
Partia Socialiste ka kohë deri të martën që të ankimojë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të Tiranës.Ankesa që do të depozitohet në Kolegjin Zgjedhor kërkon pavlefshmëri të rezultatit të shpallur nga KQZ, e cila nxjerr fitues kandidatin demokrat Lulzim Basha me 81 vota diferencë përballë Edi Ramës. Ky rezultat erdhi pas përfshirjes së fletëve të votimit të hedhura gabim në kutitë e tjera. “Kërkojmë pavlefshmërinë e vendimeve të KQZ-së për të urdhëruar ndryshimin e tabelave të rezultateve të qendrave të votimit të njëmbëdhjetë KZAZ-ve të Tiranës, ndryshimin e vendimit 711 të KQZ-së, duke miratuar rezultatin e tabelave përmbledhëse të zonës zgjedhore Bashkia Tiranë, në bazë të tabelave të nxjerra nga grupet e numërimit deri më 16.05.2011, duke u shpallur fitues Edi Rama i Aleancës për të Ardhmen”, pritet të jetë formulimi i kërkesës ankimore të Partisë Socialiste, që do të depozitohet deri të martën në Kolegjin Zgjedhor. Dita e martë është afati i fundit, 5-ditor, nga rrëzimi i kësaj kërkese nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Tabelat e rezultatit të zgjedhjeve të 8 majit në Tiranë rrjedhin nga akti nr.709 i KQZ-së për të numëruar edhe votat që qytetarët kishin hedhur gabim në kutitë e tjera për kryetarin e Bashkisë së Tiranës e për t’i përfshirë ato vota në rezultat. Nisur nga ky fakt, socialistët e shohin të vështirë misionin e tyre përballë gjykatësve të Kolegjit Zgjedhor, pasi vendimi i dy ditëve më parë njihte pikërisht si ligjor, aktin e miratuar nga KQZ e që i bënte të vlefshme votat e hedhura gabim. Nga ana tjetër, Partia Demokratike ende nuk ka vendosur se çfarë rruge do të ndjekë për sa i përket certifikimit të rezultatit në Tiranë. Të kontaktuar nga gazeta, juristët e PD-së u shprehën se ende nuk kanë vendosur nëse do t’i drejtohen Kolegjit Zgjedhor për të goditur vendimin e KQZ-së, i cili rrëzoi kërkesën e tyre për të përfshirë në rezultat edhe votat që dolën nga 24 kutitë që hapi KQZ-ja. Katër anëtarë të këtij Komisioni votuan pro përfshirjes së këtyre votave në tabelën përfundimtare të Tiranës, ndërsa dy anëtarë votuan kundër. Sipas Kodit Zgjedhor, ndryshimi i tabelës së rezultateve duhet bërë me 5 vota, çka bëri që kërkesa e PD-së të rrëzohet. Pas hapjes së 24 kutive, ku u numëruan votat e kontestuara, rezultoi se Rama kishte 16 vota, ndërsa Basha 13.
Kërkesa e socialistëve u ankimua fillimisht në Komision Qendror të Zgjedhjeve dhe u rrëzua aty nga votat e maxhorancës e, pas saj, atyre i lind e drejta për ta ankimuar në Kolegjin Zgjedhor brenda 5 ditëve. Por socialistët nuk e ankimuan atë më parë, në pritje të vendimit të Kolegjit Zgjedhor, i cili, nëse do të ishte në favor të Edi Ramës dhe do të linte në fuqi rezultatin e kutisë së fundit të Njësisë Nr.5, pa përfshirë fletët e hedhura gabim, nuk do të ishte i nevojshëm që të ankimohej. Kjo kërkesë mbetet shpresa e fundit e Partisë Socialiste për të ruajtur Bashkinë e Tiranës, e cila qeveriset nga Edi Rama që prej vitit 2000, kur fitoi atëherë përballë kandidatit demokrat, Besnik Mustafaj.
LSI: Kolegji, i pandikuar nga politika
LSI e cilëson vendimmarrjen e djeshme të Kolegjit Zgjedhor si “profesionale dhe të pandikuar nga politika”. “Qëndrimi i shpallur mbrëmë nga ana e Kolegjit Zgjedhor, i cili dëshmoi se jo vetëm është një trupë që vepron në përputhje me tërë atributet kushtetuese që ka, në pavarësi të plotë në zbatim të ligjit, por, nga ana tjetër, dëshmoi se vendimmarrja e kësaj trupe që ngarkohet me një përgjegjësi të veçantë nga Kodi Zgjedhor është një vendimmarrje jashtë edhe e pandikuar nga presioni politik, vendimmarrje në integritet të plotë”, u shpreh Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama. Ai shtoi se zgjedhjet e 8 majit përmbushën standardet e rekomandimeve të OSBE/ODIHR.
PD: Rama të njohë rezultatin zgjedhor
Partia Demokratike, përmes zëdhënëses së saj, Albana Mustafaraj, i kërkoi kreut socialistë të njohë rezultatin e zgjedhjeve dhe të heqë dorë nga presionet. “Partia Demokratike vazhdimisht është shprehur se cilido qoftë verdikti përfundimtar i këtij procesi, ne do ta respektojmë atë. E dimë që është e pamundur për Edi Ramën të pranojë një rezultat ku ai ka humbur, por rezultati është rezultat. Pavarësisht se çfarë mund të thotë Edi Rama, të gjithë qytetarët e dinë se nuk është Gjykata ajo që vendosi për këto zgjedhje, por janë vetë kryeqytetasit. Prandaj i kërkojmë z. Rama të heqë dorë nga çdo lloj presioni nga institucionet e pavarura kushtetuese të vendit”, u shpreh Mustafaraj.
PR: Vendimet e Kolegjit të njihen nga të gjithë
Nënkryetari i PR-së, Neritan Alibali, tha dje se vendimi i Kolegjit respektoi votën e lirë si themel të demokracisë.
“Partia Republikane shpreh besimin e palëkundur se institucionet tona kushtetuese kanë kapacitetet e mjaftueshme për të interpretuar dhe zbatuar ligjin dhe, si të tilla, vendimet e tyre duhet të njihen dhe të respektohen nga të gjitha palët. PR shpreh keqardhjen për presionin e ushtruar nga PS mbi Kolegjin Zgjedhor dhe KQZ dhe falënderon këto institucione që nuk po bien pre e këtyre presioneve”, tha Alibali. Ai u bëri thirrje subjekteve politike që pas mbylljes së procesit të zgjedhjeve të punojnë për të çuar Shqipërinë në integrimin e plotë në Bashkimin Europian.
Gjata: Vendimi i Kolegjit shpall fitues Bashën
Ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Çlirim Gjata, tha dje se vendimmarrja e Kolegjit Zgjedhor i jep vlerë dhe vendimeve pasuese të PS, shpalljes së tabelës së rezultatit për KZAZ 49 dhe asaj përmbledhëse për Bashkinë e Tiranës. Duke komentuar vendimin e Kolegjit për pushimin e çështjes ankimore të Partisë Socialiste, Gjata tha se kjo pjesë e vendimit përcakton se “kryetar i Bashkisë së Tiranës, ndonëse ende i pacertifikuar zyrtarisht nga KQZ, është Lulzim Basha me 81 vota para rivalit të tij, Edi Rama”. “Zgjedhësi i kryeqytetit, përveçse tregoi vlerën që ka vota, ia doli që me rezultatin e ngushtë të shmangë lojën politike, duke i dhënë hapësirë në fushë vetëm përplasjes së argumenteve juridike”, u shpreh Gjata.
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al











