Prostitucioni, mes profesionit dhe ndëshkimit/ Xhezair Zaganjori: Kërkues janë 261 persona në Francë, kryesisht femra. Mes tyre, edhe shqiptare! Çfarë përmban vendimi i Strasburgut më 25 korrik

Sep 10, 2024 | 11:51
SHPËRNDAJE

XHEZAIR ZAGANJORI/ Më 25 korrik të këtij viti (2024), Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut (Gjykata e Strasburgut) dha një vendim mjaft interesant lidhur me problemin delikat të prostitucionit në Europë. Duke iu përgjigjur pretendimeve të kërkuesve në çështjen “M.A. dhe të Tjerë kundër Francës”, Gjykata e Strasburgut thekson ndër të tjera në këtë vendim se prostitucioni ngre në vetvete shumë probleme etike, sociale dhe morale, gjë që shfaqet në publik përmes pikëpamjeve dhe qëndrimeve të ndryshme e shpeshherë edhe kontradiktore jo vetëm mes 46 shteteve anëtare të Këshillit të Europës, por edhe në organizata të shumta ndërkombëtare të angazhuara në këtë fushë.

zaganjori prostitucion strasburg

Pikërisht për këto arsye, aty vihet qartësisht në dukje se mungesa e konsensusit të përgjithshëm në këtë drejtim bën që aktualisht shtetet të gëzojnë individualisht diskrecion apo hapësirë vlerësimi mjaft të gjerë në miratimin e masave dhe të kuadrit të nevojshëm ligjor që rregullon prostitucionin. Vendimi në fjalë është marrë nga një prej dhomave normale të gjykimit me shtatë gjyqtarë të kësaj gjykate.

Megjithatë, ai është mjaft i plotë dhe i analizuar me shumë kujdes, duke na dhënë një pamje të përgjithshme e shumë të qartë të modeleve kryesore që ekzistojnë momentalisht në shtete të ndryshme të Europës lidhur me qasjen ndaj këtij fenomeni. Duhet vënë në dukje që në fillim se në çështjen në fjalë, pra “M.A. dhe të Tjerë kundër Francës”, kërkues në Strasburg janë 261 persona, kryesisht femra, që e ushtrojnë ligjërisht prostitucionin në territorin e Francës. Ato kanë shtetësi të ndryshme (20 të tilla), si shqiptare, algjeriane, argjentinase, franceze, braziliane, bullgare, rumune, kineze, kolumbiane, nigeriane, kamerunase, peruane e të tjerë. Pasi kanë ezauruar pa sukses mjetet e brendshme të ankimit në Francë (deri në Këshillin e Shtetit dhe Gjykatën Kushtetuese), konkretisht ato kundërshtojnë bashkërisht në Strasburg ndryshimet ligjore të 13 prillit të vitit 2016, me titull “Për fuqizimin e luftës kundër sistemit të prostitucionit dhe garantimin e mbështetjes për prostitutat…”, të përfshira më pas po në këtë vit në Kodin Penal francez, konkretisht në dispozitat 611/1 dhe 225/12/1, të tij.

Sipas këtyre ndryshimeve, ndër të tjera, ndërsa vazhdohet të tolerohet ofrimi apo shitja e marrëdhënies seksuale (normalisht nga femrat), kriminalizohet apo dënohet penalisht blerja e kësaj marrëdhënie (normalisht nga meshkujt). 261 kërkueset vënë në dukje që pavarësisht se formalisht krijohet përshtypja se ato nuk cenohen nga këto ndryshime, në fakt ndodh e kundërta, pasi në thelb ky kriminalizim frikëson apo largon klientët e tyre, “…duke cenuar kështu seriozisht shëndetin dhe integritetin mendor e fizik të personave të përfshirë në prostitucion…”. Sipas tyre, në këtë mënyrë shkelen hapur disa nga dispozitat kryesore të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, e konkretisht neni 2 (e drejta e jetës), neni 3 (…trajtimi çnjerëzor e degradues) e në mënyrë të veçantë neni 8 (… e drejta e respektimit të jetës private, e cila garanton ndër të tjera edhe të drejtën për autonomi personale të individit si dhe lirinë seksuale të tij). Siç do të shohim më poshtë, Gjykata e Strasburgut në arsyetimin e saj ndalet natyrshëm tërësisht në analizën e pretendimeve të kërkuesve në kuadër të standardeve të nenit 8 të Konventës.

