
Nënkryetari socialist i Komisionit të pos-açëm të Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri, i kërkoi dje Parlamentit të ringrejë me një mandat të ri Komisionin parlamentar për Reformën Zgjedhore. Duke folur për mediat, deputeti socialist tha se pas të gjitha negociatave që janë bërë dhe takimeve me palën tjetër, është vetëm Parlamenti që mund t’i japë zgjidhje reformës zgjedhore. “Është absurde që kur je përgjegjës vetë, të akuzosh të tjerët. Gjëja e parë që duhet bërë, është që Komisioni të rimandatohet dhe të mbyllë pjesët e mbetura të reformës zgjedhore. Janë ato pika që nuk janë miratuar në tërësi, janë disa komente të OSBE-ODIHR që duhen riparë. Kjo është detyrë imediate. Përtej deklaratave është mirë të bëhen ca gjëra. Kemi kontaktuar për modalitetet për të ringritur Komisionin e Reformës Zgjedhore, sepse unë formë tjetër të negocimit gjithëpërfshirës nuk gjej përtej Komisionit të Reformës Zgjedhore”, tha dje Gjiknuri. Duke iu përgjigjur akuzave të Kryeministrit Berisha “se opozita me konsensus nënkupton bllokim”, Gjiknuri i kërkoi maxhorancës të bëhet bashkëpunuese dhe jo akuzuese. “PS ka bërë shumë kompromise. Për më tepër mund të informoheni, sepse kanë qenë shumë kërkesa të opozitës që janë anashkaluar. PD ka qenë rezistente dhe PS për hir të kompromisit ka hequr dorë”, tha Gjiknuri. Duket se palët ndahen në formulën e rikompozimit të KQZ-së, ankimimit të palëve në KQZ dhe identifikimit të zgjedhësve përmes gjurmës së gishtit. Për socialistët, demokratët nuk kanë vullnet që të prekin asnjë nga këto çështje, ndërsa vetë tregohen më fleksibël në funksion të marrjes së disa garancive. Gjiknuri shprehet se PS nuk do të mbetet skllave e propozimit të parë të bërë për formulën e kompozimit të KQZ-së. “Ajo ka qenë një formulë shumë e mirë, ka gjetur dhe një mbështetje informale nga shumë partnerë ndërkombëtare, e kanë quajtur formulë të balancuar, megjithatë nuk duhet të jemi skllav i propozimit tonë, patjetër që jemi të gatshëm, madje i kemi thënë edhe PD që brenda kësaj formule të shohë alternativa të tjera”, u shpreh dje Gjiknuri.
Komisioni i Reformës
Komisioni i Reformës Zgjedhore, i cili e nisi mandatin e tij që në muajin dhjetor dhe që mori dy herë shtyrje të afatit të tij, nuk arriti të miratojë një draft të plotë me pëlqimin e palëve pjesëmarrëse në të. PD dhe PS u ndanë në qëndrimet e tyre tek formula e kompozimit të KQZ-së, tek mundësia e ankimimit të çështjeve zgjedhore në KQZ sa herë dy anëtarë e kërkojnë atë, por dhe tek identifikimi i zgjedhësve përmes gjurmës











