishme e mbledhjes së kolateraleve dhe shitja aseteve të biznesit në rastet kur kreditë nuk kthehen, nuk është strategjia e duhur që duhet të ndiqet nga bankat. Partia Socialiste kërkon gjithashtu që Banka e Shqipërisë të mundësojë një riskedulim të detyrimeve të prapambetura dhe shteti t’i përfshijë ato në një sistem garancie shtetërore për të ulur riskun midis bankave-biznesit dhe qeverisë. “Shitjet kanë rënë ndjeshëm, të ardhurat dhe fitimet janë reduktuar, ekspozimi i tyre ndaj bankave për kreditë e marra dhe të pakthyera është rritur. Kur vendi ndodhet në një krizë ekonomike, mbledhja e sforcuar e detyrimeve të prapambetura dhe shitja e aseteve të tyre nuk mund të jetë strategjia e uljes së kredive të këqija. Riskedulimi i detyrimeve të prapambetura, përdorimi i një sistemi garancie shtetërore që ndan riskun midis bankave, biznesit dhe qeverisë, ulja kostos si dhe rritja e kreditimit të ekonomisë, lehtësojnë gjallërimin e ekonomisë, do të rrisnin fitimet dhe do të ulnin kreditë e këqija. Ne kërkojmë një sistem bankar sa më solid dhe efikas, i cili përzgjedh dhe mbështet bizneset e suksesshme dhe rrit cilësinë e investimeve në ekonomi”, thuhet në rezolutën e propozuar nga PS.
Qëndrimi
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste ka kërkuar dje në Kuvend që maxhoranca, në raste se do të kërkonte miratimin e rezolutës për Bankën e Shqipërisë dhe me votat e majta, atëherë duhet të shtytë votimin. Ruçi theksoi se propozimet e PS-së duhet të bashkohen me rezolutën e hartuar nga Komisioni i Ekonomisë me propozimet e Partisë Socialistë. “Në projekt-rezolutë duhet të merren parasysh dhe korrigjimet e vërejtura nga opozita, të cilat përshihen në draftin e opozitës. Ne propozojmë që kjo projektrezolutë të mos votohet në këtë seancë, komisioni përkatës të bëjë një komplementare të mendimeve të tyre dhe votimi i saj të behët seancën tjetër. Dhe ne jemi të predispozuar ta votojmë pro atë”, deklaroi Ruçi. Por, kreu i Grupit të PD-së, Astrit Patozi, theksoi se rezoluta e Bankës së Shqipërisë jo detyrimisht duhet të ishte konsensuale dhe se propozimet e opozitës ishin bërë në mënyrë të beftë.

Rezoluta e PS për Bankën e Shqipërisë
• Biznesi mbetet skeptik për masat e marra deri tani në lehtësimin e kushteve të kredisë dhe është rënduar nga psikoza që kriza do të thellohet. Në këto kushte, Banka e Shqipërisë duhet të ushtrojë ndikimin e saj për rritjen e kreditimit të ekonomisë. Ulja e normës bazë të interesit duhet të reflektohet direkt në uljen e kostos së kredive. Përvoja e deritanishme tregon se transmetimi e kësaj mase ka qenë ose shumë i vonuar, ose bankat kanë vepruar në mënyrë të njëanshme duke ulur vetëm interesat e depozitave dhe duke injoruar uljen e normës së interesit për kreditë.
• BSH dhe qeveria të studiojnë të gjitha përvojat e paketave lehtësuese dhe mbështetëse ndaj biznesit, i cili, për shkak të krizës ekonomike, është goditur rëndë. Shitjet kanë rënë ndjeshëm, të ardhurat dhe fitimet janë reduktuar, ekspozimi i tyre ndaj bankave për kreditë e marra dhe të pakthyera është rritur. Kur vendi ndodhet në një krizë ekonomike, mbledhja e sforcuar e detyrimeve të prapambetura dhe shitja e aseteve të tyre nuk mund të jetë strategjia e uljes së kredive të këqija. Riskedulimi i detyrimeve të prapambetura, përdorimi i një sistemi garancie shtetërore që ndan riskun midis bankave, biznesit dhe qeverisë, ulja kostos si dhe rritja e kreditimit të ekonomisë, lehtësojnë gjallërimin e ekonomisë, do të rrisnin fitimet dhe do të ulnin kreditë e këqija. Ne kërkojmë një sistem bankar sa më solid dhe efikas, i cili përzgjedh dhe mbështet bizneset e suksesshme dhe rrit cilësinë e investimeve në ekonomi.