Megjithatë, për të kuptuar më mirë argumentet e Gjykatës, le të bëjmë shkurtimisht një paraqitje të përgjithshme të kuptimit ligjor e praktik i termit prostitucion. Përgjithësisht me prostitucion kuptohet marrëdhënia seksuale me individë të panjohur më parë, realizuar në këmbim të pagesës së menjëhershme në para apo sende të tjera me vlerë (termi “prostitucion” vjen nga latinishtja – “pro” që nënkupton “drejtpërsëdrejti”, si dhe “stituere”, që do të thotë të “ofrosh për shitje” ). Shpesh ky term ka konotacion negativ, ndaj në shoqëri të ndryshme ndodh që kjo fjalë të jetë zëvendësuar me terma të tjerë. Nga ana tjetër, në parim pranohet thuajse kudo që në rolin e prostitutës mund të jetë edhe individi mashkull. Sidoqoftë, në jetën e përditshme prostitucioni perceptohet thuajse gjithnjë si veprimtari femërore, të cilat kanë si klientë të tyre personat e seksit mashkull. Si e tillë ajo ka ekzistuar që në lashtësi.

Në shekuj prostitutat janë shmangur e fyer nga shoqëria, e për më tepër ndaj tyre janë dhënë dënime të ashpra, të ekzekutuara shpesh në publik, si goditja me gurë apo me kamxhik, damkosja me hekur të nxehtë, burgosja, e deri në dënimin me vdekje, në një kohë që për meshkujt nuk ndërmerrej asnjë veprim. Në Greqi e në Romën e Lashtë, prostitucioni lejohej i licencuar dhe i mbikëqyrur në mënyrë që të ndalohej transmetimi i sëmundjeve veneriane. Nga ana tjetër, prostitutat duhej të vishnin rroba të veçanta dhe të paguanin taksa relativisht të larta. Është e njohur banesa me emrin Lupanar (shtëpi publike apo “shtëpia e ulkonjës”) në qytetin e lashtë romak Pompei në afërsi të Napolit, i cili u mbulua nga llava e Malit të Vezuvit në vitin 79 të erës sonë. Brenda kësaj banese dallohen edhe sot pikturat erotike në mur si dhe portreti i Venusit, që sipas mitologjisë romake ishte perëndesha e dashurisë, bukurisë, seksit, fertilitetit dhe prosperitetit. Shtetari dhe udhëheqësi i shquar ushtarak i Romës, Jul Cezari, e konsideronte veten si pasardhës të saj.

Në periudhën e Mesjetës, në Europë, përgjithësisht prostitucioni jo vetëm u tolerua, por edhe u rregullua me ligj, duke përbërë kështu një burim të rëndësishëm të të ardhurave publike. U zhvillua veçanërisht në portet e mëdha, si Hamburg, Roterdam, Amsterdam, e të tjerë, si “shërbim” në para që u ofrohej kryesisht marinarëve që vinin pas një periudhe të gjatë lundrimi në det. Më pas shumë prej shtëpive publike do të mbylleshin për shkak të epidemive të sëmundjeve veneriane si dhe përhapjes gjerësisht të moralit seksual që pasoi të ashtuquajturën Reformë Protestane në Europë. Bashkëpunimi ndërkombëtar kundër trafikimit të femrave për prostitucion fillon në vitin 1899.

