Thuajse në të njëjtën kohe me Ministrinë e Punëve Publike dhe Transportit, Partia Socialiste ka dhënë, sipas saj, një informacion të plotë lidhur me situatën që ka shkaktuar moti i keq në të gjithë vendin. Në bazë të informacioneve të mbledhura nga deputetët dhe kryetarët e Partisë Socialiste në rrethet e prekura nga reshjet e dëborës, selia rozë jep këto të dhëna.
Kukës:
Informacion nga kryetarët e partisë dhe kryetarët e komunave përfaqësues të PS:
– Duke filluar nga pasditja e djeshme u bë e mundur qarkullimi në rrugën që lidh Kukësin me Tiranën.
– U morën masa për pastrimin e rrugëve brenda qytetit të Kukësit dhe krijimin e kushteve më të mira për qarkullimin e njerëzve dhe të mjeteve.
– Vazhdojnë të jenë të bllokuara dhe të pakalueshme akset rrugore që lidhin qytetin e Kukësit me qendrat e komunave Surroj, Arrën, Malzi, Zapod, Bushtricë, Kalis, Gryk Cajë, Ujmisht.
– Ka filluar puna për hapjen e rrugës që lidh Kukësin me Shishtavecin, por po ecet shumë ngadalë.
– Nuk ka patur ndihma për fshatrat dhe komunat e bllokuara të rrethit.
Has:
Sipas informacionit nga kryetari i partisë së rrethit:
– Funksionojnë akset rrugore Krumë- Kukës dhe Krumë- Qaf Prush.
– Vazhdojnë të jenë të bllokuara rrugët që lidhin komunat Fajzë dhe Gjinaj me qendrën e rrethit si dhe qendrat e komunës me fshatrat. Të bllokuar gjithashtu fshatrat Cahan e Kishaj ku trashësia e borës arrin deri në 2.5 m.
– Megjithë gjendjen e rëndë, nuk ka qenë deri tani prezent asnjë lloj asistence për të ndihmuar nga ana e qeverisë apo autoriteteve të prefekturës dhe qarkut për komunat dhe fshatrat e bllokuara.
Tropojë:
Informacioni nga kryetari i partisë së rrethit dhe kryetarët e partisë të komunave na njofton se:
– Për Tropojën situata është e tillë, që nuk bëhet fjalë për gjendje të vështirë, por është gjendje e jashtëzakonshme. Kur ka 2 m borë në qytet, duhet të përfytyrohet se si është gjendja në komunat e rrethit.
Pushtetarët e Tropojës nuk e paraqesin gjendjen reale, por gënjejnë !
– Komuna Lekbibaj e bllokuar totalisht. Nuk ka asnjë lëvizje e përpjekje për çbllokimin e situatës.
– Në komunën Margegaj, fshatrat Valbonë e Dragobi janë të bllokuara plotësisht.
-Mundësitë e komunikimit me fshatrat e komunës Lekbibaj, me fshatrat Valbonë e Dragobi janë të kufizuara dhe kontaktet që kemi tregojnë për emergjencë ushqimore, mungesë energjie elektrike etj.
– Vazhdojnë të jenë të bllokuara dhe nuk po bëhet asnjë përpjekje për të ndërhyrë për lidhjen e qendrave të komunave me qendrën e rrethit.
– Gjendja në qytetin e Bajram Currit e vështirë. Nuk ka asnjë ndërhyrje për pastrimin e rrugëve, në të cilat qarkullohet me vështirësi nga njerëzit dhe mjetet.
– Këshilltarët e majtë në bashkinë Bajram Curri iniciuan vënien në lëvizje të një fondi 2 milion lekë nga fondi i emergjencës për familjet në nevojë të qytetit dhe akoma nuk janë shpërndarë.
– Kanë ardhur 300 pako ndihmë prej 3 ditësh dhe ende nuk janë shpërndarë nga institucionet përkatëse të rrethit.
– Në komunën Margegaj në fshatin Klysyrë ka rënë ortek dhe ka shembur një shtëpi. Dëme në njerëz nuk ka. Janë vrarë nga orteku 70 krerë bagëti.
– Në fshatin Dragobi 3 familje janë larguar nga shtëpia nga frika e ortekut e janë strehuar tek fqinjët. Po kështu edhe në fshatin Valbonë është shpërngulur nga frika e ortekut një familje.
