
PS shprehet kundër propozimeve të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi.
“Të dënohet nga 3-5 vjet burg, të ndëshkohen dhe meshkujt”
Partia Socialiste shprehet kundër propozimeve të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, për dekriminalizim të prostitucionit dhe shfuqizimin e ndëshkimeve të gjobave dhe burgimit nga Kodi Penal. Madje, socialistët shkojnë me tej në propozimet e tyre, teksa kërkojnë ashpërsimin e ndëshkimeve, që nga 3 vjet të shkojnë deri në 5 vite burgim për femrat që ushtrojnë prostitucion. Në draftin e deputetes së PS-së, Vasilika Hysi, thuhet se përveç femrave që ushtrojnë prostitucion, ndëshkimet me gjobë ose me 5 vite burgim do të prekin dhe meshkujt që paguajnë para në këmbim të seksit. “Përmbajtja e nenit 114 ndryshon si më poshtë: Shtytja, ndërmjetësimi, dhënia ose marrja shpërblim për ushtrimin e prostitucionit, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet”, propozojnë socialistët. Gjatë diskutimeve, nënkryetari i Komisionit të Ligjeve u shpreh se heqja e nenit 113 nga Kodi Penal dhe legalizimi i prostitucionit është një propozim jo logjik. Edhe pse debati do të zhvillohet ditën e hënë, Xhafaj shprehu qëndrimin kundër të opozitës. “Propozimi i ardhur që të shfuqizohet kjo dispozitë, në logjikën time është e papranueshme”, theksoi Xhafaj. Propozimi për të ndëshkuar dhe meshkujt që paguajnë shërbimet seksuale është mbështetur dhe nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit. Vjollca Meçaj pohoi se janë meshkujt kërkuesit e seksit dhe, si të tillë, duhet të ndëshkohen që ky fenomen të frenohet.
Dekriminalizimi i drogës
Komisioni i Ligjeve do të përballet dhe me një kërkesë të dy OJF-ve për të legalizuar substancat narkotike për përdorim personal. Përfaqësuesit e shoqatës “Aksion Plus” dhe “Stop AIDS” u shprehën që marijuana, hashashi dhe drogat e tjera të përdoren në gramaturë të caktuar për konsum personal. “Ajo që propozojmë ne, është të ketë një përcaktim të qartë të gramaturës për përdorim personal. Pra, pasi të vërtetohet që personi i ndaluar nuk e ka për qëllim trafikimi, por në dozë të vogël 1 gram të gjithë drogave ilegale, përfshirë marijuanën, kokainën, heroinën, metafetaminën apo ekstazinë. Kërkojmë që personi pasi të verifikohet dhe të mos dënohet, të lihet i lirë dhe të referohet në organet shëndetësore që merren me këtë punë”, theksoi Ardian Boci, përfaqësues i “Stop AIDS”. “Duke konsideruar heroinën si një ndër drogat që ka efekte psikopatike, mendojmë të punohet në fushën e mjekësisë që të vlerësohet humbja e ekuilibrit mendor dhe të dalin në shtegun e papërgjegjshmërisë penale”, theksoi Jona Lalaj, përfaqësuese e OJF-së “Aksion Plus”.
Debati te Ligjet
Fatmi Xhafaj (PS): Ka një propozim në Komision, është për shfuqizimin e nenit 113 të Kodit Penal, që ka të bëjë me “Ushtrimi i prostitucionit dënohet me gjobë ose me tri vite burgim”. Propozimi i ardhur që të shfuqizohet kjo dispozitë, në logjikën time është e papranueshme. Duam nuk duam, kjo temë do të hapet ditën e hënë dhe nuk është çështja për konventa apo për shtete si Suedia apo Norvegjia. Jetojmë në një realitet konkret, pyetjen nuk e kam për Vasilika Hysin që ta kuptojmë, që të mos marrë zjarr kot. Çfarë mendimi ka shoqëria civile!
Vjollca Meçaj(KMSH): Lidhur me ushtrimin e prostitucionit, ka pasur ide dhe nga shoqëria civile që të shfuqizohet dispozita. Ne kemi konstatuar se sa herë bëhen goditje lidhur me shfrytëzimin e prostitucionit, në fakt ato degradojnë dhe në vend që të ndëshkohen dhe arrestohen shfrytëzuesit, faji shkon te viktima. Është një argument shumë i rëndësishëm fakti që ne duam të kemi një shoqëri puritane dhe të ndëshkojmë atë që ofron trupin e saj, por asnjëherë s’kemi menduar që të ofrojmë atë që paguan për ta marrë atë shërbim. Ka domate në treg, sepse ne i hamë dhe i paguajmë për t’i marrë. Dikush ofrohet për të prostituuar, se ka një kategori shtetasish të cilët paguajnë për ta pasur. Nëse asnjë mashkull s’do të kërkonte të kryente seks me një prostitutë që ofrohet, të jeni të sigurt që askush s’do e ofronte trupin e saj. Unë kam parë në propozimet që bëhen nga organizatat e grave që ato tentojnë ta përmbysin situatën që ju kanë propozuar, që të ndëshkohet kush e ofron, por ai që paguan është motori që e nxit ekzistencën e prostitucionit.
Shega Ligori(PS): Kastraveci e nxit!?
Fatos Hoxha(PD): Të ndëshkohet kastraveci?! (Të qeshura në sallë)
Vjollca Meçaj(KMSH): Po po, motori është i atij që e kërkon dhe paguan për prostitucion.
Fatos Hoxha(PD): Kastraveci që kërkon domate, të ndëshkohet.
Vjollca Meçaj (KMSH): Ok si të doni ju zotëri, kastraveci!
FATION BINJAKU
© Panorama.al











