PS, drejt kërkesës për pavlefshmëri në Tiranë

Jun 23, 2011 | 11:40

Partia Socialiste është duke analizuar të gjithë procesin e administrimit të zgjedhjeve në Tiranë, duke vërejtur defektet e tij.Sekretari për Çështjet Ligjore në PS, Fatmir Xhafaj, tha dje se ekzistojnë shumë elemente për pavlefshmëri dhe parregullsi të procesit. “Ka një sërë elementesh që e bëjnë këtë proces të pavlefshëm në zona të veçanta dhe në tërësinë e tij. Ka një sërë parregullsish të dukshme në administrimin dhe realizimin e këtij procesi. Ne do të ndërtojmë procesin tonë ankimor duke mbajtur në konsideratë të gjitha këto elemente. Se çfarë do të vendosin instancat që Kodi Zgjedhor njeh, këtë nuk e dimë”, u shpreh Xhafaj.
Gjatë gjithë këtyre ditëve, Partia Socialiste ka akuzuar KQZ se ka ndryshuar rregullat e lojës në fund të procesit, ndërsa ka kërkuar rakordim të numrit të fletëve të votimit me numrin e votuesve për çdo qendër votimi. Kjo është dhe një nga kërkesat e vendimit të fundit të Kolegjit Zgjedhor, që kërkon “rinumërimin dhe rivlerësimin e të gjitha fletëve të hedhura në kutitë e gabuara dhe mbi bazën e tyre të bëjë zgjidhjen e mospërputhjes në tabelën përmbledhëse të rezultatit”. Në fund të këtij procesi, të cilin socialistët e njohin, pasi legjitimon, sipas tyre, Vendimin 709 të KQZ-së që bëri të mundur vlerësimin dhe numërimin e fletëve të hedhura gabim, socialistët do të shohin nëse do të ketë përputhshmëri të tabelës së rezultatit. Nëse do të ketë mosrakodrim të shifrave mes votave të hedhura dhe numrit të votuesve, atëherë pritet që Partia Socialiste të kërkojë pavlefshmëri të zgjedhjeve dhe përsëritje të tyre në Tiranë. Këtë ligjshmëri e shprehu pak ditë më parë, përmes një interviste te “Panorama”, dhe deputeti socialist Damian Gjiknuri. “Eksperienca e vendeve demokratike apo praktikat e mira zgjedhore botërore theksojnë se diferencat mes zgjedhësve që kanë votuar dhe votave të numëruara konsiderohen shkelje serioze dhe, nëse gara është e ngushtë, të çojnë në dy rrugë. E para, rinumërim total për të parë shkaqet e mospërputhjes dhe, nëse nuk gjenden këto shkaqe, në përsëritje zgjedhjesh. Kur një proces nuk vjen në përputhje me atë që parashikon ligji dhe kur këto shkelje të ligjit potencialisht ndikojnë mbi një garë të ngushtë, pavlefshmëria e zgjedhjeve mbetet opsioni i vetëm i korrigjimit dhe garuesit hyjnë në një garë të re”, u shpreh Gjiknuri.

Rasti i deputetit Beqja

Sekretari socialist për Çështjet Ligjore e cilëson qëndrimin e Gjykatës Kushtetuese me dy standarde. “Do të më duhet të lexoj arsyetimin e shumicës vendimmarrëse të Gjykatës Kushtetuese për të folur më konkretisht rreth aspektit kushtetues dhe ligjor të saj, por 2-3 elemente mund t’i them paraprakisht; Gjykata Kushtetuese ka pranuar kërkesën ankimore të PD dhe nuk ka pranuar kërkesën e Partisë Socialiste duke e bërë gjykimin me dy standarde”, u shpreh Xhafaj.

Klosi: Mospërputhje shifrash
“Ne kemi në Njësinë 1, ku nga 39 qendra, 20 kanë diferencë votash me minus 72. Në 6 qendra, diferenca është me plus 30 vota dhe vetëm në 13 qendra votimi ka përputhshmëri, ndërkohë që Kolegji i kërkoi KQZ-së që të ribalanconte. Në Njësinë Nr. 2 janë 54 qendra, 24 prej të cilave me diferencë negative, 10 me pozitive dhe 30 të balancuara. Janë kutitë që Ristani i hapi dhe KQZ kërkoi ta balancojë. Ishin 8 vota më tepër për kryetar bashkie dhe pas hapjes së katër kutive ngelën 7 vota më shumë sesa zgjedhës. Si kanë dalë këto vota? Kush i ka futur?”, deklaroi dje deputeti i PS, Blendi Klosi.

Tabaku: Rama sulmon gjykatat
“Ditë e re, avaz i vjetër. Edhe një herë dëgjuam sot akuzën e vjetër, të ricikluar, të lodhur dhe komplet absurde. Z. Rama është ndoshta personi i parë në histori që sulmon një gjykatë që ka dhënë një vendim në favor të tij. Të gjithë qytetarët e kuptojnë se dëshpërimi i z. Rama ka arritur në një nivel të ri. Është e qartë se z. Rama ka humbur gjithë shpresat që më shumë qytetarë të kenë votuar për të, edhe pse ka ende vota për t’u numëruar. Ndaj, z.Rama është në panik. Ne e dimë që z. Rama është i zënë me fushatën e tij për të qëndruar kryetar i PS-së dhe është aq i zënë sa nuk ka kohë të lexojë vendimet e Gjykatës ose ta shohë procesin drejtpërdrejt në ekran”, reagoi Jorida Tabaku.

© Panorama.al

Te lidhura