Provimi i shtetit, kushte të reja për infermierët

Jun 20, 2012 | 14:26

Urdhri i Infermierit publikon kushtet e reja për dhënien e provimit të shtetit për licencën e ushtrimit të profesionit. Sipas këtij urdhri, testimit do t’i nënshtrohen të gjithë studentët që mbarojnë një program të akredituar për profesionet infermier, mami, fizioterapist, teknik laboratori, teknik imazherie dhe logopedist.
Ata duhet që pas marrjes së kësaj diplome të regjistrohen tek Urdhri i Infermierit të Shqipërisë, i cili është edhe Urdhri përkatës profesional, ku do të njihen me detyrimet që kanë për të plotësuar në zbatim të këtij ligji. “Këto detyrime fillojnë në fakt me realizimin e praktikës profesionale, për një periudhë jo më pak se 3 muaj. Duke u përmirësuar zbatimi i ligjit të lartpërmendur, duhet thënë se kjo praktikë ka ndryshuar tashmë nga vitet e tjera”, bëri me dije Urdhri i Infermierit.
Studentët që regjistrohen ditën, marrin librezën e praktikës  profesionale. Në këtë librezë janë të shkruara të gjitha udhëzimet dhe detyrimet që studenti duhet të realizojë gjatë periudhës së praktikës. Përveç kësaj, aty janë edhe të gjitha temat të cilat do të jenë pyetje në provimin e posaçëm, që do të bëhet për testimin e aftësive profesionale.
Aty do të mbahen shënimet ditore përgjatë 12 javëve që studenti do të realizojë praktikën profesionale, të cilat do të firmosen çdo ditë nga drejtuesi i kësaj praktike.
Pasi studenti ka realizuar 12 javët e praktikës profesionale, do të firmoset nga drejtuesit e saj dhe do të vlerësohet me një numër pikësh të caktuara. Saktësisht, ato janë nga 10 deri në 25 pikë, të cilat do t’i njihen kandidatit gjatë realizimit të testimit profesional. Ai e merr librezën dhe, 10 ditë para datës së provimit, e dorëzon atë pranë Urdhrit profesional dhe regjistrohet për dhënien e testimit profesional.

Vlerësimi i provimit
• Do të jenë 5 pyetje për kandidatët

• Çdo pyetje nga 1 deri 25 pikë.

• Vlerësimi maksimal 100 pikë.

• Kalueshëm 50 pikë

• Nga këto, 25 pikë në librezë nga praktika

© Panorama.al

Te lidhura