Partia Socialiste zyrtarizon kërkesën e saj për pavlefshmërinë e zgjedhjeve për Bashkinë e Tiranës.Rreth orës 15:00 të ditës së djeshme, përfaqësuesit e PS-së dorëzuan në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kërkesën ankimore kundër rezultatit që e nxjerr Bashën fitues të zgjedhjeve me 93 vota më shumë. Kërkesa prej nëntë faqesh, sipas nenit 129 të Kodit Zgjedhor, duhet të relatohet brenda ditës së sotme dhe më pas KQZ-ja ka dy ditë kohë për ta shqyrtuar atë. Sipas një llogarie të thjeshtë, Komisioni duhet të shprehet me vendim brenda ditës së enjte për kërkesën e radhës së socialistëve.
Kërkesa
Që në hyrje të dokumentit, i cili mban firmën e Fatmir Xhafës, kërkohet të shpallen të pavlefshme zgjedhjet në 284 qendra votimi. Sipas PS-së, në këto qendra votimi janë vërejtur shkelje të shumta, që nga mosrakordimi i numrave deri te mungesa e kodit të pestë apo zhdukja e zarfit me fletët e votimit të pavlefshme. Duke iu referuar Kodit Zgjedhor, nëse KQZ-ja apo Kolegji shpallin pavlefshmëri qoftë edhe në një qendër votimi, e gjithë Tirana kalon në rivotim për shkak të ndikimit në rezultat që ka ajo qendër. “Diferencat midis numrit të votuesve dhe numrit të fletëve të votimit të gjetura në kutitë e votimit për kryetarin e Bashkisë së Tiranës nuk përmbajnë diferenca midis tabelës përmbledhëse të rezultatit dhe tabelave origjinale të qendrave të votimit, që është argumentuar se është gabim “njerëzor”. Jemi para një mospërputhjeje të rezultatit zgjedhor, me pasojë të dukshme deformimin e tij, gjë që përbën shkelje të ligjit, me ndikim në ndarjen e mandateve. Për këtë shkak, janë të gjitha arsyet ligjore që zgjedhjet për kryetar të Bashkisë së Tiranës të shpallen të pavlefshme”, thuhet në faqen e katërt të kërkesës ankimore. Sipas socialistëve, nga tabela përfundimtare e miratuar nga KQZ-ja rezulton se janë 870 vota më shumë se numri i zgjedhësve që kanë votuar më 8 maj. “Sipas Vendimit Nr. 67, datë 13.06.2011 të Kolegjit Zgjedhor pranë Gjykatës së Apelit Tiranë, KQZ-ja kishte detyrimin të përputhte tabelat e rezultateve duke përputhur numrin e zgjedhësve me fletët e votimit në mënyrë që të realizonte parimin kushtetues dhe ligjor ‘një zgjedhës, një votë’. Këtë detyrë të Kolegjit, KQZ-ja nuk arriti ta realizonte për shkak të shkeljeve të shumta ligjore”.
Në kërkesën ankimore renditen një sërë parregullsish të evidentuara gjatë hapjes së kutive në KQZ. Kështu, sipas PS-së, përveç kutive që i mungonte kodi i pestë, kishte kuti të dëmtuara, kuti ku mund të ndërhyhej duke futur ose nxjerrë zarfe apo fletë votim, kuti ku mungonin zarfet me votat e pavlefshme apo edhe kuti që kishin fletë votimi që nuk i përkisnin asaj qendre. “Për sa më sipër, rezulton se, në rreth 35% të kutive u konstatuan dhe dokumentuan probleme serioze të integritetit dhe sigurisë së tyre, gjë që vendos në pikëpyetje të drejtpërdrejtë integritetin e materialit zgjedhor që ndodhet brenda tyre dhe, për rrjedhojë, bazueshmërinë dhe ligjshmërinë e vetë vendimit të KQZ-së, objekt të këtij ankimi”, vijon më tej kërkesa ankimore. Një tjetër pretendim i socialistëve është fakti se në disa qendra votimi ka më pak vota se numri i votuesve që kanë marrë pjesë në zgjedhje. “Ka rezultuar e provuar se në shumë QV mungojnë fletë votimi, ndërkohë që sipas listës së zgjedhësve, ka më shumë zgjedhës që kanë votuar. Mangësi kjo përsëri e pashpjegueshme logjikisht dhe as si gabim njerëzor në aspektin material të shifrave të pasqyruara, pasi në shqyrtimin administrativ të realizuar nga KQZ-ja, këto të meta nuk rezultuan të ishin gabime në llogaritje, por mangësi në vetë materialin zgjedhor”.
284 qendra
Partia Socialiste, në kërkesën e saj ankimore, ka kërkuar të shpallen të pavlefshme zgjedhjet në 284 qendra votimi në të gjithë Tiranën. Më 8 maj, për kryetarin e Bashkisë së Tiranës u votua në 485 qendra votimi.
117 qendra
Gati një muaj më parë, me kërkesë të disa KZAZ-ve, KQZ-ja hapi 117 kuti votimi dhe mori prej tyre votat e hedhura në kutinë e gabuar. Nga ky operacion rezultoi se Basha ishte fitues me 81 vota më shumë se Edi Rama.
93 vota
Pas urdhërimit të Kolegjit, KQZ-ja hapi gjithsej 1793 qendra votimi në të gjithë Tiranën për të gjetur në zarfet e votave të pavlefshme dhe të kontestuara votat e gabuara. Nga hapja e tyre Basha shkoi në 93 vota më shumë se Rama.
Argumentet e PS
Diferenca ndërmjet fletëve të gjetura në kuti dhe numrit të zgjedhësve për Bashkinë Tiranë është 870 fletë votimi më shumë se zgjedhës.
