Partia Socialiste ka akuzuar dhe Kryeministrin Sali Berisha se përmes kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve po manipulon zgjedhjet edhe në komunën e fundit ku nuk ka një rezultat përfundimtar, në Shalë të qarkut të Shkodrës. Në një deklaratë për shtyp, deputeti i selisë rozë, Taulant Balla, u shpreh se KQZ praktikisht nuk ka më legjitimitet dhe, duke iu referuar raportit të fundit të OSBE/ODIHR-it, ai nuk ekziston më si institucion. “Nuk mund të ketë një rezultat të drejtë nga kjo KQZ që identifikohet nga raporti i OSBE/ODHIR-it si institucioni që shkatërroi zgjedhjet lokale të 8 majit. OSBE/ODIHR ka kërkuar shprehimisht riformatimin e KQZ të Ristanit e Saliut, çka do të thotë se ky institucion sot nuk ka më asnjë lloj legjitimiteti e besueshmërie. Pas këtij diskreditimi nga arbitri ndërkombëtar i zgjedhjeve, që konfirmoi të gjitha akuzat e opozitës në adresë të KQZ-së, ky institucion praktikisht ka reshtur së ekzistuari”, u shpreh deputeti i PS. Duke iu referuar vendimit të djeshëm të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të numëruar në Tiranë pesë kutitë e komunës së Shalës, Balla u shpreh se ky është një tjetër rast ku Kryeministri Berisha po manipulon votat e banorëve të asaj zone. “Sali Berisha nuk heq dorë nga vjedhja e zgjedhjeve. Rasti më i fundit është ai i komunës Shalë, ku përballë frikës për humbjen e kandidatit të tij, Saliu ka urdhëruar Ristanin që t’i numërojë ai votat e kësaj komune në Komisionin Qendror të Vjedhjeve”, theksoi Balla. Sipas tij, nuk mund të ketë më numërim të ndershëm në KQZ për aq kohë sa në krye të atij institucioni qëndron ende Arben Ristani. “Nuk ka asnjë arsye dhe asnjë shpjegim tjetër për këtë veprim, përveç përpjekjes së Saliut për të manipuluar rezultatin. Pasi dështoi me tentativat e tij për t’i vjedhur zgjedhjet në komunën e Shalës me anë të manipulimeve e presionit shtypës nga të gjitha strukturat e regjimit të tij, tani Saliu ka vendosur ta përdorë sërish Ristanin për të kryer grabitjen e radhës. Nuk mund të ketë numërim të ndershëm e të drejtë nga KQZ, në krye të të cilit qëndron një bandit si Arben Ristani. Këtë e panë të gjithë shqiptarët e ndërkombëtarët”, theksoi Balla.
Raporti, të riformulohet KQZ
Në pjesën e fundit të raportit të OSBE/ODIHR-it, në kapitullin e rekomandimeve që partitë politike duhet të përmbushin, njëri prej tyre ka të bëjë me mënyrën se si formohet KQZ-ja. OSBE-ja propozon ndryshimin e formulës së përbërjes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve me qëllim rritjen e besimit të publikut. “Formula për përbërjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve mund të rishikohet në mënyrë që të rrisë besimin në pavarësinë e saj dhe në aplikimin e paanshëm të Kodit Zgjedhor”, thuhet në raport. Gjithashtu, vlerësohet se partitë duhet të jenë të detyruara të respektojnë afatet në procesin zgjedhor, veçanërisht në emërimin dhe trajnimin e anëtarëve të komisioneve zgjedhore.











