PS çon në Kushtetuese “Piramidën”

Aug 23, 2011 | 10:18

Partia Socialiste dërgoi dje në Gjykatën Kushtetuese ligjin për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar.Me firmat e 33 deputetëve të PS-së, sekretari i Grupit, Taulant Balla, dorëzoi kërkesën me 23 faqe në të cilën përmblidhen argumentet juridike të PS-së, ku i kërkon Gjykatës pezullimin e zbatimin të këtij ligji. Në tri argumente kryesore, Partia Socialiste i referohet ngjashmërisht rastit me shembjen e mbikalimit të Zogut të Zi, për të cilin Gjykata Kushtetuese i dha të drejtë Bashkisë së Tiranës. “Ne emër të Grupit Parlamentar të PS-së depozituam një kërkesë të firmosur prej më shumë se një e pesta e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, që i kërkon Gjykatës Kushtetuese të shpallë si të papajtueshëm me Kushtetutën ligjin për procedurat e ndërtimit të kompleksit të ri parlamentar të Kuvendit të Shqipërisë, si dhe pezullimin e zbatimit të këtij ligji për shkak të papajtueshmërive kushtetuese, të cilat ne kemi dërguar sot në Gjykatën Kushtetuese për t’i verifikuar për t’i shpallur ato antikushtetuese”, tha deputeti i PS, Balla.
Argumentet
Kërkesa e Partisë Socialiste argumenton se me këtë ligj të maxhorancës për shemben e Piramidës dhe ndërtimin e Kuvendit të ri në të njëjtin vend, shkelen kompetencat e pushtetit lokal, ligji për urbanistikën, si dhe mungon kostoja financiare. “Gjykata Kushtetuese ka konkluduar se në nenin 9, paragrafi i parafundit, fraza ‘lejet e ndërtimit për objekte të rëndësishme në qendrat e qyteteve, studimet urbanistike të të cilave miratohen prej tij’, është në papajtueshmëri me parimin e decentralizmit të pushtetit dhe të autonomisë vendore të sanksionuar në Kushtetutë dhe në Kartën Europiane të Autonomisë Vendore’. Në rastin në shqyrtim vlerësojmë se rregullimi i nenit 3 të ligjit cenon jo vetëm ‘funksionet e veta’ të pushtetit vendor dhe njëkohësisht parimin e decentralizimit të pushtetit dhe të vetëqeverisjes lokale”, thuhet në kërkesën e socialistëve për autonominë vendore që, sipas tyre, është shkelur. Më tej thuhet se Kuvendi, bazuar në Kushtetute, ka “ndërhyrë” me veprimtarinë e tij, ndër të tjera edhe me rregullimin ligjor në fushën e “organizimit dhe funksionimit të pushtetit vendor” dhe në fushën e planifikimit urban dhe zhvillimit të territorit, duke miratuar normat e rregullimit për secilën prej këtyre fushave. Nga ana tjetër, socialistët shprehen se Kushtetuta është shkelur edhe në faktin që ligji nuk ka asnjë faturë financiare duke shkelur disa parime kushtetuese dhe lë vend për abuzime të mundshme. “Ligji nuk përmend se sa do të jetë vlera e përgjithshme dhe si do të sigurohen të ardhurat për këtë shpenzim. Në këtë mënyrë, ligji lejon hapësira të pakufizuara për shpërdorim të fondeve publike nga organet e shtetit në vlera të konsiderueshme, duke renduar barrën e taksave dhe tatimeve që duhet të mbajë qytetari shqiptar”, thuhet në kërkesë. Rrjedhimisht, referuar kërkesës së PS-së, detyrimi për shoqërimin e një projektligji që sjell shpenzime të reja apo të mëdha në buxhetin e shtetit me raportin që përligj këto shpenzime financiare të prodhuara nga ligji, buron drejtpërdrejt nga detyrimi i propozuesve të projektligjit për të mbajtur përsipër përgjegjësinë politike që pason zbatimin e tij. “Ne si deputetë të Parlamentit shqiptar i bëjmë me dije, por, në të njëjtën kohë edhe i kërkojmë Gjykatës Kushtetuese, përmes kësaj kërkese, të vendosë një standard të qartë kushtetues për një politike të përgjegjshme përpara Kushtetutës dhe interesave të popullit që duhet të kryejnë organet shtetërore. Për të gjitha këto arsye, ky ligj duhet të pezullohet, përndryshe, zbatimi i efekteve të ligjit do ta bëjnë të paefektshëm një vendimmarrje kushtetuese që mund të jetë në favor të pranimit të kërkesës. Në këtë mënyrë, Gjykata Kushtetuese do t’i bëjë nder vendit, por edhe vendimmarrjes se saj”, mbyllet kërkesa e socialisteve drejtuar Gjykatës Kushtetuese.

