PS hesht pas vendimit të Kolegjit, shpërthen festa në selinë e PD-së

Jun 4, 2011 | 10:08
Deputetët e PS dje në Kolegj

Festë në selinë blu dhe heshtje në atë rozë. Vetëm pak minuta pasi Kolegji Zgjedhor publikoi vendimin për rrëzimin e kërkesave të Partisë Socialiste dhe pushimin e çështjes, militantët demokratë dolën nëpër rrugë me makina dhe flamuj, ndërsa ata socialistë u vunë në pritje të kryetarit të tyre, Edi Rama. Ky i fundit ka qenë vetëm një orë gjatë ditës së djeshme në godinën e partisë, për të ikur që andej pa përfunduar mbledhja e Kolegjit. Ai është rikthyer në seli në mbrëmje, rreth orës 22:00, paralelisht me avokatët socialistë në Kolegj dhe deputetë të tjerë që ishin prezentë në mbledhje, si Damian Gjiknuri, Fatmir Xhafa, Vasilika Hysi etj., të cilët i çuan “live” lajmin e rrëzimit të ankesave. Deri pas mesnate ata kanë qëndruar brenda, pa dhënë asnjë lloj deklarate, ndërsa jashtë militantët prisnin reagimin e kryetarit. Dje kanë qenë orë të qeta për socialistët dhe demokratët në Kolegjin Zgjedhor. Nuk ka pasur shumë debate mes njëri-tjetrit, siç jemi mësuar zakonisht, por gjithsesi, plot veprime të pamenduara mbi veten. Dhe jo vetëm palët politike, por edhe gjyqtarët, këshilltarët, gazetarët e çfarë ishin aty brenda. Femrat rregullonin instinktivisht gjatë gjithë kohës flokët dhe rrobat, ndërsa meshkujt harkonin vetullat dhe shtrinin rrudhat e ballit. Lëvizje këto që duken normale në mendim të parë, por me një shikim të parë brenda ambienteve të Kolegjit, gjithkush do të mund ta kuptonte arsyen: Salla tejet e ngushtë, ku në rreth 50 metra katrorë, mbi 100 persona ndanin hapësirën për të ndjekur “live” mbledhjen. Ose më saktë, ishin ngjitur njëri me tjetrin, përveç gjyqtarëve të Kolegjit. Edhe pse funksiononin 5 kondicionerë, temperaturat ishin shumë të larta dhe të krijohej ankth, stres dhe veprime të pakontrolluara mbi veten, siç ishin ato që përmendëm më lart. Më në siklet duket se ishin avokatët socialistë Arian Salati dhe Eno Bushi, të cilët kishin mbi tavolinë shishe uji po aq sa edhe dosje me dokumente, 5 të tilla. Madje, edhe më tepër, pasi deputeti Damian Gjiknuri kishte edhe shishe të tjera poshtë këmbëve. Në të njëjtën situatë “përvëlimi” dukeshin edhe avokatët e PD-së, Oerd Bylykbashi dhe Ivi Kaso, por pak me më shumë fat, pasi kondicioneri frynte mbi ta. Në mes këtyre avokatëve meshkuj PS-PD, jo më pak në siklet ndodhej drejtoresha Juridike e KQZ-së, Dëshira Pasko. Orë pas ore gjithçka vijoi në qetësi, ashtu si edhe përfundoi. Pas dhënies së vendimit, asnjë shenjë entuziazmi nga demokratët, por asnjë shenjë agresiviteti as nga socialistët. Pa fjalë, secila palë braktisi sallën-sauna të Kolegjit dhe iu drejtuan kangjellave të oborrit. Sapo i kaluan ato, gjithçka kaloi në “normalitet”. Demokratët nisën festën për vendimin, ndërsa socialistët nisën të shajnë Kolegjin…

© Panorama.al

Te lidhura