Ndërkohë që shuma e fletëve të votimit të vlefshme me ato të pavlefshme, krahasuar me numrin e zgjedhësve, është 244 fletë votimi të numëruara e të përfshira në rezultat më shumë se numri i zgjedhësve.
U konstatua dhe u dokumentua mosrakordimi i kodit të pestë të sigurisë të kutisë së votimit me një, dy, tre apo katër kodet e tjera të kutisë përkatëse në një numër qendrash votimi.
U konstatuan një sërë kutish votimi të dëmtuara para ardhjes në KQZ, dëmtime këto të paevidentuara si të tilla në librat e protokollit të KZAZ-ve. Këto kuti ishin të thyera dukshëm dhe me hapësira në paretet e tyre.
U evidentua qartazi mundësia e ndërhyrjes nga jashtë në një sërë kutish votimi për shkak të hapësirave joligjore të evidentuara në to, në të cilat mund të futeshin dhe nxirreshin lirisht për këtë shkak fletë apo zarfe me fletë të pavlefshme, të cilat ishin brenda ose jashtë këtyre kutive të konsideruara “të sigurta” nga ana e KQZ-së. Ky fakt, u provua publikisht në seancë publike, kur u mundësua kryerja e një veprimi të tillë për të demonstruar abuzimin e pretenduar nga vëzhguesit e opozitës në procesin e vlerësimit të votave.
U evidentua gjatë këtij procesi, përveç sa më sipër, edhe një shkelje tjetër shumë e rëndë. Në disa kuti të QV-ve mungonin krejtësisht zarfet e fletëve të pavlefshme në kutitë e votimit, ndërkohë që në procesverbalet e mbyllura nga grupet e numërimit ekzistojnë shënime të qarta për ekzistencën e këtyre zarfeve dhe fletëve të pavlefshme në këto kuti.
U konstatuan në disa kuti votimi fletë votimi që nuk i përkisnin fare asaj qendre votimi, pra që kishin ardhur e futur në këto kuti votimi në mënyrë krejt të jashtëligjshme nga qendra të tjera votimi.
U evidentua gjithashtu, gjatë këtij procesi, një shkelje tjetër e ligjit. KQZ vendosi hetimin dhe numërimin e fletëve të votimit, të cilat ishin jashtë zarfeve të votave të pavlefshme, si: në QV 1704 fletë votimi 8, QV 1704/1 fletë votimi 23, QV 1707 fletë votimi 10, QV 1684 fletë votimi 13, QV 1739 fletë votimi 8, QV 1723 fletë votimi 7, QV 1731 fletë votimi 14, QV 1708 fletë votimi 3, QV 1728 fletë votimi 12 etj.
Ka rezultuar e provuar se në shumë QV mungojnë fletë votimi, ndërkohë që sipas listës së zgjedhësve, ka më shumë zgjedhës që kanë votuar.
“Votat e këtyre kutive s’mund të llogariten”
Sipas Partisë Socialiste, votat e hedhura në kutinë e gabuar, kur u konstatuan një sërë parregullsish, nuk mund të bëhen pjesë e rezultatit përfundimtar. “Qartësisht është konstatuar se procesi i realizuar nga KQZ-ja pas urdhërimit të bërë me Vendimin Nr. 67, datë 13.06.2011 të Kolegjit Zgjedhor, ka nxjerrë në pah shkelje dhe fakte të reja që kanë lidhje me integritetin e kutive të votimit dhe fletëve të votimit të gjetura në to, gjë që nuk mund të pranohet dhe as të bëhet pjesë e rezultatit të zgjedhjeve për kryetar të Bashkisë Tiranë”, thuhet në kërkesën ankimore. Sipas socialistëve, “këto rezultate të këtyre kutive që bartin shkeljet e paraqitura më sipër nuk mund të pranohen dhe as të përfshihen në rezultat, pikërisht për shkak të mangësive të konstatuara, mangësi që nuk duhet të ekzistonin, evidentimi i të cilave e bën rezultatin e tyre nul e të papranueshëm duke qenë se nuk është e garantuar mundësia e moscenimit të rezultatit të votimit në këto QV”.
PS: S’njohim rezultatin, janë manipuluar kutitë
Partia Socialiste nuk do ta njohë rezultatin e shpallur nga KQZ. Deputetja Eglantina Gjermeni tha dje, përmes një deklarate për mediat, se “rezultati është një manipulim për të fshehur disfatën elektorale në mbarë Shqipërinë”. Sipas saj, Partia Socialiste do të vazhdojë të ndjekë rrugën ligjore e bindur në drejtësinë e kauzës së saj. “Numri i votave që nuk përputhet me numrin e votuesve, provat e qarta të manipulimit dhe cenimit të integritetit të kutive që i panë të gjithë, janë fakte të pakundërshtueshme të pavlefshmërisë së rezultatit të shpallur nga KQZ”, u shpreh Gjermeni. Sipas deputetes socialiste, “ka prova të krimit elektoral që i kanë shkatërruar zgjedhjet dhe që e kanë zhytur Shqipërinë në një krizë të thellë”. “Kodet që u zhdukën dhe ndryshuan në periudhën kur kutitë i mbante nipi i Saliut, zarfet e zhdukura dhe fletët e shtuara jashtë zarfeve për Lulzim Bashën, fletët e votimit që na paskan kryer udhëtime të pabesueshme prej kilometrash të tërë për të përfunduar në kutitë e një qendre tjetër votimi dhe kutitë e shqyera prej dorës së pushtetit nga ku mund të futeshin e të nxirreshin zarfe, vota e procesverbale”, u shpreh Gjermeni.
ADI SHKEMBI
© Panorama.al