Më pas, me këtë problem do të merrej në vitin 1921 edhe Lidhja e Kombeve, e cila do të krijonte për këtë qëllim Komitetin për Ndalimin e Trafikimit të Grave e Fëmijëve. Në vitin 1949, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së do të miratonte Konventën mbi Ndalimin e Prostitucionit, e cila është ende në fuqi (ka 95 shtete palë, mes të cilave edhe Shqipëria, që në vitin 1958). Megjithatë, sot në shumicën e qyteteve të mëdha të Europës, prostitucioni tolerohet gjerësisht, por duke qenë gjithnjë i rregulluar me ligj. Përgjithësisht vlerësohet se prostitutat janë kryesisht femra në vështirësi ekonomike ose të pamartuara apo të shkurorëzuara. Përveç tyre, ka shumë individë që për shkaqe të veçanta sociale apo familjare e ushqejnë kulturën e prostitucionit që në moshë të re, duke e shfrytëzuar këtë mundësi si një mjet të shpejtë punësimi e përfitimi. Në raste të tjera ky aktivitet është rezultat edhe i trysnisë, presionit apo trafikimit të femrave në mënyrë të hapur apo të kamufluar përmes mashtrimit.

Sa më sipër ndodh jo rrallë që prostitucioni të shoqërohet edhe me veprimtari kriminale, veçanërisht me përdorimin e trafikimin e lëndëve narkotike. Pasi kemi bërë këtë paraqitje të shkurtër, rikthehemi te vendimi i Gjykatës së Strasburgut, e cila siç është përmendur më sipër, pasi e analizon problemin e prostitucionit në tërësi, ndalet me radhë në verifikimin nëse ndryshimet ligjore të kundërshtuara (nenet 611/1 dhe 225/12/1 të Kodit Penal francez) cenojnë ose jo nenin 8 të Konventës. Për të arritur në këtë përfundim, Gjykata vlerëson me kujdes nëse: Kemi ose jo ndërhyrje në jetën private, nëse ndërhyrja është bërë ose jo me ligj dhe nëse ajo synon arritjen e një qëllimi të ligjshëm dhe në fund nëse ajo (pra ndërhyrja) është proporcionale dhe e domosdoshme në një shoqëri demokratike. Në funksion të këtyre standardeve, nga ky vendim mund të evidentohen në mënyrë të veçantë këto deklarime të Gjykatës:

1) Është e qartë që ndryshimet e Kodit Penal të vitit 2016, duke kriminalizuar blerjen e aktivitetit seksual, ndërhyjnë në autonominë dhe lirinë seksuale edhe të kërkueseve. Por këto ndryshime janë bërë me ligj dhe ndjekin një qëllim të ligjshëm, që është rregullimi më i mirë dhe ndalimi progresiv i prostitucionit të detyruar, i cili është i papajtueshëm me të drejtat individuale dhe me dinjitetin e njeriut. Nga ana tjetër, duke bërë këtë zgjedhje, ligjvënësi francez mendon se në këtë mënyrë luftohen me efektivitet më të madh rrjetet e prostitucionit dhe të trafikimit të qenieve njerëzore, si dhe mbrohen më mirë viktimat e këtij aktiviteti, gjë që përbën një detyrim mjaft të rëndësishëm për çdo shtet që është palë në Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut.

2) Bazuar në parimin e hapësirës së vlerësimit, sipas të cilit, në nivel kombëtar, në çdo rast të veçantë merren parasysh edhe faktorë të tillë të rëndësishëm, si trashëgimia fetare dhe kulturore, niveli i ekspozimit ndaj prostitucionit, lidhja e këtij aktiviteti me veprimtari të ndryshme kriminale, qëndrimet mbisunduese që mbahen nga opinioni i gjerë publik, e të tjerë, shtetet marrin masa të ndryshme ligjore e administrative për të luftuar sa më efektivisht aspektet negative të këtij fenomeni. Kështu, nga analiza e praktikave ligjore e administrative ndaj prostitucionit, shtetet anëtare të Këshillit të Europës mund të ndahen në pesë grupime kryesore, që janë:

