
Partia Socialiste reagoi dje pas emërimit të ish-kreut të SHIU- t, Ylli Zyla, në krye të Policisë Ushtarake. Deputeti socialist, Taulant Balla, akuzoi Kryeministrin Berisha se po kap të gjitha pushtetet përmes emërimeve të fundit. “Çdo ditë e më shumë shqiptarët po shohin sesi Berisha po vendos në komandën e tij institucione të rëndësishme të drejtësisë, sigurisë dhe inteligjencës. Me emërimet e fundit, Nishani po tregon se nuk mund të jetë tjetër veçse një kukull nën komandën e Berishës. Sot më shumë se kurrë Shqipërisë i nevojitet një rilindje kombëtare që do t`u kthejë institucioneve pavarësinë dhe qytetarëve një shtet ligjor të drejtë, ku të gjithë të jenë të barabartë para ligjit”, tha Balla. Për deputetin socialist, dorëheqja e Zylës kishte të bënte me një konflikt të pastër interesi që nuk është hetuar dhe nuk janë dhënë shpjegime. “Si ka mundësi që një person si Ylli Zyla, i dorëhequr si drejtor i Shërbimit Informativ Ushtarak, për shkak të akuzave për trafik ndërkombëtar armësh dhe përgjime të paligjshme të opozitës dhe të diplomatëve të huaj në Tiranë, emërohet nga treshja Berisha, Nishani dhe Imami, në këtë pozicion kaq të rëndësishëm të Ushtrisë shqiptare? Më lejoni të kujtoj se bashkëshortja e Ylli Zylës rezultoi të ishte bashkë-aksionere me një ish-shtetas shqiptar me pasaportë serbe dhe një shtetas polak në një kompani të licencuar për eksport armësh, duke shkelur në mënyrë të hapur ligjin ‘Për konfliktin e interesit’”, u shpreh Balla. Deputeti socialist i kërkoi Kryeministrit Berisha të japë përgjigje për disa nga çështjet e shumëpërfolura javët e fundit. “Sali Berisha, Arben Imami dhe Ylli Zyla ngritën në Ministrinë e Mbrojtjes një njësi përgjimi të paligjshme. I kërkoj Sali Berishës të përgjigjet publikisht për Ylli Zylën, për lidhjet e tij me trafikun e armëve, trafik që Saliu edhe i biri e njohin mirë; i kërkoj Sali Berishës të përgjigjet publikisht për të gjitha urdhrat e dhëna për blerjen dhe vënien në punë të pajisjeve për përgjim në Ministrinë e Mbrojtjes. Edhe ky emërim i bërë në këto kushte, është pjesë e përshkallëzimit të kapjes së shtetit. I them sot Sali Berishës hiq dorë nga këto skenarë të vjetër të kapjes së shtetit. Koha jote po mbaron!”, u shpreh Balla gjatë një konference për shtyp, bërë nga selia e Partisë Socialiste.
Emërimi
Pak javë më parë, kreu i Shërbimit Informativ të Ushtrisë, Ylli Zyla, dha dorëheqjen nga detyra e tij për shkak të akuzave të bëra në adresë të tij për përgjime të politikanëve dhe diplomatëve të huaj, por dhe për përzierje të bashkëshortes së tij si aksionere në një kompani që merrej me tregtinë e armëve. Ndërsa vetëm dy ditë më parë, Imami e emëroi Zylën në krye të Policisë Ushtarake.











