PS e Tiranës zgjedh drejtuesit e rinj

Sep 16, 2012 | 10:57
Saimir Tahiri

Partia Socialiste e Tiranës ka përfunduar shumicën e zgjedhjeve të drejtuesve të saj në njësitë bashkiake. Nga njëmbëdhjetë minibashki, në tetë prej tyre kanë përfunduar zgjedhjet, ndërsa vetëm në katër prej tyre janë zgjedhur të njëjtët drejtues. Në tri njësitë e tjera, burime pranë PS-së së Tiranës konfirmuan se drejtuesit aktualë kanë dhënë dorëheqjen dhe në vend të tyre do të zhvillohet një garë me disa kandidatura në asambletë e njësive bashkiake 2, 3 dhe 11. Pritet që brenda kësaj jave ky proces të mbyllet edhe te njësitë që nuk e kanë përfunduar, për t’i hapur rrugë më pas zgjedhjes së forumeve të tjera drejtuese të PS-së së Tiranës. Zgjedhja e krerëve të PS të njësive bashkiake u bë përmes parimit “një anëtar, një votë” në asambletë socialiste të çdo minibashkie. Ka qenë kreu i PS-së së Tiranës, i cili ka kërkuar ripërtëritjen e drejtuesve socialistë në të njëmbëdhjetë minibashkitë e kryeqytetit për të krijuar një frymë të re dhe hapje të partisë. Ish-drejtuesit socialistë të njësive vendore të Tiranës, duke dhënë dorëheqjen, nuk rihynë në zgjedhje. Që pas zgjedhjes së Tahirit në krye të PS së Tiranës, me vendim të Kryesisë socialiste, në të gjitha organizatat nisi procesi zgjedhor, ku pas analizave u bë dhe zgjedhja e kryetarëve të rinj. U rinovuan dhe asambletë socialiste të njësive bashkiake, ndërsa më pas u kalua në propozimin e kandidatëve për kryetarë të asambleve socialiste. Procesi i zgjedhjeve në Tiranë ishte shtyrë për një kohë të gjatë për shkak të shumë përplasjeve që pati një vit më parë, kur për postin e kryetarit të PS në njësinë bashkiake ishin ofruar disa kandidatë e ku mungonte konsensusi për të pranuar një prej tyre.

Zgjedhjet në Tiranë
Njësia 1, Altin Gjino
Njësia 2, s’janë bërë
Njësia 3, s’janë bërë
Njësia 4, Arjan Sulaj
Njësia 5, Leta Kile
Njësia 6, Irfan Dashi
Njësia 7, Berton Hoxha
Njësia 8, Ervin Bushati
Njësia 9, Edison Dardha
Njësia 10, Erjon Osmanaj
Njësia 11, s’janë bërë

© Panorama.al

Te lidhura