
Komisioni i Ligjeve miratoi sot me konsensus ndryshimet në Kodin Penal në dispozitën për prostitucionin. Sipas amendimeve të përbashkëta, hiqet dënimi me burg për femrat qe prostituojnë, ndërsa tashmë parashikohet dënim me burg edhe për klientin dhe tutorin. Kështu nga ndryshimet e bëra, klienti do të dënohet deri në 3 vite burg, ndërsa me 5 vite burg parashikohet dënimi për tutorin.
Në propozimin e përbashkët të relatores Ermonela Felaj dhe Ministrisë së Drejtësisë, paragrafi i parë i nenit 113 qëndron dhe shtohet një paragraf i dytë, në të cilin thuhet se “Dhënia e shpërblimit për përfitim personal të prostitucionit përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet”.











