
“Euro-Albanian Contacts” në ambientet e PE-së
Ekspozita “Euro-Albanian Contacts”, e organizuar nga Partia Socialiste, u hap dje pasdite në ambientet e Parlamentit Europian në Bruksel. Kuratorët e ekspozitës, Artan Shkreli dhe Artan Lame, u shprehën se kjo “është ekspozita e parë e këtij lloji që paraqet kartografinë e trojeve arbërore në shekuj”. Ekspozita paraqet rreth 50 harta të trojeve arbërore të një harku kohor prej 17 shekujsh. Pjesa më e madhe e këtyre hartave shfaqen për herë të parë në një ekspozitë dhe në javët e ardhshme do të ekspozohen edhe në Shqipëri. Gjithashtu, në këtë ekspozitë do të shfaqen edhe rreth 100 botime europiane që flasin për Shqipërinë, turizmin dhe kulturën shqiptare. Ekspozita Euro-Albanian Contacts është çelur fillimisht në Bruksel, me qëllim promovimin e imazhit të Shqipërisë në Europë në përvjetorin e 100-të të pavarësisë së Shqipërisë. Të mërkurën, zëvendëspresidenti i Parlamentit Europian, Miguel Angel Martinez, do të shpallë zyrtarisht të hapur ekspozitën në një ceremoni të posaçme ku do të marrë pjesë Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama dhe deputeti Taulant Balla. Rama pritet të zhvillojë takime dhe me europarlamentarë të njohur të së majtës socialdemokrate, për të ndarë me ta përpjekjet e PS për të përmbushur të gjitha detyrimet për marrjen e statusit të vendit kandidat deri në fund të këtij viti.
© Panorama.al











