Kuvendi do të miratojë sot pa praninë e opozitës kandidatët e rinj për në Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë.Votimi, i cili do të bëhet i hapur, do të jetë për tre kandidatë për në Gjykatën e Lartë dhe një për në Kushtetuese. Sipas vendimit në Komisionin e Ligjeve, do të votohen kandidaturat e Edmond Islamajt dhe Shkëlzen Selimit për në Gjykatën e Lartë, por do të rrëzohet Manjola Bejleri. Për në Gjykatën Kushtetuese do të votohet vetëm kandidatura e Fatmir Hoxhës. Maxhoranca nuk do të votojë për tri kandidatura të Presidentit për në Gjykatën Kushtetuese. Komisioni i Ligjeve ka vendosur që të mos dërgojë për votim në Kuvend kandidaturat e Artan Hoxhës, Edlira Jorgaqit dhe Adrian Lekës, por të miratojë vetëm kandidaturën e Fatmir Hoxhës. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, do t’i bëjë me dije kreut të shtetit, Topi, se këto tri kandidatura nuk do të votohen për në Kushtetuese dhe duhet të pritet afati trevjeçar, sipas vendimit të para pak ditëve të Gjykatës Kushtetuese. Njëkohësisht, në seancën e sotme plenare do të votohet edhe për projektligjin për inspektimin, si dhe për një nga kandidaturat për në Komisionin e Shërbimin civil. Por në këtë seancë ku do të votohen emrat e katër gjyqtarëve, për të cilën maxhoranca ka vendosur të rrëzojë gjyqtaren Bejleri dhe të mos fusë në procedurë tre kandidatë të tjerë për në Gjykatën Kushtetuese, do të mungojnë deputetët e opozitës. “Nga shifrat, statistikat dhe përqindja shumë e ulët e prishjes së vendimeve të kandidaturës së zonjës Bejleri, lehtësisht mund të konstatohet se performanca profesionale e saj nuk është ajo që kërkohet për gjyqtarin e Gjykatës së Lartë. Propozoj për Komisionin t’i rekomandojë seancës plenare mosdhënien e pëlqimit për kandidaturën për anëtar të Gjykatës së Lartë, zonjës Majlinda Bejleri”, thuhet në relacionin e miratuar të Komisionit të Ligjeve, drejtuar Kuvendit për të proceduar ditën e sotme.
Reagimi
Një reagim vjen nga nën-kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Erjon Braçe, përmes faqes së tij në rrjetin social “Facebook”. Braçe shprehet se deputetët e opozitës kanë dy javë që rrinë kot dhe nuk bëjnë opozitë, duke kërkuar praninë e tyre në Parlament dhe përballjen me qeverinë. Sipas Braçes, qeveria po rrit borxhin, po bën privatizime jo të drejta dhe po ndërhyn në gjykata, por opozita nuk po mund të reagojë dot. “Dy javë ikën kot! 64 deputetë që rrinë! Heshtin e presin! Javën e parë, Berisha rriti borxhin-mori një superhua. Nisi shpronësimin-privatizimin e hidrocentraleve. Këtë javë, Berisha iu kthye gjykatave, po i rimodelon si do, në nivelin më të lartë të tyre”, shkruan Braçe në rrjetin social në internet, gjë që ka ngjallur interesin e dhjetëra personave që kanë komentuar këtë mendim të nënkryetarit të Grupit Parlamentar të PS-së. Njëkohësisht Lëvizja Socialiste për Integrim ende nuk ka shprehur një qëndrim në lidhje me votën e katër deputetëve të saj për kandidaturat e Presidentit Topi për në Gjykatën e Lartë dhe Gjykatën Kushtetuese.
Votimi i dekreteve
Kuvendi do të miratojë në fund të seancës së sotme dekretet e Presidentit të Republikës, Bamir Topi, në bazë të rregullores e cila parashikon votim të hapur. Kështu, çdo deputet duhet të çohet në këmbë dhe të shprehë votën e tij, nëse është pro apo kundër kandidaturave të paraqitura nga kreu i shtetit. Një kandidat për gjyqtar duhet të marrë shumicë të thjeshtë dhe mjafton që të jenë 71 deputetë për të plotësuar kuorumin në sallë për të proceduar me votimin.
Votimi në Kuvend
Kandidat për në Gjykatën e Lartë
Edmond Islamaj
Shkëlzen Selimi
Manjola Bejleri
Kandidat për në Gjykatën Kushtetuese
Fatmir Hoxha
(nuk do të votohet për Artan Hoxhën, Edlira Jorgaqin dhe Adrian Lekën)
Kandidatët për në KSHC
Alfred Prifti
Gentian Opre
Indrit Lami
Shërbimi Civil, 3 kandidatë nga PD për një vend vakant
Komisioni i Ligjeve zhvilloi dje seancën dëgjimore me një nga tri kandidaturat e përzgjedhura për vendin vakant në Komisionin e Shërbimit Civil. Në Komisionin e Shërbimit Civil është krijuar një vend vakant pas dorëheqjes së një prej anëtarëve, Konstandin Kazanxhi. Ai është miratuar nga Kuvendi me shumicë votash, ndaj dhe në Komisionin e Ligjeve kanë ardhur tre emra që janë Gentian Opre, Indrit Lami dhe Alfred Prifti. Por, vetëm kandidati i fundit, Alfred Prifti, u paraqit në Komisionin e Ligjeve, çka nënkupton se ai do të jetë kandidatura që do të votohet nga maxhoranca për në Komisionin e Shërbimit Civil. Meqenëse zoti Kazanxhi ishte emëruar në këtë detyrë nga Kuvendi, edhe tri kandidaturat e reja u prezantuan po nga Kuvendi. Në dy vitet e fundit, Komisioni i Shërbimit Civil ka hasur në probleme për shkak të konflikteve mes anëtarëve, sa kanë prodhuar dy raporte për Kuvendin. Tashmë, ky komision drejtohet nga ish-deputeti i PD-së, Ramiz Çobaj.
Berisha anulon mbledhjen e qeverisë
Kryeministri Sali Berisha anuloi dje mbledhjen e paralajmëruar të qeverisë. Stafi i kryeministrit bëri me dije se mbledhja u anulua për shkak të axhendës së ngjeshur të kryeministrit, por pa treguar konkretisht për këtë axhendë. Gjithsesi, në njoftimet zyrtare, kryeministri drejtoi dje mbledhjen e Task-Forcës për Arrorët dhe Shegën, ku u diskutua për punën e bërë deri më tani nga grupi i punës dhe specialistët për gjendjen e studimit të këtij projekti. Kryeministri Berisha priti edhe nobelistin në mjekësi dhe fiziologji, me origjinë shqiptare, Ferid Murad. Gjatë bisedës miqësore, kryeministri vlerësoi kontributin e shquar të prof. Murad në fushën e kërkimit e drejtimin shkencor, në mjekësi, në institucionet nga më prestigjiozet dhe eksperiencën e gjerë të tij në industri.
ERALD KAPRI
© Panorama.al