– Në fshatin Cërnicë të komunës Llugaj 70 banorë janë pa ujë nga mungesa e energjisë elektrike dhe ngrirja e tubave të ujësjellësit.
– Në komunën Lekbibaj në fshatin më të largët të saj Bricë ka humbur kontakti me 9 familje, në fshatin Salc me rreth 20 familje, në Curraj i Epërm ka humbur kontakti me 3 familje.
Pukë:
Situata vazhdon të jetë shumë e rënduar si në qytetin e Pukës dhe në komunat e rrethit, si në drejtim të komunikimit, të lidhjeve, të furnizimit me ushqime, të emergjencave shëndetësore etj.
-Dje u bë e mundur hapja e aksit rrugor Pukë- Shkodër. Vazhdon puna për hapjen e aksit Pukë-Fushë Arrëz. Rrugët që lidhin qendrat e komunave me qendrën e rrethit të bllokuara plotësisht.
– Dje ka patur disa fluturime nga ajri për furnizim me ushqime për disa komuna të rrethit.
– Komunat Iballë, Fierzë, Blerim janë tërësisht të bllokuara. Mungon energjia elektrike.
– Dje ka patur një rast vdekje në fshatin Neçe. Megjithë alarmin e dhënë për rastin e të sëmurit prej 3 ditësh vetëm dje është bërë i mundur transporti i tij në spitalin e Pukës me anë të ajrit, por pa rezultat. I biri i viktimës është mjek në spitalin e Pukës.
Dibër: Pas kontakteve që kemi si me të zgjedhurit tanë në pushtetin vendor ashtu edhe me Kryetarët e partive në të 15 njësitë vendore që ka Rrethi i Dibrës, situata e orëve të fundit paraqitet si më poshtë:
o Që pasditen e djeshme kanë ndaluar reshjet e vazhdueshme të dëborës në të gjithë zonën, por ka një rënie të temperaturave dhe e gjithë zona është përfshirë nga akulli dhe ngrica e jashtëzakonshme. Trashësia e dëborës varion nga 1.5 m deri në 2.5 në zona të caktuara .
o Situata në Dibër deri në këto momente paraqitet si më poshtë:
1. Gjendja e rrugëve:
a. Rruga nacionale Peshkopi-Tiranë në aksin Peshkopi –Qafa e Buallit kalohet me zinxhirë ndërsa deri në Burrel gjendja e rrugës vjen dhe përmirësohet, por gjithsesi është një kalimshe dhe paraqet vështirësi kalimi.
b. Aktualisht 140 fshatra që përbëjnë 14 Komunat e Dibrës nuk lidhen fare me qendrat e tyre të Komunave. Rruga nacionale Peshkopi –Kukës nga krahu Peshkopi-Muhurr-Arras-Zall-Dradhë – Rec është e kalueshme me shumë vështirësi dhe me zinxhirë deri tek Ura e Muhurit, kështu që Komunat Arras, Zall-Dardhë, Zall-Rec dhe Lurë janë tërësisht të bllokuara.
Ndërsa nga krahu Peshkopi-Kastriot-Sllovë-Kala e Dodës, aksi rrugor Peshkopi-Kukës është i kalueshëm me zinxhirë deri afër fshatit Shumbat të Komunës Sllovë dhe kësisoj komunat Sllovë dhe Kala e Dodës mbeten të bllokuara nga bora.
2. Sa i takon situatës shëndetësore dhe ushqimore në këto zona:
a. Fatmirësisht deri tani nuk ka jetë njerëzish të humbura por kjo falë solidaritetit të jashtëzakonshëm të banorëve të zonës që për 5-10 orë në këmbë dhe me barela kanë arritur të sjellin në spital tre gra shtatzëna dhe një fëmijë të sëmurë nga Komunat Sllovë, Kastriot, Luzni dhe një rast sot në Kala të Dodës, ku një nënë e re që do të lindë për herë të parë u transportua me helikopter për në Tiranë, por ulja e helikopterit u bë e mundur vetëm për meritë të banorëve të zonës.
Ka mungesa ilaçesh për të sëmurët sidomos mosha e tretë. Vihet re shtimi i virozave tek fëmijët dhe ka shumë raste fëmijësh me temperaturë. Shërbimi mjekësor nëpër Komuna nuk funksionon absolutisht dhe nuk kanë asnjë lloj medikamenti deri edhe paracetamol.
