Rezultatet për vlerësimin e licencave, shumica e të testuarve në nivel mesatar
Stomatologët privatë, 34% ngelin, vetëm 1 merr notën 10
Fakulteti i Mjekësisë ka përzgjedhur gjithmonë studentët me elitarë në Universitetin më të madh në vend. Po t’i referohesh mesatares së gjimnazit me të cilën pranohen kandidatët fitues, pjesa më e madhe e tyre e ka mbi 8.5. Me gjithë aludimet se brezi i ri i mjekëve nuk është më ai i viteve më parë, një provë jo e vogël vjen në favor të të gjithë atyre që kanë këtë mendim. Rezultatet e provimit të shtetit tregojnë se jo vetëm infermierët e diplomuar së fundi, por edhe stomatologët e mjekët, dijet i kanë të cunguara. Shprehja “Mjerë në dorë të kujt do biem”, që përmendet shpesh në korridoret e spitaleve dhe jo vetëm atje, duket se në këtë rast ka vend. Të dhënat zyrtare vijnë nga Urdhri i Mjekut. Sipas tyre, nota e marrë nga mjekët e rinj në provim është 7.3. Stomatologët kanë dalë akoma më dobët, mesatarja arrin në 6.2. Madje me notën 10 është vlerësuar vetëm një kandidat, nga 148 të testuar. Disi më mirë kanë dalë mjekët, prej të cilëve 14 janë vlerësuar me notë maksimale. Sa u përket mbetësve, numri është i konsiderueshëm. Nuk kanë mundur të marrin as 50% të pikëve plot 38 stomatologë dhe 23 mjekë. Ata nuk do të kenë mundësi ta ushtrojnë profesionin, pavarësisht diplomës që kanë. Janë jo pak ata që kanë kaluar testin me paterica. Janë vlerësuar me dobët 15 mjekë dhe 41 stomatologë. Këto të dhëna dëshmojnë qartë për nivelin e mjekëve të rinj që kanë dalë nga auditorët e Fakultetit të Mjekësisë. Pak ditë më parë u publikuan të dhënat edhe për Infermierinë e Farmacinë. Kjo e fundit e ka pasur kalueshmërinë në masën 20%. Infermieria ka qenë më dobët. Numri i kandidatëve ka qenë rreth 500, por 140 nuk u paraqitën për të dhënë provimin. Kalueshmëria e kandidatëve që u paraqitën ishte nën 50%. Ndërsa në profesionet e tjera kalueshmëria nuk ka qenë kaq e ulët. Ministria e Arsimit, nga ana e saj, duke e cilësuar procesin si të rregullt, ka pranuar pak ditë më parë se shkalla e suksesit të provimit të shtetit u arrit deri në masën 50%. Urdhri i Mjekut gjithashtu nuk ka dhënë ndonjë koment për nivelin e kandidatëve. Kjo strukturë është ndalur në kërkimin e një bashkëpunimi më të mirë ndërinstitucional, ku gjithsecili të angazhohet dhe të ndiejë përgjegjësitë e tij me qëllim që praktika profesionale të arrijë objektivat dhe synimet për çka kryhen. “E quaj të nevojshme të sugjeroj për MASH, si dhe MSH që të parashikojnë një masë shpërblimi (pagese) për profesionistët që janë përzgjedhur dhe emëruar për të udhëhequr dhe monitoruar praktikantët, me qëllim që të jenë më të motivuar dhe më të përgjegjshëm në angazhimin e tyre”, thuhet në deklaratën për mediat të Urdhrit të Mjekut.Kandidatët që e kanë kaluar me sukses provimin e shtetit marrin direkt licencën. Listës së kandidatëve fitues u bashkëngjisim pikët maksimale dhe notën që ata kanë marrë te provimi i shtetit. Më pas kandidatët nisin procedurat te urdhri i tyre për t’u pajisur me licencë.
Vlerësimi
Për t’u quajtur kalues në provimin e shtetit, kandidatët duhet të grumbullonin më shumë se 50 pikë nga 100 të mundshme. Vlerësimi i testit ka qenë në mënyrë elektronike. Mbetësit nuk do të kenë mundësi ta ushtrojnë profesionin e tyre. Ata kanë të drejtë ta rijapin provimin deri në 5 herë.

ZIRINA LLAMBRO
© Panorama.al