Kodheli: BSH e fsheh krizën njëlloj si qeveria
Nënkryetarja e Komisionit të Ekonomisë, Mimi Kodheli, deklaroi dje se Banka e Shqipërisë në raportet e saj ka një qëndrim identik si qeveria përsa i përket përshkrimit të krizës ekonomike. “Raporti është përshkrues dhe komentues faktesh të njohura dhe shumë më pak analizues. Analizon 2011-n, por nuk hedh dritë mbi pritshmërinë e këtij viti dhe aq më pak për ata më pas. Banka ka ruajtur një gjuhë tejet të kujdesshme, sidomos përsa u përket ndikimeve të krizës botërore në ekonominë shqiptare, ku janë përzgjedhur termat dhe e njëjta gjuhë që përdoret edhe nga qeveria”, akuzoi Kodheli.

Bode: Kërkesa e PS për bankat, thirrje për anarshi dhe hamulli

Ridvan Bode

Ministri i Financave, Ridvan Bode, i quajti dje në Kuvend si joligjore propozimet e Partisë Socialiste për të ndaluar ekzekutimin e kolateralit nga bankat për kreditë e këqija të biznesit. Bode ka shkuar me tej teksa e akuzoi opozitën se me propozimet e saj kërkon të krijojë destabilitetin e ekonomisë dhe të sistemit bankar. “Objektivi i Bankës së Shqipërisë është e përcaktuar në ligj dhe nuk mundet një rezolutë e Kuvendit të denatyrojë funksionet, detyrat e Bankës së Shqipërisë vetëm thjesht se një grup parlamentar kërkon të bëjë demagogji. Së dyti, dhe ju jeni për demagogji dhe jo për forcimin e sistemit bankar. Në një pikë ju kërkoni pezullimin e ekzekutimit të kolateralit si instrument për të ndihmuar ekonominë dhe bankat. Kjo është thirrje aspak në përputhje me ligjin, me filozofinë e bankave. Është në kundërshtim me interesat e depozituesve shqiptarë, është një thirrje për hamulli, është një thirrje për anarshi. Kjo gjë nuk mund të thuhet në Kuvendin e Shqipërisë dhe aq më pak të miratohet. Kërkesë për të mos ekzekutuar kolateralin nga bankat për kompanitë që nuk paguajnë kreditë e këqija, prandaj këto janë thjesht demagogji që vijnë këtu”, deklaroi Bode. Gjatë diskutimit, ministri i Financave është përplasur dhe me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila ka kërkuar që të ndërpresë fjalën për shkak se ishte jashtë procedurës. “Zoti Bode, sipas rregullores, ka dy propozime: një po, një jo. Nuk mund ta vazhdoni diskutimin”, deklaroi Topalli.

