Rreth 200 kandidatë nuk dhanë dje provimin e teorisë dhe praktikës për të marrë patentën. Protesta e Shoqatës së Autoshkollave anuloi testimin. Ashtu siç kishin paralajmëruar, përfaqësuesit e saj u mblodhën dje pranë Drejtorisë Rajonale të Transportit. “Na u premtua se do të ndryshohen udhëzimet që rregullojnë aktivitetin e autoshkollave, jo vetëm që nuk u zbatua kjo, por në Tiranë mund të them se u kthye një patentë një votë. Autoshkollat janë në prag falimentimi. Në Tiranë ka autoshkolla të korruptuara, të lidhura drejtpërsëdrejti me Ministrinë e Transportit ose me Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor”, tha Tonin Gjinaj, kryetar i Shoqatës së Autoshkollave, Dega Tiranë. Përfaqësuesit e 65 autoshkollave në Tiranë paralajmërojnë protesta të tjera nëse nuk zgjidhet ky problem. Pas protestës, as Ministria e Transporteve dhe as Dega e Qarkullimin Rrugor nuk pranuan të reagojnë për kërkesat. Një prej tyre është përmirësimi i testeve për të gjitha kategoritë e lejeve të drejtimit, pasi sipas shoqatës, ato janë problematike dhe mjaft të vështira. Drejtuesit e shoqatës pohojnë se po paguajnë tarifën prej 40 mijë lekësh për rilicencim pranë Drejtorisë Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor, gjë që sipas tyre bie ndesh me Kodin e ri Rrugor.