Argumentet e PS

• Gjykata Kushtetuese ka konkluduar se në nenin 9, paragrafi i parafundit, fraza “lejet e ndërtimit për objekte të rëndësishme në qendrat e qyteteve, studimet urbanistike të të cilave miratohen prej tij”, është në papajtueshmëri me parimin e decentralizmit të pushtetit dhe të autonomisë vendore të sanksionuar në Kushtetutë dhe në Kartën Europiane të Autonomisë Vendore.

• Në rastin në shqyrtim, vlerësojmë se rregullimi i nenit 3 të ligjit cenon jo vetëm “funksionet e veta” të pushtetit vendor, por njëkohësisht edhe parimin e decentralizimit të pushtetit dhe të vetëqeverisjes lokale.

• Referuar funksionit të tij legjislativ, Kuvendi, bazuar në Kushtetutë, ka “ndërhyrë” me veprimtarinë e tij, ndër të tjera edhe me rregullimin ligjor në fushën e “organizimit dhe funksionimit të pushtetit vendor” dhe në fushën e planifikimit urban dhe zhvillimit të territorit, duke miratuar normat e rregullimit për secilën prej këtyre fushave.

• Ligji nuk përmend se sa do të jetë vlera e përgjithshme dhe si do të sigurohen të ardhurat për këtë shpenzim. Në këtë mënyrë, ligji lejon hapësira të pakufizuara për shpërdorim të fondeve publike nga organet e shtetit, në vlera të konsiderueshme, duke renduar barrën e taksave dhe tatimeve që duhet të mbajë qytetari shqiptar.

• Rrjedhimisht, detyrimi për shoqërimin e një projektligji që sjell shpenzime të reja apo të mëdha në buxhetin e shtetit me raportin që përligj këto shpenzime financiare të prodhuara nga ligji buron drejtpërdrejt nga detyrimi i propozuesve të projektligjit për të mbajtur përsipër përgjegjësinë politike që pason zbatimin e tij.

• Ne si deputetë të Parlamentit shqiptar i bëjmë me dije, por, në të njëjtën kohë dhe i kërkojmë Gjykatës Kushtetuese, përmes kësaj kërkese, të vendosë një standard të qartë kushtetues për një politikë të përgjegjshme përpara Kushtetutës dhe interesave të popullit që duhet të kryejnë organet shtetërore.

23 faqe
është kërkesa e Partisë Socialiste, e cila përmban tri argumente kryesore kundër ligjit për kompleksin e ri parlamentar, duke nisur nga kompetencat e pushtetit lokal, ligjit të urbanistikës dhe mungesës së kostos financiare

33 deputete
socialistë kanë firmosur kërkesën për të vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese për të pezulluar ligjin për ndërtimin e kompleksit parlamentar dhe shembjes së Piramidës. Mes emrave janë Balla, Dade, Kodheli, Tahiri, Bushati, Ahmetaj
Shalsi etj

Projekti i ri

Një studio vjeneze fitoi konkursin parlamentar për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar, i cili parashikon që salla të jetë poshtë dhe të shihet nga publiku sipër. Ajo parashikon 250 vende për deputetë, pra një perspektivë për një parlament më të gjerë, zyra për të gjithë deputetët, si dhe një infrastrukturë moderne me të gjitha shërbimet ku nuk do të mungojë as edhe një apartament për kryetarin e Kuvendit. Kompleksi do të ketë edhe restorant, si dhe mundësi për guida për turistët.

Ligji për shembjen

Kuvendi miratoi një ligj me 8 nene, që parashikon ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar në vend të Piramidës, por pa përcaktuar koston financiare, afatin kur do të fillojë prishja e Piramidës, si dhe ngarkoi për procedurat qeverinë dhe KRRTRSH-në, duke mënjanuar autoritetet lokale. Pa pjesëmarrjen e opozitës dhe 9 nenet e projektligjit, maxhoranca ka vendosur që për ndërtimin e kompleksit të ri do të merret vetëm Parlamenti dhe qeveria, ndërsa Inspektorati Kombëtar do të bëjë prishjen e Piramidës.

Negociatat për fondet

Qeveria shqiptare po negocion me Arabinë Saudite për të siguruar grantin prej 100 milionë eurosh, por që ende nuk ka një kosto përfundimtare në lidhje me këtë projekt. Kostoja e tij do të vendoset nga tenderi i hapur ku kompania që do të ofrojë më pak për ta ndërtuar, do të fitojë të drejtën e ndërtimit. Gjithsesi, ende nuk ka një përgjigje nga Arabia Saudite në lidhje me këtë fond. Godina e re do të ndërtohet mbi Piramidën dhe do të jetë gati më 28 nëntor 2012.

© Panorama.al

Te lidhura