PS mbështet vendimin e qeverisë së Kosovës

Jul 28, 2011 | 16:33

Partia Socialiste shprehu sot mbeshtetjen e saj dhe tha se po i ndjek me shqetësim zhvillimet në veriun e Kosovës.

Nëpërmjet një deklarate për shtyp, selia rozë dënon si të pamoralshme dhe të patolerueshme aktet vandaliste dhe kriminale, vepër e individëve dhe grupeve ekstremiste që u ka mbetur ora në një kohë dhe një ideologj, për të cilën nuk ka më vend në Europën e vlerave, demokracisë dhe tolerancës ku synon të integrohet i gjithë rajoni.

Duke shprehur mbështetjen për qëndrimet e të gjithë faktorit politik në Kosovë dhe ato shqiptar, në deklaratën e PS-së thuhet se, “pavarësia e Kosovës është tashmë një realitet i pamohueshëm i njohur në mënyrë ligjore nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës janë të paprekshme dhe të pacenueshme në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, prandaj është një e drejtë sovrane dhe e pamohueshme e qeverisë së Kosovës, e autoriteteve dhe institucioneve kosovare që të ushtrojnë autoritetin e tyre kushtetues e ligjor në mbarë territorin e vendit për rivendosjen e rendit publik dhe normalitetit të qëndrueshëm demokratik”

Sipas PS-se, aktet e dhunës dhe ekstremiste nuk i shërbejnë askujt, ndaj rruga e vetme është dialogu dhe bashkëpunimi, si rruga e vetme që i shërben forcimit të paqes, prosperitetit, demokracisë dhe stabilitetit në rajon.

Opozita shprehu dhimbjen e thellë për humbjen e jetës në krye të detyrës së efektivit të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës.

© Panorama.al

Te lidhura