Pas mospranimit të kërkesës nga KQZ-ja, socialistët do t’i drejtohen Kolegjit Zgjedhor.Përfaqësuesi i PS në KQZ, Genc Gjonçaj, tha dje se kërkesa do të depozitohet në Gjykatën Zgjedhore sapo të jetë njohur me arsyetimin dhe vendimin e KQZ-së. “Duhet të marrim të zbardhur arsyetimin dhe vendimin e Ristanit, dhe më pas do t’i drejtohemi Kolegjit Zgjedhor”, u shpreh Gjonçaj. Pritet që deri të enjten socialistët të kenë depozituar në Kolegjin Zgjedhor kërkesën e fundit të tyre për procesin zgjedhor të Tiranës, e cila do të përcaktojë përfundimisht kreun e Bashkisë së Tiranës.
Nuk pritet të ketë ndonjë modifikim të kërkesës së paraqitur në KQZ nga ana e Partisë socialiste, ku në themel të saj është pavlefshmëria që rrjedh nga parregullsia dhe mosrakordimi i shifrave në 284 qendra votimi.
Kërkesa
Partia Socialiste në kërkesën e saj vëren se në 284 qendra votimi janë gjetur shkelje të shumta, që nga mosrakordimi i numrave deri te mungesa e kodit të pestë, apo zhdukja e zarfit me fletët e votimit të pavlefshme. Duke iu referuar Kodit Zgjedhor, nëse KQZ-ja apo Kolegji shpallin pavlefshmëri qoftë edhe në një qendër votimi, e gjithë Tirana kalon në rivotim për shkak të ndikimit në rezultat që ka ajo qendër. “Diferencat midis numrit të votuesve dhe numrit të fletëve të votimit të gjetura në kutitë e votimit për kryetarin e Bashkisë së Tiranës nuk përmbajnë diferenca midis tabelës përmbledhëse të rezultatit dhe tabelave origjinale të qendrave të votimit, që është argumentuar se është gabim ‘njerëzor’. Jemi para një mospërputhjeje të rezultatit zgjedhor me pasojë të dukshme deformimin e tij, gjë që përbën shkelje të ligjit me ndikim në ndarjen e mandateve. Për këtë shkak, janë të gjitha arsyet ligjore që zgjedhjet për kryetar të Bashkisë së Tiranës të shpallen të pavlefshme”, thuhet në faqen e katërt të kërkesës ankimore. Sipas socialistëve, nga tabela përfundimtare e miratuar nga KQZ-ja rezulton se janë 870 vota më shumë se numri i zgjedhësve që kanë votuar më 8 maj. “Sipas Vendimit Nr. 67, datë 13.06.2011 të Kolegjit Zgjedhor pranë Gjykatës së Apelit Tiranë, KQZ-ja kishte detyrimin të përputhte tabelat e rezultateve duke përputhur numrin e zgjedhësve me fletët e votimit në mënyrë që të realizonte parimin kushtetues dhe ligjor ‘një zgjedhës, një votë’. Këtë detyrë të Kolegjit, KQZ-ja nuk arriti ta realizonte për shkak të shkeljeve të shumta ligjore”. Në kërkesën ankimore renditen një sërë parregullsish të evidentuara gjatë hapjes së kutive në KQZ. Kështu, sipas PS-së, përveç kutive që i mungonte kodi i pestë, kishte kuti të dëmtuara, kuti ku mund të ndërhyhej duke futur ose nxjerrë zarfe apo fletë votim, kuti ku mungonin zarfet me votat e pavlefshme apo edhe kuti që kishin fletë votimi që nuk i përkisnin asaj qendre. Një tjetër pretendim i socialistëve është fakti se në disa qendra votimi ka më pak vota se numri i votuesve që kanë marrë pjesë në zgjedhje. “Ka rezultuar e provuar se në shumë QV mungojnë fletë votimi, ndërkohë që sipas listës së zgjedhësve, ka më shumë zgjedhës që kanë votuar. Mangësi kjo përsëri e pashpjegueshme logjikisht dhe as si gabim njerëzor në aspektin material të shifrave të pasqyruara, pasi në shqyrtimin administrativ të realizuar nga KQZ-ja, këto të meta nuk rezultuan të ishin gabime në llogaritje, por mangësi në vetë materialin zgjedhor”.
