
Përplasje mes deputetëve socialistë dhe ministrit të Brendshëm në Komisionin e Integrimit.
Nishani: Janë filmime të vjetra, s’ka kanabis të mbjellë.
Komisioni Parlamentar i Integrimit është përfshirë dje në debate gjatë raportimit të ministrit të Bren-dshëm, Bujar Nishani, lidhur me punën e bërë nga ky dikaster në plotësimin e 12 prioriteteve të BE-së. Ministri Nishani theksoi para deputetëve se lufta ndaj bimëve narkotike ka pësuar një ulje të ndjeshme në krahasim me një vit më parë. “Gjatë vitit 2011, në krahasim me vitin 2010 janë evidentuar 23% më shumë raste për shkelje të dispozitave për narkotiket, janë penalizuar 19% më shumë persona. Ndërsa gjatë 4-mujorit të parë të vitit 2012, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, janë evidentuar 28% më shumë raste, janë penalizuar 20% më shumë persona dhe janë arrestuar 17% më shumë”, theksoi ministri i Brendshëm. Nga ana tjetër, deputeti i PS-së, Taulant Balla, paraqiti disa pamje filmike të dy shtetasve holandezë, të cilët kanë filmuar parcelat me marijuanë në Lazarat. Balla e cilësoi Lazaratin si dështimin e madh të qeverisë. “Edhe ju, edhe Burgaj, edhe Kuliçaj keni deklaruar se nga Lazarati nuk ka më drogë. Ndërkohë që turistët e huaj shkojnë të filmojnë drogën pa fund. Nuk kemi ndonjë të arrestuar nga Lazarati, pavarësisht se shpesh edhe në komunikatat tuaja thuhet se kanabisi i sekuestruar ishte nisur nga Lazarati”, theksoi Balla. Por, për ministrin Nishani, socialistët në Komision po përgatisnin një shfaqje politike, duke theksuar se filmimet janë të vjetra, dhe jo aktuale. “Përsa i përket goditjes së kanabisit, ne ndahemi absolutisht për kulturën e sjelljes dhe shfaqja që bëri zoti Balla nuk është dhe nuk përkon me realitetin. Sot jemi në një fazë që nuk ka kanabis të mbjellë, por ato mund të jenë xhirime të vjetra”, theksoi Nishani. Ndërkohë që prania e deputetit Sajmir Tahiri si i ftuar në Komisionin e Integrimit i ka nxehur gjakrat midis deputetëve të pranishëm. Tahiri e ka akuzuar ministrin Nishani dhe zëvendësdrejtorin e Përgjithshëm Agron Kuliçaj, si të përfshirë në afera korruptive me kromin në Bulqizë. Por, këto deklarata kanë ngjallur reagimin e deputetëve të PD-së, të cilët kanë kërkuar që socialistët të mos spekulonin dhe provat t’i dërgojnë në organin e akuzës. Nënkryetarja e Komisionit, Mesila Doda, e akuzoi opozitën se po pengon integrimin e vendit duke goditur uniformat blu. Doda tha se të majtët po ngrenë mekanizmin e bllokimit të integrimit me zgjedhjen e Presidentit.
Debatet në Komision
Taulant Balla: E keni fituar, apo e keni humbur betejën me plantacionet e kanabisit në Lazarat? Edhe ju, edhe Burgaj, edhe Kuliçaj keni deklaruar nga Lazarati se aty nuk ka më drogë, ndërkohë që turistët e huaj shkojnë të filmojnë drogën pa fund. Nuk kemi ndonjë të arrestuar nga Lazarati, pavarësisht se shpesh edhe në komunikatat tuaja thuhet se kanabisi i sekuestruar ishte nisur nga Lazarati.
Bujar Nishani: Përsa i përket goditjes së kanabisit ne ndahemi absolutisht për kulturën e sjelljes dhe shfaqja që bëri zoti Balla nuk është dhe nuk përkon me realitetin. Sot jemi në një fazë që nuk ka kanabis të mbjellë, por ato mund të jenë xhirime të vjetra.
Taulant Balla: Janë xhirime të 2011-s.
Bujar Nishani: Dakord, por jemi në 2012-n. Ajo që me shqetëson është që herë pas here artikulime politike ndaj popullsisë së një komune të caktuar. Qytetarët shqiptarë, qofshin këta në Lazarat, në Malësinë e Shkodrës, kudo që ndodhen ata, duhen respektuar dhe jo të akuzohen. Policia e Shtetit do të vijojë me përkulshmërinë e saj për të goditur çdo individ që shkel ligjin dhe të drejtat e qytetarit kudo që ai ndodhet.
