Protestat tek “Birra Norga”, policia arreston 3 punëtorë

Jun 8, 2011 | 10:40
Nga protesta e punëtorëve të birra “Norga”

VLORE – Policia e Vlorës arreston tre punëtorë të fabrikës së “Birra Norga” pas protestës së zhvilluar prej tyre për të rinisur punën. Pas shoqërimit në orët e para të ditës, në kohën kur rreth 100 punëtorë u mblodhën sërish për të kërkuar zhbllokimin e masës së sekuestros nga “Raiffeisen Bank”, policia njoftoi mbrëmë arrestimin e tyre. Arjan Agalliu, 50 vjeç, Lavdimir Haxhiaj, 37 vjeç dhe Besmir Koçiaj, 25 vjeç akuzohen se janë mbledhur në mënyrë të përsëritur dhe të paligjshme para ambienteve të “Birra Norga”, e sekuestruar nga Zyra e Përmbarimit Gjyqësor Tiranë, duke kundërshtuar edhe punonjësit e Policisë së Rendit Publik. Sipas policisë, materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik”. Ndalimi i tyre ka sjellë dje dhe reagimin e punëtorëve të tjerë, sipas të cilëve protestat do të vazhdojnë, deri në rikthimin në vendet e punës. Prej rreth 1 jave, dy fabrika të shoqërisë “A&B Grup” janë sekuestruar, si masë e kërkuar nga “Raiffeisen Bank” për mosshlyerjen e kësteve të kredisë së marrë 4 vite më parë. Nga ana e tyre, pronarët e fabrikës kanë reaguar, duke thënë se pas këtyre veprimeve fshihen arsyet personale për përfitim nga ana e drejtorit grek të bankës.      q.b

© Panorama.al

Te lidhura