
Krimi për xhelozi, këtë javë shqyrtimi i informacioneve të reja.
Prokuroria kërkon analizë me Policinë për 2-mujorin.
Prokuroria ka kërkuar zhvillimin e një analize të përbashkët me Policinë këtë javë, në lidhje me hetimet ndaj shtetasit Ilia Basho, 38-vjeçarit që po mbahet në burg me akuzën e vrasjes së gruas së tij, shtetases Eleni Basho.
Burimet nga Prokuroria e Tiranës kanë thënë se menjëherë pas caktimit të masës “arrest me burg” nga Gjykata, dosja penale ndaj Ilia Bashos i është përcjellë Policisë për grumbullimin e informacioneve dhe provave në lidhje me autorësinë dhe shkakun e ngjarjes. Organi i akuzës i vendosi Policisë një afat brenda të cilit do të realizohej edhe një analizë për të parë ecurinë e hetimit. Në stadin ku kishte mbetur dosja, Ilia Basho konsiderohej i dyshuari kryesor dhe, sipas Prokurorisë, i implikuar në “krijimin e kushteve për vrasjen e së shoqes”. Por nuk ishin gjetur prova që ai të kishte qëlluar vetë mbi Eleni Bashon dhe as të kishte kontaktuar me personin që shkrehu dy plumba në trupin e viktimës më 2 shkurt 2012 në mbrëmje, teksa laborantja dentare kthehej në banesë në zonën e Shkozës në Tiranë. Prova e fundit që është administruar në dosjen penale të ngjarjes kanë qenë tabulatet telefonike të Ilia Bashos, të cilat hetuesve të Policisë u është kërkuar t’i zbardhin për të gjetur ndonjë kontakt të dyshimtë në telefonatat që ka kryer bashkëshorti i laborantes së vrarë. Ilia Basho është akuzuar nga Prokuroria për vrasjen e së shoqes për xhelozi, pasi kishte konflikte të vazhdueshme për shkak të një lidhjeje paralele me shtetasen Yllka Shehaj.
Vrasja e Eleni Bashos, për xhelozi
Ngjarja e rëndë ndodhi më 02.02.2012, rreth orës 18:30, në Shkozë. Eleni Basho, bashkëshorte e Ilia Bashos, u qëllua me dy plumba në trup, ndërsa nga hetimet e Prokurorisë kanë dalë të dhëna që kanë krijuar dyshim të arsyeshëm se autori i veprës penale mund të jetë dhe i pandehuri Ilia Basho. Policia Gjyqësore, më datë 06.02.2012 ka pyetur me cilësinë e personit që ka dijeni, të pandehurin Ilia Basho. Në këtë datë, Ilia Basho ka dhënë të dhëna të përgjithshme që kanë të bëjnë me periudhën para vrasjes. Ai, në këtë pyetje nuk ka pranuar që ka pasur marrëdhënie me shtetasen Yllka Shehaj. Po më datë 06.02.2012 është pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni dhe shtetasja Yllka Shehaj. Në këtë datë ajo ka pranuar pjesërisht lidhjen që ka pasur me të pandehurin, duke dhënë shpjegime të ndryshme dhe është përpjekur që ta bëjë të parëndësishme lidhjen e tyre. Më datë 21.02.2012 është ripyetur shtetasja Yllka Shehaj. Ajo ka dhënë të dhëna që e kanë çuar organin e hetimit në dyshime të arsyeshme se i pandehuri mund të jetë autor i veprës penale. Yllka Shehaj, në këtë deklarim, ka thënë se me të pandehurin ka pasur raporte intime të vazhdueshme dhe se i pandehuri i ka propozuar për martesë. Sipas Yllka Shehajt, i pandehuri i ka kërkuar asaj që ta priste sa të zgjidhte problemet me gruan, me të cilën do të ndahej. Ajo thotë: “Më prit dhe pak, më prit deri më 15.12.2012 dhe ajo do të largohet nga skena pa u bërë zhurmë dhe ti nuk do të kesh fare punë se si do ta rregulloj. Ti ke ngrënë një shpullë, por asaj do t’i kthehen dhjetë të tilla mbrapsht”. Po kështu, në deponimin e saj ajo shpjegon përpjekjet e të pandehurit për t’i mbushur mendjen që ta priste dhe të martoheshin bashkë, mbasi me gruan do t’i zgjidhte vetë problemet. Po kështu, në dëshminë e shtetasit Jonuz Muça, del se i pandehuri i ka thënë atij që të shkonte të takonte Yllka Shehajn dhe t’i kërkonte asaj që të mos e merrte në telefon dhe të mos e takonte tre-katër muaj.
Ilia do të ndahej nga gruaja
Ilia Basho, sipas Gjykatës, me shpjegimet dhe sjelljen e tij mbas vrasjes së gruas, ka krijuar dyshime se ai mund të jetë autor i vrasjes. Ai nuk e pranon lidhjen me shtetasen Yllka Shehaj, ndërkohë që me të ka pasur lidhje të gjatë dhe ka shkuar deri në kërkesë për martesë. Yllka Shehaj jep të dhëna, nga del se i pandehuri do të ndahej nga gruaja dhe se ndarjen do ta zgjidhte ai, “duke e zhdukur nga skena pa u ndjerë”. Po kështu, ngarkon shtetasin Jonuz Muça të takojë shtetasen Yllka Shehaj dhe t’i përcjellë asaj porositë e të pandehurit. Këto janë disa të dhëna që krijojnë dyshimin e arsyeshëm se ai mund të jetë autor i veprës penale.
TRAZHGIM SOKOLAJ
© Panorama.al











