Mijëra grekë kanë marshuar para Parlamentit të Athinës dje, për të kundërshtuar planet e kryeministrit Jorgo Papandreu dhe kabinetit të tij të ri për të “shtrënguar më shumë rripin” me reformën e re të kursimit, të kërkuar më ngulm nga Franca dhe Gjermania.Të premten Papandreu shkarkoi ministrin e tij të Financave, Jorgo Papakonstantinu, autor i programit të ri pesëvjeçar të kursimit, që ka provokuar javë të tëra protestash.
Riformimi i kabinetit të Papandreut përkoi me deklaratën e Francës dhe Gjermanisë për të vazhduar financimin e Athinës.
Bashkimi Europian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar e kanë kushtëzuar ndihmën e Greqisë me një valë të re reformash në këmbim të paketës së re të ndihmës prej 120 miliardë eurosh me të cilat Greqia duhet të financojë veten deri në vitin 2014.
Rreth 5000 protestues, kryesisht nga opozitarët e grupit komunist PAME, kanë marshuar në sheshin qendror të Athinës, “Sintagma”. Analistët vlerësojnë se Papandreu ia ka dalë mbanë të devijojë një protestë brenda partisë së tij, ku disa prej anëtarëve ishin kritikë të ashpër të masave të reja të kursimit. Megjithatë, kryerja e reformave mbetet sërish një mision i vështirë. Edhe pse të rënda, masat e kursimit ishin një detyrim i paevitueshëm për qeverinë greke për të siguruar të ardhurat e viteve në vazhdim. “Protesta” brenda PASOK-ut u evitua nga riformimi i qeverisë së re, ku detyra e kreut të reformave financiare iu caktua politikanit me përvojë Evangelos Venizelos. Ai është rivali më i fortë i Papandreut brenda partisë dhe tani, përveç postit të ministrit të Jashtëm, mban edhe atë të zëvendëskryeministrit. Pak orë pas emërimit të tij, Venizelos u zotua se do të udhëtojë në Bruksel të dielën për t’u kërkuar huadhënësve të lejojnë “përmirësime… për drejtësinë sociale” në paketën e reformave. Të dielën pritet që ministrat e Financave të Eurozonës të miratojnë këstin prej 12 miliardë eurosh, pjesë e paketës ekzistuese të huas që Greqia e “fitoi” vitin e kaluar. Greqia ka për të paguar një pjesë të borxhit në korrik dhe gusht të këtij viti. Analistët besojnë se Franca dhe Gjermania, të cilat janë aktoret kryesore financiare në grupin e euros, nuk do ta lënë Greqinë të rrëzohet.
Rrezik për Italinë dhe Belgjikën
Në një deklaratë për mediat gjermane, Presidenti i Eurogrupit, Kryeministri i Luksemburgut, Zhan Klod Xhunker, ka paralajmëruar se ideja e Francës dhe Gjermanisë për pjesëmarrjen e bankave private në financimin e ndihmave të tjera për Greqinë mund të bëjë që agjencitë e vlerësimit ta klasifikojnë vendin si të paaftë për të paguar. Sipas Xhunker, një vlerësim i tillë mund të ketë pasoja ekstreme edhe për vendet e tjera të bashkimit monetar, ndër të tjera edhe Belgjikën e Italinë. Në deklaratën e tij për të përditshmen gjermane “Suddeutsche Zeitung”, Xhunker tha se “falimentimi mund të infektojë Portugalinë dhe Irlandën, e për shkak të borxheve të mëdha, edhe Belgjikën dhe Italinë, para se kjo të ndodhë me Spanjën. Çdo pjesëmarrje e kreditorëve privatë duhet të jetë vullnetare”, theksoi Xhunker.