Rreziku më i madh për gati 85 % të banorëve të këtyre zonave që jetojnë vetëm me ndihmë ekonomike është mungesa e ushqimeve bazë dhe për këtë nuk është e tepërt të thuhet se gjendja është katastrofike pasi dimri i ka kapur të papërgatitur. Rrugët tokësore për furnizime janë të bllokuara, ndaj duhet urgjent ndihmë ushqimore, por deri tani nga qeveria dhe pushteti lokal nuk ka asnjë shenjë pozitive.
Kritike paraqitet gjendja në tre fshatra të Komunës Luzni si Lishan i Poshtëm, Lishan i Epërm dhe Arap i Epërm ku dhjetëra familje sipas konfirmimit të Kryetarit të Komunës janë gati pa bukë pasi rezervat nuk u mjaftojnë as për dy-tre ditë.
Po ashtu disa fshatra në Kala të Dodës, në Zall-Reç, Zall-Dardhë, Sllovë dhe Fushë-Alije, por edhe në tre fshatra të Komunës Arras, Kryetarët e Komunave kërkojnë ndërhyrje urgjente me ndihma ushqimore pasi banorët janë në rrezik urie.
Me Komunën e Lurës ka filluar të vështirësohet edhe komunikimi me telefon, por sipas Kryetarit të PS atje, kjo Komunë është e bllokuar tërësisht jo vetëm me Peshkopinë por edhe aksi nga Rrësheni nuk funksionon prej ditësh. Gjendja këtu paraqet rrezik për të sëmurët por disa familje në fshatrat Gurë-Lurë, Armollë, Sumaj dhe Pregj –Lurë kanë probleme ushqimore dhe e vetmja ndërhyrje janë ndihmat nga ajri.
Komunat që rrethojnë qytetin e Peshkopisë kanë më pak probleme, lidhen me qytetin vetëm me rrugë këmbësore. Problem mbetet furnizimi me energji elektrike dhe me ujë të pijshëm për shkak të ngrirjes së tubacioneve të ujit.
Qyteti i Peshkopisë është në emergjencë për këto probleme:
– Ka mungesë të ujit të pijshëm për shkak të ngrirjes së tubacioneve të ujit;
– Ka mungesë të vazhdueshme energjie elektrike;
– Problem mbetet ngrohja me dru zjarri pasi fushat e druve të privatëve për tre ditë janë boshatisur;
– E vështirë paraqitet gjendja në konviktin e shkollës së mesme ku qindra nxënës konviktore të ardhur nga Komunat janë izoluar nga familjet e tyre për shkak të bllokimit të rrugëve dhe aty problem mbetet ngrohja.
3. Sa i takon situatës së shtëpive,bagëtive, energjisë dhe komunikimi.
Nuk raportohen shtëpi të shembura nga bora me përjashtim të shtëpive të braktisura nëpër fshatra ku çatitë e tyre pothuajse janë rrënuar nga trashësia e dëborës.
Por ajo që paraqet rrezik dhe që është problematike në të gjitha komunat është shterimi i bazës ushqimore për bagëtitë. Në zonat e thella ku baza ushqimore është problem edhe në situatë të zakonshme moti fshatarët kanë filluar të reduktojnë numrin e bagëtive dhe kjo situatë është më e dukshme në Komunat Lurë, Zall-Reç dhe Kala të Dodës.
Energjia elektrike është me ndërprerje të gjata në të gjithë Rrethin e Dibrës, madje ka fshatra që nuk kanë drita që prej 10 ditësh siç është rasti i fshatit Lugje në Komunën Zall-Dardhë apo fshatra në Komunën Luzni. Probleme kanë filluar të shfaqen edhe me kompanitë celulare, gjë e cila përbën problem pasi komunikimi në raste urgjencë bëhet vetëm me celular.
4. Sa i takon ndihmave nga shteti.
Megjithëse është Qarku më i prekur, deri tani nga qeveria dhe shtabi i emergjencës i ngritur pranë Prefekturës Dibër nuk është dhënë asnjë lloj ndihme ushqimore dhe shëndetësore. Evidentojnë gjendjen vetëm me telefon, marrin nga Komunat numrin e familjeve në nevojë, por deri tani janë vetëm në letër, hapa konkrete nuk ka. Pushteti në Dibër është totalisht i paralizuar dhe i vetmi institucion që mundohet me sa mundet tu vijë në ndihmë banorëve në nevojë është Drejtoria e Policisë së Qarkut Dibër.
