PS, drejt bojkotit të votimit për Presidentin

May 16, 2012 | 14:08

Rama dje në Grupin e PS

Kreu i PS zbulon në mbledhjen e Kryesisë strategjinë në Kuvend.

Rama: Dy deputetë të PS u joshën me para nga Berisha.

Kryesocialisti Edi Rama zbuloi dje para anëtarëve të Kryesisë strategjinë e kësaj partie për të bojkotuar seancën parlamentare të votimit të Presidentit. Burime pranë kësaj mbledhjeje thanë se kreu i PS ka saktësuar se nëse kandidati për President do të futet pa konsensus në Kuvend nga PD, atëherë PS dhe LSI do të bojkotojnë seancën për të kontrolluar në këtë mënyrë dhe votat, por dhe për të bllokuar procesin e zgjedhjes së Presidentit. Një skemë e tillë është ndjekur nga Partia Socialiste dhe në 2007, kur gjashtë deputetë të Grupit Parlamentar socialist votuan për Bamir Topin President. Për të përforcuar këtë qëndrim, kryesocialisti është shprehur në mbledhjen e Kryesisë se dy deputetë të PS janë joshur me para nga PD për të dhënë votën e tyre për Presidentin e ri. “Mbrëmë dhe të shtunën mbrëma dy deputetë socialistë janë vendosur përpara ofertës në para të të dërguarve të Kryeministrit për të dhënë votën e tyre për kandidaturën e Partisë Demokratike për President të Republikës. E them publikisht këtë fakt jo se është diçka e re. Ka ndodhur po kështu kur Kryeministri kërkonte të çante me para në dorë Grupin tonë Parlamentar gjatë periudhës së bojkotit të Parlamentit. Ka ndodhur po kështu edhe kur duhej të zgjidhej Presidenti i Republikës në vitin 2007”, u shpreh Rama në mbledhjen e Grupit Parlamentar.
Bashkëpunimi
Kryesocialisti ka folur dje në mbledhjen e Kryesisë dhe për takimet që ka zhvilluar me kreun e LSI-së, Ilir Meta. Rama është munduar të sqarojë konfuzionin e krijuar në media dhe në publik pas darkës private që pati me Ilir Metën në Gjirin e Lalzit. Sipas Ramës, Ilir Meta nuk duhet parë në mënyrë indiferente për sa kohë që vetëm votat e PS nuk krijojnë asnjë reaksion politik në Kuvend. “Ilir Metën vazhdojmë ta kemi kundërshtar politik, por duke mos pasur vota të nevojshme që të ndikojmë dhe të sjellim një ndryshim në Kuvend, ne nuk mund të rrimë pasivë. Prandaj ne duhet ta shohim LSI-në edhe në funksion të Presidentit, të reformës zgjedhore dhe ne duhet të dalim jashtë vetes. Dhe mundësia më e afërt për të dalë jashtë vetes është Ilir Meta”, mësohet të jetë shprehur Rama në mbledhjen e Kryesisë socialiste. Por, kryesocialisti nuk e ka fshehur shqetësimin e tij për reagimin që takimi i tij me Metën ka krijuar në opinionin publik, por dhe në strukturat dhe bazën socialiste. “Të përpiqemi të jemi sa më të unifikuar në mesazhin që i dërgojmë bazës, t’u shpjegohet njerëzve se pse po e bëjmë këtë afrim. Duhet të sqarojmë se s’ka ndodhur asgjë në qëndrimet tona të mëparshme, por sot ne po bëjmë politikë, po kalkulojmë numrat, por jo pazar”, mësohet të ketë thënë Rama para anëtarëve të Kryesisë socialiste. Kryesocialisti ka dhënë para deputetëve socialistë në mbledhjen e Grupit dhe identikitin e Presidentit të ri. “Duam një President konsensual. Duam një President që të mishërojë unitetin kombëtar në këtë kohë sfidash të mëdha për shqiptarët jo vetëm si shtet, por dhe si komb. Duam një President që të garantojë Kushtetutën, institucionet kushtetuese dhe aktivitetin kushtetues të tyre. Duam një President që t’i japë një hov të fuqishëm Shqipërisë në rrugën drejt provimit të vjeshtës në Bruksel dhe të luajë rol për marrjen e atij provimi strategjikisht të rëndësishëm për Shqipërinë e nesërme. Duam një President të paanshëm për zgjedhjet e ardhshme. Nuk pranojmë asnjë kandidat nga Partia Demokratike. Dhe nuk synojmë të imponojmë asnjë emër nga Partia Socialiste”, u shpreh Rama para deputetëve të PS.

