Protesta kundër “Monstrës” dhe BDI: Nuk jemi terroristë

May 12, 2012 | 14:19

Nga protesta e shqiptarëve dje në Shkup

Maqedoni, mijëra shqiptarë në Shkup e qytete të tjera kundër diskriminimit.

Mijëra shqiptarë protestuan dje në Shkup dhe qytete të tjera të Maqedonisë kundër “inkriminimit të padrejtë nga Policia maqedonase”.
Me flamuj kombëtarë e simbole të reduktuara fetare si dhe me pankarta “Stop Sopoti 2”, “Myslimanët nuk janë terroristë”, “Shqipëri etnike”, “Vrasës” etj., disa mijëra shqiptarë kanë protestuar të premten në mesditë në Shkup për të shprehur revoltën kundër operacionit të policisë “Monstra” dhe proceseve të montuara politike. Protesta që ka zgjatur mbi tri orë, u përshkallëzua kur turma theu me gurë disa xhama të godinës së qeverisë, por incidentet më të mëdha u shënuan në lagjen e Çairit, ku turma sulmoi me gurë dhe mjete të tjera rrethanore selinë e Bashkimit Demokratik për Integrim, si dhe godinën e komunës së Çairit. Kjo është hera e parë që protestohet kundër BDI-së në zonën që prej vitesh është bastion i saj, si dhe hidhen parulla kundër liderit Ali Ahmeti dhe ministrave të BDI-së, të tilla si “Ali Ahmeti shite gjakun e dëshmorëve” e të tjera. Revolta kundër “Monstrës” dhe BDI-së është manifestuar edhe në Tetovë, por turma e protestuesve është frenuar nga kordonët e policisë, duke mos lejuar që të demolonin selinë e partisë në Reçicë të Vogël.
Protesta më të vogla me sloganin “Stop rasteve të montuara politike kundër shqiptarëve” janë zhvilluar edhe në Gostivar, Kumanovë, ndërsa nuk pati në Strugë, Kërçovë e Dibër. Sipas protestuesve, qëllimi i tyre është që t’i tërheqin vëmendjen opinionit në Maqedoni dhe atij ndërkombëtar lidhur me disa pika thelbësore rreth ngjarjeve të fundit. Protestuesit kanë paraqitur pesë kërkesat e tyre në letrën dërguar presidentit Gjorgje Ivanov, ambasadave të SHBA-së, BE-së, OSBE-së, Shqipërisë, Kosovës dhe Turqisë.
Protestat e shqiptarëve u organizuan përmes rrjeteve sociale, ndërsa sot pritet që në Shkup të kundërpërgjigjen me protestë edhe maqedonasit, nga grupi i quajtur “Protesta para qeverisë”. Partitë politike shqiptare kanë pasur qëndrim të rezervuar gjatë këtyre ditëve. Partia në pushtet, BDI, ka kërkuar që të protestohet qetësisht dhe të shmangen incidentet, ndërsa Partia Demokratike Shqiptare ka kërkuar që shqiptarët të mos dalin në këtë protestë, për shkak se nuk dihet cilët janë organizatorët, por edhe që të mos ndërlidhen aspektet fetare me ato kombëtare të shqiptarëve në Maqedoni.
Apel për protesta të qeta dhe demokratike kanë drejtuar edhe përfaqësuesit e huaj në vend, me theksin se duhen lejuar institucionet që të hetojnë dhe të zbardhin vrasjen e pesëfishtë në Smilkovc.
Kjo është e premtja e dytë që protestohet kundër operacionit policor “Mostra”, që dy javë më parë vuri në pranga mbi 20 persona, të dyshuar për vrasjen e pesëfishtë të ndodhur më 12 prill në periferi të Shkupit, në zonën e quajtur Liqeni i Smilkovcës. Çështja i ka kaluar Gjykatës, ndërsa Policia e ka cilësuar si një akt terrorist që është kryer nga radikalë islamikë.

Letra me 5 kërkesat e protestuesve
1. Ne me sinqeritet të plotë e ndajmë dhimbjen me familjarët e të rinjve maqedonas të vrarë kohë më parë dhe kërkojmë që vrasësit e vërtetë të dalin sa më parë para drejtësisë.
2. Protestojmë mbi ofendimet që qeveria i bëri popullit shqiptar të përkatësisë fetare islame duke ua ofenduar bindjet e tyre fetare, si dhe duke shkelur mbi dinjitetin e motrave tona, të arrestuara pa vend.
3. Ne reagojmë ashpër mbi tentimin e qeverisë së Maqedonisë, posaçërisht Ministrisë së Punëve të Brendshme, që të krijojë proces të montuar politik. Dyshimet tona i bazojmë në faktet e pamohueshme, ligjore deri sot, siç janë rastet e Sopotit, Haraçinës, Vreshtat e Rashtakut, të cilat nga organet e rendit dhe ato juridike të Maqedonisë rezultuan si procese të montuara politike.
4. Po ashtu shprehim indinjatën tonë që subjekti shqiptar në këtë qeveri, BDI, nëpërmjet zv.ministrit për punë të Brendshme dhe zëdhënësit të partisë, e legjitimuan këtë ofendim ndaj popullit të tyre, si dhe shkeljen flagrante të të drejtave elementare të njeriut dhe këtë tentim për proces të montuar politikisht.
5. Apelojmë deri tek të gjitha institucionet ndërkombëtare OSBE, te SHBA-ja, BE-ja, Turqia, Shqipëria dhe Kosova, që të insistojnë të krijohet një komision i pavarur hetimor i përbërë edhe nga ekspertë ndërkombëtarë, me qëllim të zbardhjes së drejtë të rastit të të gjithë të arrestuarve. Besojmë se në fund drejtësia do të vijë në vendin e vet, sikur për të rinjtë e vrarë maqedonas, ashtu edhe për ata të cilëve po tentohet t’u krijohet proces i montuar politik.

Nga korrespondentja jonë
në Shkup, Evis Halili

© Panorama.al

Te lidhura