Mirditë: Nga informacionet e mbledhura komunikimi me Kryetarët e Partisë të njësive vendore dhe të OS gjendja në rrethin Mirditë rezulton shumë e rënduar pavarësisht informacioneve të dhëna nga përfaqësuesit e pushtetit duke justifikuar gjendjen thjesht me mbajtjen të hapur të Autostradës.
Gjendja rezulton si më poshtë:
1. Komuna Selitë. Rruga deri në qendër të Komunës është e bllokuar,po punohet me një fadrom për hapjen e saj nga Perlati Epër fshat i Komunës Kthellë, deri në Kurbënesh ku është edhe qendra e komunës. Për këtë arsye edhe 8 fshatrat e kësaj komune janë të izoluara dhe në vështirësi për furnizimin me ushqime. Ka patur raste të njerëzve që kanë nevojë për shërbim shëndetësor. Furnizimi me energji është i pandërprerë përjashtuar defekte të veçanta.
2. Komuna Kthellë. Është e hapur rruga deri në Qendër të Komunës.Nga 9 fshatra janë të izoluar katër fshatra (Ujë, Shtrez,Trojë dhe Shebë dhe pjesërisht fshati Rrushkull).
3. Komuna Fan. Është e kalueshme me zinxhir dhe ndërprerje autostrada sidomos nga Repsi e lart, Nga 17 fshatra janë të bllokuar plotësisht fshatrat Domgjon, Munell Hebe, Sang Domgjon, Dardhaz,Xhuxhë, Petoq,Shëngjin,Fan,Katundi Ri dhe Konaj,pra 12 fshatra.
Janë në vështirësi për furnizim 6 familje në fshatin Dardhaz, 5 familje në fshatin Xhuxhë,por ka edhe familje të tjera të varfra nga fshatrat e tjera të cilat nuk kanë patur mundësi financiare për të siguruar rezerva ushqimore.
4. Komuna Orosh. Është e hapur rruga deri në qendër të Komunës (Rreps).Nga 15 fshatra janë të bllokuar 9 ( Peshqesh, Kullaxhi,Kodër Spaç,Gurth Spaç,Grykë Orosh, Bulshar, Nershen, Nënshejt dhe Lajthizë. Vështirësi të jashtëzakonshme ka në Lajthizë e Nënshejt ku lartësia e dëborës është mbi 2 m. Përgjithësisht ka furnizim me energji elektrike.
5.Komuna Kaçinar. Është plotësisht e izoluar pas reshjeve të fundit për shkak të mungesës së fondeve. Janë shtatë fshatra të blokuar dhe në vështirësi të jashtëzakonshme deri në pamundësi edhe për të varrosur një të vdekur në fshatin Simon. Nga Kryetari i Komunës po bëhen të gjitha përpjekjet për zhbllokimin e situatës por kuptohet se pengesat janë më të mëdha dhe ndihma nga pushteti qendror është zero.
6. Bashkia Rubik. Si rezultat i punës së bërë nga Kryetari i Bashkisë,janë të zhbllokuara të gjitha rrugët e 10 fshatrave përjashtuar fshatit (Livadhëz) që nuk ka rrugë automobilistike ku banojnë 5-6 familje të cilat kanë nevojë për ndihma.
7.Bashkia Rrëshen. Gjendja në këtë njësi është më e mirë megjithatë edhe këtu edhe pse është qendër rrethi janë 2-3 fshatra ku nuk janë hapur rrugët. Edhe këtu problemet po ndiqen nga kryetari i Bashkisë dhe administrata e saj.
Kjo është në përgjithësi gjendja në rrethin e Mirditës ku problemet janë shumë të mëdha sepse në shumë fshatra sidomos në zonat e thella të Selitës, Oroshit,Fanit dhe Kaçinarit lartësia e dëborës i kalon 2 m. Është për të ardhur keq se pushteti aktual e konsideron Mirditën si zonë që banohet vetëm anës Rrugës së Kombit dhe duke e konsideruar të zhbllokuar të gjithë rrethin.
Gjirokastër:
Në gjithë rrethin ka pasur gjatë pothuaj një muaji ndërprerje të herëpashershme të energjisë elektrike. Për problematikat është vënë në dijeni qeveria dhe segmente të saj. Nuk është ofruar asnjë ndihmë deri tani.
Komuna Picar: Dëbora ka mbuluar 5 fshatra të komunës,por qarkullimi është bërë i mundur çdo ditë. Rrugët janë zhbllokuar nga komuna dhe këshilli i qarkut. Nuk ka probleme, sepse banorët kanë marrë masa me kohë për rezerva e zahire për kafshët.
Komuna Zagorie: Fshatrat janë të mbuluar nga dëbora, por komuna dhe Këshilli i qarkut kanë zhbllokuar rrugët lidhëse dhe vazhdon qarkullimi.
Fshati Doshicë ka 10 ditë pa energji elektrike. Nuk janë marrë masa për zgjidhjen e problemit.
Komuna Pogon: Fshatrat janë në dëborë. Rrugët të hapura nga komuna e Këshilli i Qarkut. Ka pasur mungesë disaorëshe të energjisë elektrike në mënyrë të vazhdueshme.
Komuna Odrie: Nuk ka probleme. Masa paraprake nga banorët për rezerva ushqimore dhe zahire për bagëtinë.
Komuna Dropull i Sipërm: Pesë fshatra janë nën dëborë. Në rrugët lidhëse qarkullohet.Komuna dhe Këshilli i Qarkut kanë bërë zhbllokimin e tyre. Cdo ditë ka ndërprerje energjie disaorëshe.
Tepelenë:
Komuna Kurvelesh: Vazhdon të jetë e bllokuar nga dëbora. Edhe gjatë ditës së sotme vazhdon të bjerë dëborë. Situata pritet të vështirësohet. Po mbarojnë rezervat ushqimore si për familjet edhe për blegtorinë. Nuk është dërguar asnjë ndihmë.
Komuna Buz: Është e njëjta situatë si në Kurvelesh. Situata rrezikon të përkeqësohet. Vazhdon të bjerë dëborë. Po mbarojnë rezervat ushqimore për njerëzit dhe blegtorinë.
Komuna Lopës: Dje është zgjidhur problemi i furnizimit me energji elektrike.
Përmet:
Komuna Frashër: Dje është bërë përpjekje për zhbllokimin e rrugës që lidh qendrën e komunës, por nuk ia kanë arritur as për gjysmë të rrugës. Sot vazhdon të bjerë dëborë, kështu që situata po përkeqësohet. Fshatrat janë të bllokuar. Nuk mund të qarkullohet.
Dje një fermer ka kërkuar ndihmë, sepse i mbaroi baza ushqimore për 25 lopë. I rrezikohen t’i ngordhin për ushqim. Është komunikuar me Prefekturën dhe Këshillin e qarkut, por nuk kanë asnjë mundësi për të ndihmuar, për t’i çuar bazë ushqimore.
Komuna Deshnicë: Pesë fshatra vazhdojnë të jenë të bllokuara. Bora vazhdon të bjerë, kështu që situata po përkeqësohet. Nuk është çuar asnjë ndihmë.
Zona e Malëshovës është gjithashtu e bllokuar. Probleme paraqiten sidomos me bazën ushqimore të blegtorisë e cila po mbaron.
Shkodër:
11 fshatra të Shalës dhe Dukagjinit tërësisht të izoluara. Prej 2 ditësh pa energji elektrike. Në 4 fshatra të Dukagjinit ka mungesë të rezervave ushqimore. Është vështirësuar komunikimi dhe lidhja me këto fshatra.
Malësi e Madhe: Gjendja vazhdon të jetë e rënduar në komunën e Kelmendit dhe sidomos në zonën e Vermoshit. Janë zona tërësisht të izoluara. Trashësia e borës arrin deri në 3 metra.
Mat: Informacioni nga kryetarja e bashkisë Burrel dhe kryetari i partisë rrethit na i ofrojnë:
– Rrugët që lidhin qendrat e komunave me Burrelin janë të kalueshme me zinxhirë.
– Të izoluara prej dy javësh janë fshatrat: Lami i madh, Zall Gjocaj, Vinjoll, Selixe, Ketë, Xiberhane.
– Deri tani nuk ka patur asnjë ndihmë ushqimore. Ka probleme me ngrohjen në shkollat e rrethit.
– Fatmirësisht deri tani nuk ka patur raste të emergjencave shëndetësore.
Skrapar
Komuna Gjerbës:
– Situata vazhdon të rëndohet. Rrugët që lidhin fshatrat me qendrën e komunës janë plotësisht të bllokuara. Rruga që lidh qendrën e komunës me rrugën nacionale për në Çorovodë është e bllokuar.
– Rezervat ushqimore si për familjarët edhe për blegtorinë janë drejt përfundimit. Duhet urgjentisht ndihmë.