a) Grupi i shteteve që e tolerojnë tërësisht marrëdhënien seksuale me pagesë dhe me pëlqim të palëve, që do të thotë se nuk e konsiderojnë prostitucionin si aktivitet të dënueshëm as penalisht dhe as administrativisht, si për prostitutën, ashtu edhe për klientin që e blen këtë aktivitet. Në përgjithësi, në këtë rast, ligjërisht prostitutave u kërkohet vetëm të regjistrohen (licencohen), të paguajnë një taksë të caktuar dhe në mënyrë periodike të bëjnë kontroll të detyrueshëm mjekësor. Ky është në fakt edhe grupi më i madh, që përfshin 27 shtete anëtare të Këshillit të Europës, që janë: Gjermania, Austria, Belgjika, Bullgaria, Qipro, Danimarka, Spanja, Estonia, Finlanda, Greqia, Hungaria, Italia, Letonia, Lihtenshtajn, Luksemburgu, Malta, Mali i Zi, Holanda, Polonia, Portugalia, Çekia, Rumania, San Marino, Sllovenia, Sllovakia, Zvicra dhe Turqia. Pavarësisht ndryshimeve të vogla, në këtë kategori mund të përfshihet edhe Mbretëria e Bashkuar.

b)Grupi i shteteve anëtare që dënojnë për prostitucion me një dënim relativisht të lehtë administrativ vetëm prostitutën, në një kohë që klienti i saj nuk mban asnjë lloj përgjegjësie. Këtu përfshihen pesë shtete, që janë: Armenia, Kroacia, Gjeorgjia, Maqedonia e Veriut dhe Ukraina.

c) Grupi i shteteve anëtare që dënojnë me masa administrative relativisht të vogla si prostitutën, ashtu edhe klientin e saj. Në këtë grup bëjnë pjesë katër shtete anëtare, që janë: Lituania, Moldavia, Serbia dhe BosnjeHercegovina.

d) Grupi i shteteve anëtare që dënojnë penalisht vetëm klientin, ndërsa prostituta nuk ka asnjë lloj përgjegjësie, as penale dhe as administrative, ashtu siç ka vepruar Franca me ndryshimet e Kodit Penal të vitit 2016. Në këtë grup, përveç Francës bëjnë pjesë edhe disa vende nordike, që janë: Islanda, Norvegjia, Suedia si dhe Irlanda e Veriut (që është një prej tre juridiksioneve të Mbretërisë së Bashkuar). Së pesti apo së fundi, Grupi e) në të cilin përfshihen shtetet që në rastin e prostitucionit i konsiderojnë përgjegjës penalisht si prostitutën, ashtu edhe klientin e saj. Në këtë grup bën pjesë vetëm vendi ynë, pra vetëm Shqipëria (ky është në fakt qëndrimi më konservator, pasi kriminalizon e dënon penalisht me burgim edhe femrën – shënimi ynë).

3) Nga paraqitja e mësipërme, duket qartë që referuar qëndrimeve ndaj prostitucionit, Franca e gjen veten në një situatë pakice në Europë, pasi me ndryshimet e Kodit Penal të vitit 2016, ajo ka zgjedhur “modelin nordik”, i cili pavarësisht se nuk dënon prostitutën që shet marrëdhënien seksuale, kriminalizon nga ana tjetër aktin e blerjes së kësaj marrëdhënieje nga klienti. Megjithatë, ky qëndrim mund të konsiderohet si “abolicionist” (nga anglishtja “abolish”, që do të thotë t’i japësh fund diçkaje..), pasi synon që gradualisht t’i japë fund këtij fenomeni. Për më tepër, edhe vetë zgjedhja e bërë prej saj përfshihet në parimin e hapësirës së vlerësimit, pasi ritheksojmë se qëndrimet e shteteve anëtare në këtë fushë janë të ndryshme e shumë kontradiktore, përfshirë këtu edhe faktin e lidhjes së drejtpërdrejtë ose jo të trafikimit të qenieve njerëzore me prostitucionin.