Sajmir Tahiri: Sinqerisht dyshoj fort në saktësinë dhe vërtetësinë e deklaratave tuaja. Dyshoj që ju këtu nuk arritët dot të mos i përmbaheshit demagogjisë politike, shpesh në tejkalim të të vërtetave që ne i njohim të gjithë bashkë. Në krahun tuaj, zoti ministër, ka njerëz të inkriminuar.
Mesila Doda: Jo, jo. Kështu nuk mund të vazhdojë mbledhja. Ruani rregullat e etikës! Nuk mund të bëni insinuata të tilla. Kjo nuk ka asnjë lidhje me çështjen e integrimit.
Taulant Balla: Ka lidhje me krimin e organizuar. Lëre të flasë.
Sherefedin Shehu: Shteti ligjor thotë: po pate prova, shko denoncoje në Prokurori. Mos trego pallavra dhe histori këtu në Komision.
Sajmir Tahiri: Disponoj një dokumentacion të Policisë së Shtetit që thekson se janë të implikuar një sërë punonjësish të policisë lokale në të gjitha aktivitetet e jashtëligjshme të shfrytëzimit të mineralit të kromit. Një milion euro është dënuar Komisariati i Bulqizës. Kush do t’i paguajë këto para gjobë?
Sherefedin Shehu: Keni rënë shumë poshtë. Pse kështu do të behësh prapë deputet ti?! (Saimir Tahirit)
Sajmir Tahiri: Zoti ministër, nuk do t’i bëja këto deklarata në qoftë se ju nuk do t’i kishit quajtur deklaratat e kolegëve të mi thashetheme policie dhe shou.
Arenca Trashani: Dukeni që jeni të shqetësuar ju, prandaj doni të riktheni skafet.
Bujar Nishani: Më vjen mirë që anëtarët e Komisionit nuk kanë asnjë vërejtje për punën që kemi bërë ne për arritjet në luftën ndaj krimit dhe korrupsionit. Kjo në një farë mënyre më bën të ndihem mirë. Çështja që ju paraqitët është një çështje e interesave të grupeve të caktuara të kromit dhe më vjen mirë që ju mbroni biznesmenë të caktuar nëpërmjet vendimeve të gjykatave. Çfarëdo dokumentesh që ju dispononi mund t’ia adresoni Prokurorisë.
Sajmir Tahiri: Po ç’thua mo?! Shefin e atij komisariati e ke akoma në detyrë.
Mesila Doda: Të lutem zoti Tahiri, mos ndërhyni. Kishit mundësinë që të flisnit, fole sa deshe.
Sajmir Tahiri: S’po flas më se ka dhe palma pastaj.
Mesila Doda: Mos bëj batuta kot se… Ne para dyditësh thamë që të zgjedhim Presidentin, dhe ju po ashtu e mbani pezull dhe thatë që: jo, duhet të bëjmë 5 reformat e tjera. Gjëra që nuk kanë asnjë lidhje me njëra-tjetrën. Juve zotërinj nuk ju intereson integrimi, por për ju ky është një proces bllokimi.
Sajmir Tahiri: Po çfarë po thua?! Po nuk është Bujar Nishani më kandidat për President? Bëji këto deklarata në mbledhje Grupi të PD-së.
Ministri i Brendshëm
Nishani: Janë kallëzuar 46 oficerë në Prokurori
Ministri i Brendshëm ka dorëzuar dje në Komisionin e Integrimit një raport të detajuar për luftën kundër korrupsionit. Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme, në 4-mujorin e parë të vitit 2012 janë evidentuar 21% raste më shumë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në raport thuhet se gjatë katërmujorit të parë të këtij viti janë dërguar në Prokurori rreth 38 çështje për procedim penal për 46 oficerë policie. “Përsa i përket veprimtarisë hetimore të strukturave të SHKB-së, e pasqyruar në numrin e kallëzimeve penale të dërguara pranë organit të Prokurorisë dhe të çështjeve hetimore të suksesshme, sidomos rastet e zbulimit, dokumentimit ligjor dhe goditjes së veprimtarisë korruptive të kryer nga punonjës të Policisë së Shtetit, rezulton se gjatë periudhës janar – maj 2012 janë dërguar 38 çështje penale për 46 oficerë policie, 18 punonjës niveli i parë drejtues, 24 niveli zbatues dhe 4 punonjës civilë. Arrestuar në flagrancë 5 punonjës policie dhe 2 shtetas. Veprimtaria hetimore e strukturave të SHKB-së me kompetenca investiguese është ndihmuar dhe ka arritur rezultate konkrete dhe nga një bashkëpunim i ngushtë me Njësitë e Përbashkëta Hetimore”, thuhet në raportin e Ministrisë së Brendshme.
FATION BINJAKU
© Panorama.al