Vendimi
Vendimi i KQZ vendos që të mos shqyrtohet kërkesat e Partisë Socialiste në KQZ, duke mos e marrë atë fare parasysh. Në këtë mënyrë, kërkesa e
PS-së do të mund të shqyrtohet vetëm nga Kolegji Zgjedhor, i cili do të vendosë përfundimisht për garën në Tiranë. “KQZ vendosi mospranimin për shqyrtim të kërkesës ankimore nr. 164 të Partisë Socialiste të Shqipërisë. Ky
vendim hyn në fuqi menjëherë”, thuhet në vendimin e KQZ.
Pretendimet e PS
Partia Socialiste paraqet dy pika brenda kërkesës së saj, për të cilat pretendon se procesi i zgjedhjeve në Tiranë është jolegjitim. Sipas PS, procesi i hapjes së kutive në KQZ u shoqërua me mangësi të shumta, që sipas saj, prekën integritetin e procesit. Së dyti PS ka si kërkesë për shpalljen e pavlefshmërisë së zgjedhjeve në 284 qendra votimi të zonës zgjedhore Bashkia Tiranë.
Rrëzimi nga KQZ
Sipas vendimi të KQZ-së, kërkimi i parë i objektit të kërkesës ankimore të PS-së u rrëzua për shkak se nuk plotësohet kushti për kompetencën i përcaktuar në shkronjën “a” të nenit 130 të Kodit Zgjedhor. Lidhur me kërkimin e dytë të objektit të kërkesës ankimore, kërkimin për pavlefshmërinë, verifikimi i elementeve të përcaktuara në nenin 130 të Kodit, sipas KQZ-së, çon drejt përgjigjes pozitive për kushtin për legjitimimin dhe për kompetencën.
Votat
Partisë Socialiste vëren se votat e hedhura në kutinë e gabuar, ku u konstatuan një sërë parregullsish, nuk mund të bëhen pjesë e rezultatit përfundimtar. “Qartësisht është konstatuar se procesi i realizuar nga KQZ-ja pas urdhërimit të bërë me Vendimin Nr. 67, datë 13.06.2011 të Kolegjit Zgjedhor, ka nxjerrë në pah shkelje dhe fakte të reja që kanë lidhje me integritetin e kutive të votimit dhe fletëve të votimit të gjetura në to, gjë që nuk mund të pranohet dhe as të bëhet pjesë e rezultatit të zgjedhjeve për kryetar të Bashkisë Tiranë”, thuhet në kërkesën ankimore.
Ndërhyrja
Partia Socialiste thekson se është evidentuar qartazi mundësia e ndërhyrjes nga jashtë në një sërë kutish votimi për shkak të hapësirave joligjore të evidentuara në to, në të cilat mund të futeshin dhe nxirreshin lirisht për këtë shkak fletë apo zarfe me fletë të pavlefshme, të cilat ishin brenda ose jashtë këtyre kutive të konsideruara “të sigurta” nga ana e KQZ-së. Ky fakt u provua publikisht në seancë publike, kur u mundësua kryerja e një veprimi të tillë për të demonstruar abuzimin e pretenduar nga vëzhguesit e opozitës në procesin e vlerësimit të votave.
Shifrat
Një nga argumentet e PS-së është mosrakordimi i shifrave përfundimtare në Tiranë, të cilat e shpallin Bashën fitues me 10 vota. Në total janë 870 vota më shumë se votues në tabela. Por, sipas KQZ-së, në Njësinë Bashkiake Nr. 5, një grup numërimi ka harruar të shënojë numrin total të zgjedhësve, që është 503. Pjesa tjetër prej 367 votuesish më tepër janë gabime njerëzore të ngjashme, për të cilat PS nuk ka pasur ankesa. Sipas KQZ-së, ky mosrakordim shifrash ka qenë që në datën 14 maj, kur kandidati i PS-së, Edi Rama, ishte 10 vota para. Në këtë mënyrë, KQZ pretendon se PS duhet të ketë fakte për manipulim.