Rrëzohet rezoluta e PS, Meta pro

Maxhoranca rrëzon propozimet e PS, voton rezolutën e vet për Bankën e Shqipërisë
Hazir Gashi i PS voton pro variantit të maxhorancës
Parlamenti ka miratuar dje me 73 vota pro dhe 56 kundër projekt-rezolutën e vlerësimin e punës së Bankës së Shqipërisë për vitin 2011.
Gjatë votimit në Kuvend ra në sy vota pro maxhorancës nga deputeti i Partisë Socialiste, Hazir Gashi, ndryshe nga deputetët e tjerë të opozitës, dhe vota e “dyfishtë” e kryetarit të LSI-së Ilir Meta, njëherë pro PS-së dhe më pas për PD-në. Vota e deputetit socialist Gashi, pro shumicës parlamentare ka bërë që votat e saj të shkojnë në 73, edhe pse në radhët e saj kishte disa mungesa. Nga radhët e koalicionit të djathtë mungoi dje Kryeministri Sali Berisha, ministri i Mbrojtjes Arban Imami dhe deputeti i Frymës së re Demokratike, Gazmend Oketa. Ndërsa nga Grupi i PS-së kanë munguar dje në Parlament deputetët: Ben Blushi, Tom Doshi, Qemal Minxhozi, Olta Xhaçka dhe Damian Gjiknuri. Sipas socialistëve, deputeti Hazir Gashi ka votuar gabimisht pro dhe në pamundësi për të ndërruar votën në Kuvend, ka ngritur kartonin e kuq në përfundim të votimit me elektronikë. Por kjo nuk ka mjaftuar të “riparojë gabimin”, pasi vota e tij është llogaritur në totalin e votave të së djathtës.
Votimi
Një votim jo i zakontë ishte dhe ai i kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i cili ka votuar edhe pro rezolutës së Partinë Socialiste, edhe pro rezolutës së maxhorancës. Në votim dje janë hedhur për votim dy projekt-rezoluta, një nga PS dhe një nga e Komisioni i Ekonomisë, i miratuar vetëm më votat e deputetëve demokratë. Fillimisht, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka kërkuar nga deputetët që të votojnë rezolutën e PS-së, duke i udhëzuar në këtë mënyrë dhe deputetët e djathtë të shprehin votën kundër. Rezoluta e socialistëve është rrëzuar me 71 vota kundër, 59 pro dhe një abstenim. Me socialistët ka votuar pro dhe kreu i LSI-së, Ilir Meta, ndryshe nga Grupi i kësaj partie, deputetët e së cilës kishin shtypur butonin jeshil. Ndërkohë që për rezolutën e opozitës ka votuar abstenim deputeti i larguar nga PS, Kastriot Islami. Gjatë votimit të projekt-rezolutës së maxhorancës, teksa opozita, përveç Hazir Gashit, ka votuar në bllok kundër, gjatë këtij votimi ka rënë në sy vota e kreut të LSI-së pro variantit të shumicës. Butoni jeshil është shtypur nga nënkryetari i Kuvendit, njëherësh deputet i LSI-së, Vangjel Tavo, pasi Meta gjatë votimit të dytë ishte duke folur në telefon.

