Protestat masive për dorëheqjen e Ramës, Kryeministri: Ideja se duan të marrin pakistanezët dhe filipinasit t’i punësojnë në resortet luksoze për t’i paguar më pak, është gënjeshtër!

Jun 9, 2026 | 12:15

Kryeministri Edi Rama foli sot në Konferencën e 3-të Kombëtare për Arsimin dhe Formimin profesional, ku u shpreh sërish lidhur me investimet në turizëm duke prekur pak edhe resortin që pritet të ndërtohet në Zvërnec.


Rama u kap me idenë sipas tij lindur kohët e fundit nga protestat, sikur resorte të tilla sjellin punëtorë të huaj në dëm të punonjësve shqiptarë, në mënyrë që t’i paguajnë më pak.

Kryeministri e cilësoi diçka të tillë si një barcaletë e lindur nga padija, pasi punonjësit e strukturave hoteliere paguhen si në Greqi dhe Kroaci.

Sipas tij, industria e turizmit sot nuk ka më shqetësim pagat e ulëta, por cilësinë e punës dhe gjetjen e burimeve njerëzore.

Rama: Të gjithë të interesuarit që kanë investuar në turizëm kanë nevojë për punonjës të kualifikuar. Dua të prek diçka që është bërë barcaletë ditët  e fundit lidhur me një zhvillim që ka ngjallur debat. Ideja që vijnë në Shqipëri për të ndërtuar resorte të cilat janë për shumë të pasurit dhe për punonjës nga Pakistani apo Filipinet se duan ti paguajnë shumë pak është një ide që nuk ka asnjë lidhje me realitetin.

Është gabim i madh që të flitet në këtë mënyrë dhe është në gënjeshtër që të mendohet në këtë mënyrë. Së pari, nuk është se kemi një numër të madh investitorësh të huaj. Ka filluar një interesim nga kapitali dhe sipërmarrja e huaj për Shqipërinë që lidhet me suksesin tonë në turizëm. Deri para disa vitesh nuk kemi patur asnjë interesim nga kapitali i huaj. Zero. Shqipëria ishte po kaq e bukur, natyra po kaq e bukur, virgjëria po kaq sa është sot. në ato zona ku nuk është investuar.

I pari interesim, interesim për portin turistik të Durrësit. Pasi u hap rruga për atë, ka filluar të ngrihet interesi për të investuar. Nuk kishte pikë besimi. Ideja që kapitali i madh shkojnë në vende të caktuar për të investuar për ti shkatërruar në ato vende dhe për të shfrytëzuar një krah pune të lirë është një ide e lindur nga padija totale. Është e kundërta. Nuk ka prova që kapitali i huaj të ketë luajtur rol në shkatërrimin e natyrës apo të jetë shkaktarja kryesore e dëmeve që janë bërë mjedisit. Dëmet, kanë qenë të lidhura me horizont të mbyllur lidhur me shumë nga temat komplekse të fushës dhe patjetër kanë qenë të kushtëzuara nga kostoja e ndërtimit dhe nga çmimi. Po të shikojmë bregdetin shqiptar sot, ka filluar të zhvillohet në Golem. Sot është e paimagjinueshme që dikush cilido sipërmarrës vendas, të shfaqet në dyert e autoriteteve dhe të propozojë atë lloj zhvillimi. Është një zhvillim tërësisht i papranueshëm por i lidhur me një kohë kur mundësitë ishin të kufizuar, kapitali modest, dijet të kufizuara dhe aftësitë blerëse të kufizuara. Pavarësisht të metave zhvillimi i ndërtimit në turizëm gjërat kanë ardhur duke u përmirësuar. Kostoja ka ardhur duke u rritur por dhe çmimi ka ardhur duke u rritur. Vijmë te Pakistani, punonjësit. Sot, sfidoj këdo, problemi kryesor nuk është sa të paguajnë . nuk ka në industrinë e turizmit, pyetja nuk është sa të paguajnë? Pyetja është ku ti gjej punonjësit përkatës që ka dhe zanatin për të bërë atë punë që duhet. Nëse më gjen një vend në bregdetin shqiptar, hoteleri ku paguhet më pak se në Greqi, atëherë do detyrohem të rishikoj këtë opinion. Nuk ka.

© Panorama.al

Te lidhura