Kreu i PS: I shpreh mirënjohjen, respektin dhe dashurinë një miku, kryetarit të Grupit.
Partia Socialiste festoi dje 21-vjetorin e themelimit të saj, 12 qershorin 1991, kur kaloi nga Partia e Punës në PSSH. Në lulishten e bar restorant “Austria”, dje pasdite ishin mbledhur rreth 700 persona, protagonistë të momenteve të para të themelimit të PS, socialistë dhe simpatizantë që kujtonin opozitën e vështirë socialiste të viteve ‘92-‘96, por dhe njerëz që kanë shërbyer me detyra të ndryshme gjatë qeverisjes socialiste për 8 vjet. Dje nuk ishin vetëm protagonistët e 1991-shit, por dhe protagonistët e Re:FRESSH-it të sotëm, të forumit rinor i cili është ringritur përmes strukturave dhe drejtuesve të rinj. Për t’i dhënë kuptim kësaj llojshmërie brezash, por dhe për të treguar se sa shumë ka ndryshuar në mentalitet partia e dikurshme, Rama jo pa emocion tha gjatë fjalës së tij në adresë dhe të ambasadorëve që ishin dje të pranishëm: “Edhe një herë faleminderit! Gëzuar ditëlindjen e Partisë Socialiste dhe jam shumë i kënaqur që ka ardhur dita kur “armiqve amerikanë” mund t’i urojmë Gëzuar ditëlindjen e Partisë Socialiste dhe njëkohësisht edhe social imperialistëve të tjerë Gëzuar ditëlindjen e Partisë Socialiste këtu, në këtë oborr, për të kremtuar jo vetëm një ditëlindje, por edhe të gjitha vlerat, parimet dhe bindjet tona të palëkundura për ta çuar Shqipërinë përpara, për ta integruar plotësisht në Familjen Europiane, ashtu siç u integrua edhe në NATO”. Ish-presidenti Meidani, ish- kryetari i Kuvendit Servet Pëllumbi, një nga protagonistët e themelimit të PS, Moikom Zeqo, por dhe figura të njohura, konstitucionalistë, si Luan Omari dhe profesorë të tjerë të fushave të ndryshme, ishin dje prezentë në festimin e 21-të të kësaj partie. Ra në sy mungesa e ish-kryetarit të PS, Fatos Nano, i cili pas debateve me Ramën për çështjen e Presidentit nuk ka preferuar të marrë pjesë në festë. Por nuk munguan as ambasadorët kryesorë në Tiranë, ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu, ai i BE-së, Ettore Sequi, ambasadori italian Massimo Gaiani, përfaqësues nga Ambasada Kineze, por dhe koordinatorja e përhershme e PNUD-it, Zineb Touimi-Benjelloun. Të pranishëm në festën e djeshme ishin figurat kryesore politike të PS, deputetët dhe kryetarët e bashkive e komunave. Rama
Rama dhe Arvizu
Edi Rama, i veshur sportiv me pantallona xhins dhe xhaketë linoje, të dyja blu, ndryshe nga shumë të pranishëm që kishin harxhuar kohë për t’u rregulluar për këtë ditëlindje, u mundua gjatë gjithë kohës që të sajdiste të ftuarit, duke i takuar pothuaj të gjithë. Rama kalonte në çdo tavolinë apo grup të ftuarish, bënte një batutë, ndizte humorin me ngacmimet e tij dhe vazhdonte tek tryeza tjetër. Ndryshe nga festa jubile e një viti më parë, kur shoqërohej nga bashkëshortja Linda, Edi Rama ishte fare i shpenguar, për të kaluar nga një grup të ftuarish tek tjetri. Gjatë fjalës së tij, Rama vlerësoi Gramoz Ruçin. “Duke e mbyllur, do të doja që t’i shprehja në mënyrë të posaçme mirënjohjen, respektin, dashurinë një miku, një bashkëpunëtori, një kolegu për të cilin gjithmonë do të ruaj çka më të mirën mund të ruhet në zemër në raport me një familje të madhe politike dhe ky është kryetari i Grupit Parlamentar”, u shpreh Rama. Mungesat
Gjatë fjalës së tij, kur Rama falënderoi protagonistët e themelimit të partisë në 1991-shin dhe të atyre që i kanë dhënë imazhin më pozitiv, Rexhep Meidani, Servet Pëllumbi e të tjerë, harroi të përmendte atë që të gjithë e kanë cilësuar si patriarku i socialistëve, Dritëro Agollin. Dritëroi nuk ishte prezent dje për arsye shëndetësore dhe moshe. Ra gjithashtu në sy edhe mungesa e deputetit Ben Blushi, i cili ka munguar dhe ne festën jubilare, atë të 20-vjetorit të krijimit të PS. Përveç Vangjel Dules dhe Petro Koçit, asnjë nga aleatët e tjerë të PS nuk ishin dje të pranishëm. Mungonin Milo, Gjinushi, Ndoka, Ngjela por dhe nga partitë e tjera të listës së koalicionit.
Anëtari i Kryesisë socialiste, Namik Dokle, i pyetur rreth atmosferës së festës, tha se “unë do të uroja të gjithë socialistët për të pasur mendjen të kthjellët, për të pasur frymë mirëkuptimi dhe për të pasur shpirt kurajoz për t’i fituar betejat politike që na presin”.
Ambasadoret Kreu socialist Edi Rama pasi përcolli ambasadorët e pranishëm në festën e djeshme, Arvizu, Gaiani apo Zineb Touimi-Benjelloun të PNUD, u ul në shoqërinë e bashkëkryetarit të Komisionit të Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri me ambasadorin e BE-së në Tiranë, Ettore Sequi. Biseda ka zgjatur rreth 30 minuta, e më pas Rama u largua për të bërë deklaratën e tij në mbyllje të procesit zgjedhor të FRESSH-it. Mësohet se në qendër të bisedës ka qenë reforma zgjedhore dhe asistenca e mundshme e BE-së.
Takim i ftohtë
Rama dhe Braçe gjatë ceremonisë
Dje në festën e 21-të të PS, ra në sy një qëndrim i ftohtë i Ramës ndaj nënkryetarit të Grupit Parlamentar socialist, Erjon Braçe. Fotografi i “Panorama” ka fiksuar këtë shtrëngim shumë të ftohtë duarsh në sytë e shumë të pranishmëve. “Sjellja e Partisë Socialiste duhet të jetë pjesë e një analize të thellë brenda PS-së. Duhet të reflektojmë për ndryshimet në Kushtetutë, e para, raundet e konsumuara pa kandidat dhe shmangien e 84 votave”, u shpreh Braçe të hënën në emisionin “Shqip”.