Debati ne parlament
Arben Ahmetaj:
Raporti i Bankës së Shqipërisë e ka shprehur, të dashur kolegë, që kriza po e rëndon qytetarin shqiptar. E ka të shprehur në të gjitha faqet e saj, ka rënë konsumi privat, ka thënë që për shkak të rritjes së taksave, TVSH-së, medikamenteve apo taksat e reja, qytetari shqiptar është rënduar. Banka e Shqipërisë ka përdorur instrumentin monetar në funksion të saj, po i them guvernatorit, është një instrument i duhur dhe i vonuar, pra ulja e normës së interesit.
Sherefedin Shehu: Ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë rikthyen besimin para se të mbushej viti, dhe që prej vitit 2009 sistemi bankar shënon tregues në rritje. Por ka dhe rritje të tjera, siç është reduktimi i parave jashtë sistemit bankar. Pra ekonomia shqiptare po bëhet gjithnjë e më formale. Për vitin 2011 duhet shënuar dhe kontributi i Bankës së Shqipërisë në rritjen e ekonomisë shqiptare.
Ervin Koçi: Kontratat e bankave duhet të jenë më të drejta dhe më të plota, të krijojnë besimin te klienti, pa e penalizuar klientin, siç ndodhi në vitin 2009, kur bankat ndryshuan kontratat e kredisë në mënyrë të njëanshme. Edhe pse Banka e Shqipërisë ka ndërhyrë për përmirësimin e kontratave, shumica e kontratave të kredisë janë diskriminuese.
Sybi Hida: Në kushtet e presionit real dhe psikologjik, Banka e Shqipërisë ka qenë e detyruar të ndjekë një politikë monetare që t’u përgjigjet presioneve të mjedisit të jashtëm. Duke rritur dhe më pas ulur normën bazë të interesit me qëllim arritjen e objektivit të saj të normës së inflacionit. Kryesisht politika monetare e vitit 2011 vlerësohet si lehtësuese.
Erjon Braçe: Banka Qendrore, pothuajse në të gjitha reagimet e këtyre viteve, ashtu si dhe gjatë vitit 2011, ka dëshmuar cenim të pavarësisë së saj, ka dëshmuar mungesë të iniciativës dhe në rastet kur ka ndërhyrë, ka qenë e vonuar. Nuk u ka paraprirë ngjarjeve dhe në të shumtën e rasteve ka bërë dëme. Në mënyrë deri paradoksale, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, pothuajse gjysmën e akteve të tij i ka me çështje organizative apo tenderime. Ndërkohë që objektivi i punës së tij është politika monetare. Banka e Shqipërisë është bërë palë me qeverinë dhe raportet e saj ngjajnë më shumë me shkrime publicistike, sesa punë profesionale.
Ridvan Bode: Banka e Shqipërisë qenka skllave e qeverisë dhe ka punuar për të? A e dini ju që nga viti 2008 deri sot, në vitin 2012, periudha e goditjes flagrante të krizës globale, qeveria shqiptare nuk ka marrë një cent kredi nga BSH? Cila është data kur qeveria është financuar drejtpërdrejt nga Banka e Shqipërisë, qoftë me 1%, qoftë me një cent? Kurse ju zotëri, pa krizë, në periudhë të qetë, në periudhë zhvillimi, keni financuar buxhetin e shtetit drejtpërdrejt nga Banka e Shqipërisë.

Braçe: Rroga e Fullanit, 45 mijë lekë për orë pune

Fullani dje në Parlament

Deputeti i PS-së, Erjon Braçe, tha dje se pavarësisht krizës ekonomike në vend, kjo nuk ka ndikuar aspak në rrogën e guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani. Sipas Braçes, rroga e kandidatit të përfolur për President është rreth 100 milionë lekë në vit, ose 8 milionë lekë në muaj. “Adrian Fullani, aktualisht guvernator i Bankës së Shqipërisë, por i përfolur e negociuar si ‘kandidat për President’, do të jetë pas pak në Kuvend! Diskutohet për Bankën e Shqipërisë dhe punën e tij si guvernator! Guvernatori i BSH-së shpenzon këtë vit 13 milionë dollarë për paga, dieta, honorarë; veç tyre edhe 7 milionë dollarë shpenzime administrative! Vetëm të ardhurat e tij vjetore si guvernator arrijnë afër 100 milionë lekë; d.m.th 8 milionë lekë në muaj, ose 360 mijë lekë në ditë pune, ose 45 mijë lekë në orë pune!”, tha Braçe.

Vota e Gashit
Deputeti i Partisë Socialiste, Hazir Gashi, i përfolur si një nga deputetët që i është ofruar tentativa për t’u “blerë” dhe për të votuar pro maxhorancës në zgjedhjen e Presidentit, ka votuar dje kundër vendimit të Grupit të socialistëve. I kontaktuar nga “Panorama”, sekretari i Grupit të PS-së, Taulant Balla, ka sqaruar se vota pro maxhorancës e deputetit të PS-së Hazir Gashi ka ardhur për shkak të një gabimi. Balla ka saktësuar se deputeti socialist, në pamundësi për të ndërruar votën, ka ngritur kartonin e kuq, por kjo nuk është marrë parasysh nga drejtuesja e seancës.

FATION BINJAKU

© Panorama.al

Te lidhura