Partia Socialiste ka akuzuar sot qeverinë, ministrine e Ekonomisë dhe atë të Punës si përgjegjëset kryesore të situatës së krijuar në minierën e Bulqizës, ndërsa ka kërkuar prej tyre ndërhyrje sa më të shpejtë.
Në një deklaratë për shtyp, deputeti i PS-së Arben Ahmetaj, tha se shteti i munguar dhe indiferenca totale ndaj kërkesave të minatorëve ka sjellë situatën e sotme.
PS-ja tha ai, mbështet kërkesat legjitime të minatorëve, duke i bërë thirrje ministrit të Ekonomisë të ndërhyjë për të zhbllokuar situatën.
“METE i ka të gjitha instrumentat të detyrojë kompaninë konçesionare ACR që të zbatojë kontratën, për të bërë investimet. Mosbërja e investimeve ka sjellë shkatërrimin e minierës. Bërja e investimeve do të silllte dyfishin e prodhimit, dhe rritjen e përfitimeve edhe për familjet e minatorëve”- tha Ahmetaj.
Situata e krijuar në minierën e Bulqizës, është shprehje e drejtëpërdrejtë e asaj se sa në vëmendje e ka qeveria qytetarin e vet, theksoi deputeti i PS-së.
Ahmetaj u ndal edhe në punën e Repartit të Inspektim- Shpëtim Minierave (RISHM), puna e të cilit meriton një hetim të plotë, tha ai.
“Puna e RISHM-it në atë minierë ka munguar. RISHM kujtohet sot për kushtet, kur në atë minierë punohet prej kohësh në kushte primitive”-tha Ahmetaj.
© Panorama.al











