PS: Në 3 muaj 158 jetë të humbura

Sep 2, 2012 | 10:44

Sajmir Tahiri

PS akuzon Qeverinë për dështim me rendin: Vendi qeveriset nga krimi i rrugës.

Tahiri: Janë të vrarë e të aksidentuar, 222 të gjymtuar.

Partia Socialiste akuzoi qeverinë dhe Kryeministrin Berisha si përgjegjës kryesor për rritjen e kriminalitetit dhe humbjes së jetëve të shqiptarëve. Nënkryetari i Grupit Parlamentar socialist, Sajmir Tahiri, përmes një deklarate për shtyp tha se vetëm gjatë tre muajve të fundit kanë humbur jetën 158 qytetarë dhe janë gjymtuar 222 të tjerë. “Dje në Sarandë, para 2 ditësh në Shkodër, thuajse çdo ditë, shqiptarët po vriten, plagosen e gjymtohen nga vrasjet dhe aksidentet. Sali Berisha pas ca ditësh do dalë të bëjë bilancin e turistëve që kanë hyrë në vend gjatë 3 muajve të verës, por bën mirë të hapë sytë e të shohë bilancin e luftës që gjatë këtyre 3 muajve ka shkaktuar një masakër të vërtetë në vend. Shifrat flasin vetë: Gjatë 3 muajve, qershor, korrik dhe gusht, gjatë 90 ditëve, kanë humbur jetën 158 qytetarë. Nga vrasjet dhe aksidentet. Gjatë po këtyre 3 muajve, në 90 ditë, janë plagosur e gjymtuar përjetësisht 222 qytetarë”, u shpreh Tahiri. Sipas tij, vendi qeveriset nga krimi i rrugës dhe mafiozët e lidhur me pushtetin. “Shqipëria nuk qeveriset nga qeveria, por nga krimi i rrugës dhe mafiozët e lidhur me pushtetin. Kjo situatë merr fund vetëm atëherë kur të marrë fund kjo qeveri dhe Kryeministri Sali Berisha. Vetëm atëherë kur institucionet të bëjnë punën e tyre, jo punën e Saliut. Kur drejtësia të jetë e pavarur, jo në sqetullën e Saliut bashkë me President Bujarin”, tha nënkryetari i Grupit Parlamentar socialist. Deputeti socialist akuzoi strukturat shtetërore si të paafta dhe të kapura nga militantët partiakë. “Policia është kthyer në agjenci mortore. Oficerët dhe policët e thjeshtë janë të marrë peng nga militantë partiakë e shërbëtorë të partisë në pushtet. Makinat e Policisë nuk kanë as karburant, jo më infrastrukturë të specializuar për të luftuar kriminalitetin. Por arsyeja e vërtetë e kësaj masakre është keqqeverisja e Sali Berishës. Varfëria po vret me plumba. Konflikti për pronën po merr jetë njerëzish. Papunësia ka hapur rrugët e krimit, drogës dhe vjedhjes. Keqqeverisja e Sali Berishës po e lë vendin tokë të djegur, me kriminelë që lajnë hesapet se mungon shteti, dhe të tjerë që vjedhin sepse mungojnë institucionet”, u shpreh Tahiri. Situata sipas tij rregullohet nga një drejtësi e pavarur. “Zgjidhja fillon që më datë 6 shtator. PS ka propozuar një paketë për ndryshime kushtetuese, që shënon njëkohësisht hapat e parë për rikthimin e shtetit ligjor dhe konsolidimin e tij. Neve na duhet një prokuror i pavarur që të luftojë me krimin, jo një prokuror i nënshtruar nga Sali Berisha”, tha Tahiri.

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura