PS: Imami po pengon Kuvendin të kontrollojë Ministrinë e Mbrojtjes

Jul 3, 2012 | 12:57
Pirro Lutaj

Partia Socialiste e akuzoi dje ministrin e Mbrojtjes se ka injoruar Parlamentin e Shqipërisë duke e penguar të bëjë transparencën e institucionit që drejton. Deputeti socialist, Pirro Lutaj, anëtar i Komisionit Parlamentar të Sigurisë, tha dje se ministri i Mbrojtjes, përmes sekretarit të Përgjithshëm të kësaj ministrie, ka bllokuar grupin e punës së këtij komisioni që do të shqyrtojë të gjitha procedurat e punës së institucionit të Mbrojtjes. “Deputetët e PS, anëtarë të Komisionit për Sigurinë Kombëtare, qysh prej shkurtit të këtij viti kanë depozituar në Komision kërkesën për të ushtruar funksionet e veta kushtetuese për të mbikëqyrur veprimtarinë e Ministrisë së Mbrojtjes përkundrejt zbatueshmërisë së legjislacionit në fuqi. Ditën e premte, më datë 29 qershor, pas kontakteve me sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Mbrojtjes dhe kryetarin e Komisionit për Sigurinë Kombëtare, anëtarët socialistë të Komisionit u njoftuan se Ministria e Mbrojtjes nuk e pranon këtë komision që të ushtrojë funksionet e veta kushtetuese, pa dhënë asnjë arsye lidhur me këtë. Përfaqësuesit e Partisë Socialiste në Komisionin e Sigurisë e konsiderojnë këtë refuzim si një atentat që i bëhet Kushtetutës, si një shprehje e arrogancës së pushtetit, e mungesës së transparencës dhe llogaridhënies, si dhe e shpërfilljes që Ekzekutivi i bën pushtetit legjislativ në përmbushje të detyrimeve të veta kushtetuese”, u shpreh Lutaj. Ai ngriti disa pikëpyetje për të cilat pret përgjigje nga ministri i Mbrojtjes. “Çfarë kërkon të fshehë ministri i Mbrojtjes? Cilat janë motivet e vërteta të kësaj mungese flagrante të transparencës e llogaridhënies? Ndërkohë që opinioni publik përditë bombardohet me lajme alarmante mbi trafikimin e armëve, korrupsionin dhe politizimin e kësaj ministrie, e cila duhet të jetë përfaqësuese dhe simbol i unitetit kombëtar dhe jo strofull e militantëve të partisë në pushtet”, u shpreh deputeti socialist.

© Panorama.al

Te lidhura