– Ka mungesa të medikamenteve mjekësore.
Komuna Leshnjë: Sipas informacionit të marrë nga kryetar i PS së rrethit.
– Rezervat ushqimore janë drejt përfundimit.
– Rrugët janë të bllokuara.
– Nuk është dërguar asnjë lloj ndihmë nga strukturat vendore apo qëndrore të shtetit.
Komuna Potom: Është hapur rruga që lidh qendrën e komunës me rrugën nacionale ditën e djeshme.
Qarku KORÇË
I. Rrethi KORÇË:
Vazhdojnë të jenë të bllokuara komunat komuna e Lekasit (nuk kemi komunikim), Vithkuqit, Moglicës (nuk kemi komunikim), Gorës, Voskopojës (nuk kemi komunikim) dhe Liqenasit (nuk kemi komunikim).
Informacion nga kryetari i PS të rrethit:
1. Komuna e Lekasit, vazhdon totalisht e bllokuar e gjithë zona gjithsej 7 fshatra që prej 3 javësh.
– Deri më sot nuk ka shkuar asnjë ndihmë në ushqime dhe ilaçe.
– Rruga është e hapur deri në qendër të Voskopojës dhe prej andej e gjithë zona është e bllokuar
– Gjithashtu vazhdon të ketë mungesa në energji elektrike prej 6 ditësh.
2. Në Komunën Vithkuq 2 fshatra Panariti dhe Shtylla janë të izoluar totalisht prej 2 muajsh, nuk kanë asnjë lloj komunikimi, janë rreth 50 familje në Panarit dhe 30 familje në Shtyllë me të cilët nuk është kontaktuar gjatë kësaj periudhe dy mujore.
– Nuk ka rrugë të hapura, mungon energjia elektrike, asnjë ndihmë ushqimore nuk është dërguar dhe për më keq nuk ka mundësi komunikimi pasi janë dëmtuar dhe antenat e sinjaleve telefonike.
– Komuna nuk ka asnjë mundësi për ta përballuar këtë situatë.
– Po kështu dhe nga qeveria nuk kanë ardhur lloj ndihmë dhe është dërguar asnjë fond shtesë për të marrë mjete për hapjen e rrugëve.
3. Në komunën Gorë, vazhdon vetëm qendra e komunës të jetë e hapur dhe ka mundësi komunikimi. Sot kryetari i PS është nisur me iniciativë me grup njerëzish në drejtim të fshatrave Marjan dhe Mjaltas. Do komunikojmë kur të mbërrijë atje.
– Ndërsa 16 fshatra të tjerë janë të bllokuar totalisht dhe pa energji elektrike.
– Më e rëndë situata vazhdon të jetë në fshatrat Babien, Marjan, Mjaltas, Dolanec të cilët kanë mbi 16 ditë të izoluar dhe pa energji elektrike.
II. DEVOLL:
Vazhdon që situata paraqitet tepër e vështirë në komunat Miras, Hocisht, Progër dhe Qendër Bilisht.
– Rrugët janë të bllokuara totalisht dhe ka mungesë të energjisë elektrike prej 7 ditësh.
– Gjithashtu nuk është dërguar asnjë ndihmë në ushqime dhe ilace.
– Është nisur në drejtim të kësaj zone deputeti Arben Ahmetaj.
III. POGRADEC:
Situata është më e rëndë në komunat Dardhas dhe Velçan.
Informacion nga kryetari i Komunës :
1. Komuna Dardhas, vazhdojnë situatë e njëjtë, 7 fshatra janë të bllokuara totalisht prej 10 ditësh. Këto fshatra vazhdojnë të jenë po kaq ditë dhe pa energji elektrike.
– Nga dje, kryetari i komunës me fondet e veta, ka filluar punën për hapjen e rrugëve kryesore për të depërtuar në këto fshatra dhe besoj deri në sot drekë të arrijë në pjesën më të madhe të tyre.
– Është premtuar që sot do t’u çelen fonde për pagesë karburanti dhe të mjeteve që punojnë për hapjen e rrugëve.
Informacion nga kryetari i PS :
2. Komuna Velcan, vazhdojnë të jenë të bllokuar totalisht që prej 5 ditësh fshatrat Bishnicë, Joll Shpellë, Senishtë, Laktesh dhe Buzaishtë. Veç kësaj mungon dhe energjia elektrike.