Rama vlerëson punën e Komisionit
“Reforma mund të mbyllet me sukses”

Edhe pse ka ende shumë probleme të pazgjidhura me reformën zgjedhore, kryesocialisti Rama u shpreh se mundësia për ta përfunduar me sukses atë ekziston ende. “Në këndvështrimin tonë, procesi i reformës ka pasur dhe i ka të gjitha gjasat të mbyllet me sukses, në të mirë të vendit, në të mirë të të gjitha forcave elektorale, që pastaj mishërohen në forca parlamentare. Është bërë hap konkret shumë i rëndësishëm dhe shumë i dobishëm lidhur me administrimin e listave të zgjedhësve”, u shpreh Rama. Kryesocialisti ka përgëzuar punën e mirë që është bërë nga përfaqësuesit e PS në Komisionin e Reformës Zgjedhore. “Është bërë hap konkret, shumë i rëndësishëm dhe shumë i dobishëm, lidhur me gjetjen e një zgjidhjeje të arsyeshme për të mbyllur kapitullin e zgjedhjeve të deformuara përmes identitetesh të vjedhura dhe të falsifikuara”, u shpreh Rama.

Selia blu reagon pas akuzave të PS
PD: Rama të shkojë në Prokurori nëse ka prova

Zëdhënësja e PD, Silvi Bardhi

Partia Demokratike hodhi poshtë dje deklaratat e kreut të PS-së, Edi Rama, për tentativën për të blerë dy deputetë me rastin e zgjedhjes së Presidentit. Në një konferencë për shtyp, zëdhënësja e PD, Silvi Bardhi, tha se Rama, nëse ka prova për këtë çështje, duhet t’i drejtohet organit të akuzës. “Sot Edi Rama lëshoi shashkën e radhës dhe akuzoi pa emra për përpjekjen që, sipas tij, Partia Demokratike ka bërë për të korruptuar deputetë të tij. Partia Demokratike, duke hedhur poshtë këto akuza vulgare, produkt i një fantazie të sëmurë, i kërkon zotit Rama që çdo provë, fakt, apo të dhënë për cilindo, ta paraqesë në Prokurorinë e shtetit, si një detyrim madhor për luftën kundër korrupsionit politik. Në të kundërt, kjo akuzë mbetet një gënjeshtër e radhës, e bazuar në mashtrim”. Sipas saj, “do të duhet që shqiptarët të presin nesër deklaratën e radhës në të cilën z. Rama të shpallë se Berisha po tenton ta blejë atë”.

Erjon Braçe
Anëtari i Kryesisë socialiste, Erjon Braçe, doli pak ditë më parë kundër një bashkimi me LSI-në për zgjedhjen e Presidentit apo dhe për të provokuar rrëzimin e qeverisë. Këtë lloj bashkëpunimi Braçe e cilësoi në adresën e tij në Facebook pa moral. “Dy gjëra dua të them: E para, pushteti pa moral – është ky që kemi, pushtet për të vjedhur!; E dyta, na duhet një President i ndershëm!”, shprehet Braçe në adresën e tij në Facebook. Duke iu përgjigjur komenteve të shumta të marra rreth këtij qëndrimi nga miqtë e tij në Facebook rreth zgjedhjes së Presidentit, Erjon Braçe shprehet se “do të votoj për një njeri të ndershëm, burrë apo grua qoftë”.

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura