
DURRES – Vetëm një ditë pasi banorët në Gjirin e Lalëzit të komunës së Ishmit në Durrës deklaruan se nuk do të tërhiqen derisa tokat e tyre të lirohen nga pushtimi që i ka bërë një firmë, disa organizatorë të protestës janë shoqëruar në polici. Burime zyrtare bëjnë të ditur se S. K., 21 vjeç, L. M., 34 vjeç dhe A. M., 37 vjeç, të tre nga Sukthi i Durrësit, janë akuzuar për veprën penale të “shkatërrimit të pronës në bashkëpunim”. Të tre personat pretendojnë se kanë në breg të detit të Gjirit të Lalëzit prona të trashëguara në disa dynymë, por prej disa ditësh një pjesë e kësaj sipërfaqeje është rrethuar për të nisur ngritja e një kompleksi. Pikërisht këtu ka zënë edhe konfrontimi mes punonjësve të firmës dhe banorëve të Lalëzit, Shën Pjetrit, Draçit, të cilët kanë dalë në protestë të organizuar. Policia pretendon se shtetasit e mësipërm, të lindur dhe banues në Sukth të Durrësit, kanë dëmtuar në mënyrë të qëllimtë bazën materiale të firmës, e cila shërben për rrethimin e tokës ku do të ndërtohet resorti turistik. Firma ka shtrirë rrjetat e izolimit të zonës disa metra në thellësi të detit, si dhe ka vijuar gardhin me rrjet teli edhe në brezin e rërës duke u ndalur vetëm në kurorën e pishave. Policia ka thënë se S. K., L. M., A. M. janë shoqëruar në polici pasi kanë kundërshtuar efektivat blu në kohën e organizimit të protestës duke u konfrontuar edhe me uniformat blu. Thuhet se ata kanë shkulur telin në gjatësinë 40 metra të ngulur nga punonjësit e firmës, si dhe kanë hequr forcërisht dhe në mënyrë demonstrative 90 panela hekuri 2×200 metra. Policia fillimisht ka identifikuar autorët e protestës dhe personat që kanë vënë dorë në rrjetën e rrethimit të sipërfaqes së tokës dhe në të gdhirë të ditës ka shoqëruar tre prej tyre të njohur edhe si organizatorë. Të tre personat janë mbajtur për 5-6 orë në mjediset e Komisariatit të Shijakut dhe më pas në Drejtorinë e Policisë së qarkut të Durrësit. Atyre u është bërë e ditur se janë akuzuar për veprën penale të shkatërrimit të pronës në bashkëpunim ndërsa janë lënë në gjendje të lirë. Burime nga vendi ngjarjes bëjnë të ditur se policia ka shoqëruar dhjetëra burra e të rinj, por deri tani vetëm ndaj këtyre tre personave kanë nisur hetimet. Banorët, nga ana tjetër, kanë ndërprerë protestat dhe kanë nisur të grumbullojnë të gjithë dokumentacionin për ta ballafaquar me letrat që ka marrë firma për të ndërtuar kompleksin turistik. Madje ata që prej tri ditësh i kanë dërguar telegram e letër Kryeministrit të vendit Sali Berisha, duke kërkuar të ndërhyhet për të mos lejuar pushtimin e pronave të tyre. Situata e krijuar dhe protestat e banorëve janë ndjekur nga vetë kryekomisari i Policisë së qarkut të Durrësit, drejtues Aleks Hajdari, i cili ka qëndruar gjatë gjithë kohës së bashku me efektivat e tij duke mos lejuar në asnjë rast që policia të përplaset me banorët. l.m