– Asnjë ndihmë ushqimore nuk ka shkuar në këtë zonë gjatë këtyre ditëve.
– Gjithashtu nuk ka asnjë mbështetje financiare për të mundësuar hapjen e rrugëve.
IV. KOLONJË:
Situata është e rënduar në të gjitha komunat e këtij rrethi, kryesisht Novoselë, Mollas, Çlirim dhe Qendër Leskovik.
Informacion nga kryetari i Komunës :
1. Komuna Novoselë, kjo zonë vazhdon të jetë pa energji elektrike prej 4 ditësh.
– Deri më sot dhe në këtë komunë nuk është akorduar asnjë fond për të përballuar këtë situatë.
– Vazhdojnë të jenë në izolim total 5 fshatra nga të cilat 26 familje janë në situatë kritike në fshatrat Zharkaj, Gadushë, Shian, Mbushton dhe Dermar.
Informacion nga kryetari i PS :
2. Komuna Qendër Leskovik, 7 fshatra si Peshtan, Postenan, Gjerakar, Larshovë, Podë, Radanj dhe Gërmenj vazhdojnë të jenë të bllokuar totalisht.
Prej 6 ditësh në këto zona ka mungesa të energjisë elektrike.
Nuk është dërguar asnjë ndihmë në ushqime dhe në fonde për të përballuar këtë situatë.
Informacion nga kryetari i PS :
3. Komuna Mollas, 3 fshatra vazhdojnë të jenë të izoluara totalisht Pepollai, Milec dhe Butkë dhe nuk ka asnjë përpjekje për të hapur rrugët apo dhe për të dërguar ndihma ushqimore.
Vazhdon prej 3 ditësh të mungojë enrgjia elektrike në 4 fshatra, si dhe nuk ka asnjë ndihmë ushqimore për familjet e izoluara.
Informacion ora 09.00 datë 15 shkurt 2012
Qarku ELBASAN
I. Rr. Librazhd
Situata paraqitet më e rënduar në Komunat Stëblevë, Stravaj, Lunik dhe Qendër Librazhd.
Informacion nga kryetari i Komunës :
1. Komuna Stëblevë, fshatrat janë të bllokuara totalisht Stëblevë, Borovë, Sebishtë, Muglicë, Radan dhe Zabrun.
– Nuk është akorduar asnjë fond financiar për përballimin e kësaj situate për hapjen e rrugëve.
– Dje është dërguar një kamion me ndihma ushqimore por që është i pamjaftueshëm për të përballuar kërkesat e shumta që kanë banorët.
– Prej 4 ditë mungon energjia elektrike.
Informacion nga kryetari i Komunës :
2. Komuna Lunik, 3 fshatra vazhdojnë të jenë të izoluara totalisht si Kosenjë, Drenovicë, Kosharishtë.
– 15 familje janë në varfëri ekstreme, pasi janë familje me gra kryefamiljare, janë familje me shumë fëmijë, apo nuk kanë asnjë lloj ndihme financiare.
– Në fshatin Drenovicë 120 familje janë të izoluar tashmë totalisht dhe pa asnjë ndihmë (4 prej tyre janë në varfëri ekstreme). Trashësia e dëborës mbi 1.40 m në të gjithë zonën. Prej 7 ditësh janë pa energji elektrike.
II – Rr. Gramsh
Informacion nga kryetari i Komunës :
1. Komuna Lënie, fshati Grabovë e Sipërme është e bllokuar prej 10 ditësh dhe pa energji elektrike. Asnjë fond nuk është akorduar për përballimin e kësaj situate.
– Mungon baza ushqimore për blegtorinë.
– 5 familje janë në varfëri ekstreme.
Informacion nga kryetari i Komunës :
2. Komuna Kukur, fshatrat Kukur, Sojnik, Irmaf, Gribë me rreth 2 mijë banorë janë të bllokuar nga të gjitha rrugët që shkojnë në këto fshatra.
– Asnjë ndihmë ushqimore dhe me fonde nuk është dërguar në këtë komunë.
– Energjia elektrike mungon gjithë ditën dhe vjen vetëm në darkë vonë.
Informacion nga kryetari i Komunës :
3. Komuna Porocan, ka rënë borë e konsiderueshme, por rrugët deri në këto momente janë të hapura dhe mund të komunikohet.
– Problem është furnizimi me energji elektrike, pasi ka ndërprerje me orë të zgjatura.











