Protesta, të rishihet statusi për 31 mijë fëmijë jetimë

May 21, 2012 | 12:47
Dje gjatë protestës

Dita Ndërkombë-tare e tyre ka gjetur në rrugë qindra fëmijë jetimë. Ata protestuan dje në rrugën pedonale në kryeqytet, me pankarta në duar duke kërkuar më shumë mbështetje e vëmendje. “Jemi këtu për të apeluar më shumë kujdes, më shumë vëmendje, më shumë investime për këta fëmijë dhe më pak fjalë e më pak premtime. Presim një dorë të ngrohtë nga shteti dhe shoqëria civile, asaj shoqërie civile që në të shumtën e rasteve është abuzive dhe spekulative në kurriz të këtyre fëmijëve”, tha kryetari i Institutit për Integrimin e Fëmijëve Jetimë, Ilir Cumani. Sipas tij është e domosdoshme të rishitet statusi, pasi deri tani është i pazbatueshëm. Pothuajse 80 për qind e fëmijëve që jetojnë në shtëpi sociale publike apo jo i përkasin target grupit të fëmijëve jetimë socialë, pasi familjet e tyre janë të varfra apo janë të divorcuara. Sipas drejtorit të Institutit të Integrimit të Jetimëve, Ilir Cumani, Bashkimit Europian dhe Organizatës së Kombeve të Bashkuara i është dërguar një rezolutë, ku përshkruhen me detaje problemet e këtyre personave. Në mbështetje të manifestimit të djeshëm ishte dhe nga ambasadori i OSBE-së, Eugen Volfarth. “Jam këtu për të shprehur mbështetje për fëmijët jetimë të Shqiperise. Që të gjithë të ndihmojmë për integrimin e tyre në shoqëri. Duke parë fytyrat e tyre dhe aspiratat që ata kanë, shpresoj që kjo të bëhet edhe pjesë e aspiratave të Shqipërisë për t’u integruar në Europë. Me qellim që Shqipëria të bëhet anëtare e respektuar e komunitetit europian”, u shpreh Eugen Volfarth, ambasador i OSBE-së. Fëmijëve jetimë iu bashkua edhe të moshuarit, që jetojnë në shtëpinë e të moshuarve, në Tiranë, të cilët, ndryshe nga të vegjlit, janë braktisur apo lënë nga fëmijët e tyre në moshën e pleqërisë.

Korçë, dhurata jetimëve
Drejtues të Bashkisë së Korçës, në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve Jetimë vizituan shtëpinë e foshnjës “Lulet e vogla”. Ata theksuan se është shumë e rëndësishme që kjo pjesë e shoqërisë të jetë në qendër të vëmendjes, pasi për ta sfidat janë shumë të mëdha. Në këtë ditë, fëmijëve u janë shpërndarë dhurata të ndryshme.

ZIRINA LLAMBRO

© Panorama.al

Te lidhura