Protestuesit e 21 janarit, tritol shtyllave të tensionit

Feb 17, 2012 | 12:00

Gjashtë në pranga për shtyllat e tensionit të lartë. 9 të tjerë për grabitje.

Dyshimi: Donin të përhapnin panik e të linin vendin në terr.

Policia e Lezhës në bashkëpunim me atë të Shkodrës arrestuan dje 6 persona, të akuzuar si autorë të vendosjes së tritolit në dy shtylla të tensionit të lartë. Operacioni i koduar “Grabitqari” është shtrirë në të dyja rrethet, duke finalizuar kështu prangosjen e personave përgjegjës për ngjarjen që ndodhi më 30 dhjetor të vitit të kaluar në Kallmet të Lezhës. Të dyshuarit për veprën kriminale, e cila nëse do të finalizohej me shkatërrimin total të shtyllave do të cilësohej si një akt terrorist, janë banorë të Shkodrës e Lezhës. Në kuadër të të njëjtit operacion u arrestuan në Shkodër edhe 9 persona të tjerë për një sërë grabitjesh. Mësohet se aktivitetet e të dyja grupeve kriminale janë kryer në kufirin mes dy rretheve. Sipas drejtorit të Policisë së Lezhës, Muharrem Furriku, shtetasit Gazmir Dedaj, 22 vjeç, nga fshati Torovicë, Lezhë, Aleksandër Boka, 28 vjeç, banues në fshatin Balldren, Lezhë dhe Ernest Preçi, 47 vjeç, banues në fshatin Juban, Shkodër, në bashkëpunim me Besmir Luginën, 25 vjeç nga fshati Balldren, Xhevahir Luginën, 23 vjeç, banues po në Balldren si dhe Mhill (Nikollë) Thepi, 20 vjeç banues në fshatin Spathar, Shkodër është provuar se janë autorët e ngjarjes së rëndë të ndodhur në prag të ndërrimit të viteve me 30 dhjetor, ku kanë vendosur lëndë plasëse në dy shtylla të tensionit të lartë. “Nga hetimet e Policisë, ka rezultuar se një pjesë e mirë e këtyre shtetasve kanë qenë pjesëtarë aktivë në veprimet e dhunshme të kryera më 21 janar të vitit 2011 pranë Kryeministrisë”, u shpreh kryepolici i Lezhës. Burime nga grupi i hetimit bënë të ditur se ka dyshime se plani për hedhjen në erë të këtyre dy shtyllave dhe nxjerrjen jashtë funksionit të tyre kishte si qëllim krijimin e një gjendjeje paniku dhe destabilizim të popullsisë, pasi do të lihej në errësirë një pjesë e konsiderueshme e vendit. Në vendin e ngjarjes policia gjeti asokohe edhe një flamur kombëtar dhe një tjetër të PS-së. Por për të evituar politizimin e çështjes, policia nuk dha deklarime pas ngjarjes, derisa hetimet konkluduan se autorët kishin qenë aktivistë në protestën e 21 janarit. Fatmirësisht, lënda eksplozive nuk shpërtheu e gjitha. Për shumë orë njëra shtyllë u mbajt vetëm me një këmbë, kurse tjetra u dëmtua në pjesën me të madhe të bazamentit të saj. Shtyllat janë pjesë e linjës së interkonjeksionit 400 kilovolt që përcjell energjinë nga Mali i Zi në vendin tonë. Burime nga policia bënë të ditur se prej rreth dy muajsh, policitë e të dy qarqeve kanë hetuar në bashkëpunim. Kjo pasi hetimet me metoda speciale kanë nxjerrë në pah se autorët e kësaj vepre kriminale ndodheshin në të dyja rrethet. Blutë e Shkodrës ishin duke hetuar për një sërë grabitjesh në kohë të ndryshme, por njëri prej autorëve në hetim ka rezultuar se ishte furnizuesi me lëndë eksplozive i grupit kriminal të Kallmetit. Ndërkaq, të arrestuarit në Shkodër akuzohen për një sërë ngjarjesh, si vjedhje banesash, vjedhje me dhunë etj.                                    r.n/r.d

ARRESTIMET PËR SHPERTHIMIN
Besmir Lugina, 25 vjeç, banues në Balldren, Lezhë
Xhevahir Lugina, 23 vjeç, banues në Balldren, Lezhë
Mhill (Nikollë) Thepi, 20 vjeç, banues në Spathar, Shkodër
Gazmir Dedaj, 22 vjeç, banues në Torovicë, Lezhë
Aleksander Boka, 28 vjeç, banues në Balldren, Lezhë
Ernest Preçi, 47 vjeç, banues në fshatin Juban, Shkodër

Dosjet ndahen në dy prokurori
Dosjet e dy grupeve kriminale, të cilët u arrestuan në kuadër të të njëjtit operacion, do të hetohen të ndara në prokuroritë e rretheve të Shkodrës dhe Lezhës. Akuzat ndaj 15 të arrestuarve janë për veprat penale të “vjedhjes me dhunë, kryer në bashkëpunim”, “vjedhjes në bashkëpunim”, “mbajtjes pa leje të armëve të zjarrit”, “shkatërrim prone me eksploziv e kryer në bashkëpunim”. Policia bëri të ditur se hetimet do të vijojnë, pasi mund të ketë edhe arrestime të personave të tjerë që mund të jenë implikuar në këto ngjarje kriminale.

© Panorama.al

Te lidhura