Afatet
Kodi Zgjedhor ka përcaktuar afatet për kërkesat ankimore të partive politike në KQZ dhe në Kolegji. Kështu, pas shpalljes së një vendimi të KQZ-së, partitë politike kanë tri ditë afat për të bërë ankimim në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Më pas, KQZ, brenda 5 ditëve nga dita e paraqitjes së ankimimit, jep një vendim përkatës. KQZ organizon edhe një seancë me palët e interesuara në lidhje me kërkesën ankimore. Nëse pas vendimit të KQZ-së palët nuk janë të kënaqura, atëherë ato kanë të drejtë të bëjnë një ankim 5 ditë pas dhënies së vendimit të KQZ-së. Më pas, Kolegji Zgjedhor ka një afat prej 10 ditësh për të dhënë vendimin nga dita e paraqitjes së kërkesës ankimore.
Vendimi
Vendimi i KQZ vendos që të mos shqyrtohet kërkesat e Partisë Socialiste në KQZ, duke mos e marrë atë fare parasysh. Në këtë mënyrë, kërkesa e
PS-së do të mund të shqyrtohet vetëm nga Kolegji Zgjedhor, i cili do të vendosë përfundimisht për garën në Tiranë. “KQZ vendosi mospranimin për shqyrtim të kërkesës ankimore nr. 164 të Partisë Socialiste të Shqipërisë. Ky
vendim hyn në fuqi menjëherë”, thuhet në vendimin e KQZ.
Xhaçka: Procesi u manipulua, nuk e njohim vendimin e KQZ
Deputetja e PS-së, Olta Xhaçka, u shpreh dje se opozita nuk do të njohë rezultatin e zgjedhjeve për Bashkinë e Tiranës, duke e cilësuar si të manipuluar. “Ne nuk e njohim dhe kurrë nuk kemi për ta njohur këtë vendim, që nuk buron nga vullneti i zgjedhësve, por veç nga vullneti dhe skemat manipuluese të Sali Berishës. E pa i madh e i vogël sesa haptazi e në ç’ mënyrë primitive u cënua integriteti i kutive të votimit për të manipuluar votat në favor të Lulzim Bashës. Rezultati i shpallur nga KQZ me urdhër të Saliut është i pavlefshëm dhe i papranueshëm. Partia Socialiste do të ndjekë rrugën ligjore për të rrëzuar këtë vendim, e bindur në drejtësinë e kauzës së saj, përpara së cilës asnjë gjykatë e gjykatës, sado i trysnuar qoftë nga pushteti, nuk mund të mbyllë sytë. Pasojat do të ishin shumë të rënda”, tha Xhaçka.
Tabaku: Basha, më i votuari
Kryesuesja e listës së këshilltarëve të PD-së në Këshillin Bashkiak, Jorida Tabaku, reagoi dje pas deklaratave të deputetes së PS-së Olta Xhaçka. “Demokracia nuk është në rrezik kur numërohet çdo votë, demokracia vihet në rrezik, nëse nuk dëgjohet zëri i qytetarëve. Më shumë qytetarë votuan për kandidatin e Aleancës për Qytetarin që të jetë kryebashkiaku i ardhshëm i Tiranës, por më e rëndësishme se kjo është fakti se u dëgjua zëri i çdo qytetari. Cirku i z. Rama vazhdoi me akuzat e pabaza dhe me kërcënime ndaj institucioneve të pavarura. Përse z. Rama kërkon të mbysë zërin e qytetarëve? Përse z. Rama nuk pranon rezultatin e demokracisë?”, tha Tabaku.
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al