4) Duke i analizuar ndryshimet e kontestuara të vitit 2016 në Kodin Penal në funksion të parimit të përgjithshëm të proporcionalitetit, Gjykata e Strasburgut vë në dukje ndër të tjera se kriminalizimi i blerjes së marrëdhënies seksuale në Francë, pra dënimi penal vetëm i klientit, ishte pjesë e një plani të përgjithshëm kombëtar për të luftuar prostitucionin. Prandaj, ndryshimet ligjore në fjalë u miratuan në përfundim të një procesi të gjatë e kompleks legjislativ.

Analiza dhe debati parlamentar i zhvilluar në Francë evidentoi se në këtë fushë ka divergjenca mes pikëpamjeve e qëndrimeve mbi qasjen ndaj këtij fenomeni. Deri më sot, asnjë nga politikat publike të shteteve të tjera nuk rezulton të ketë gjetur e zbatuar një zgjidhje ideale. I vetëdijshëm për këto vështirësi, ligjvënësi francez bëri zgjedhjen e tij, pas një shqyrtimi të kujdesshëm të të gjithë aspekteve kulturore, sociale, politike e ligjore të prostitucionit. Bazuar në këtë vlerësim, kuadri i ri ligjor i miratuar në vitin 2016 kishte parasysh arritjen e katër synimeve kryesore në Francë, që janë:

a) Heqja e çdo dispozite ligjore që mund të inkurajojë sado pak prostitucionin, por pa e ndaluar atë ligjërisht.

b)Krijimi i një sistemi për mbrojtjen efektive të prostitutave, veçanërisht përsa i përket detyrimit dhe shfrytëzimit të tyre nga persona të tjerë.

c) Marrja e masave parandaluese për të penguar hyrjen në rrugën e prostitucionit, dhe

d) Ndihma efektive për riintegrimin e prostitutave që dëshirojnë të largohen nga ky aktivitet. Bazuar në sa më sipër, Gjykata e Strasburgut arrin në konkluzionin se në miratimin e ndryshimeve të vitit 2016 në Kodin Penal lidhur me prostitucionin, Franca si shtet palë në Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut ka pasur parasysh dhe ka krijuar një ekuilibër të drejtë mes interesave konkurruese, që janë interesi i përgjithshëm i shoqërisë si dhe interesi i individit për mbrojtjen e autonomisë personale dhe të lirisë seksuale, garantuar nga neni 8. Në këtë mënyrë, nuk është tejkaluar parimi i hapësirës së vlerësimit, ndaj nuk ka as shkelje të nenit 8 të Konventës nga ana e Francës. Është interesant të vihet në dukje se në fund të vendimit, Gjykata e Strasburgut ka një mesazh që u drejtohet të gjithë shteteve palë në Konventë, duke theksuar se autoritetet kombëtare të çdo shteti kanë për detyrë të mos mbeten skllevër të zgjedhjeve të bëra prej tyre lidhur me prostitucionin, por ta diskutojnë gjerësisht këtë çështje e të bëjnë sipas rastit ndryshimet e duhura, veçanërisht atëherë kur këto zgjedhje ligjore ndalojnë në përgjithësi dhe në mënyrë absolute blerjen e marrëdhënies seksuale. Në këtë mënyrë, ato do të kenë mundësinë të bëjnë ndryshimet e duhura në përputhje me evoluimin e shoqërisë europiane dhe të standardeve ndërkombëtare, pasi vetëm kështu do të kishin efekt real edhe masat ligjore të miratuara.

Padyshim që ky orientim do të ishte i vlefshëm edhe për vendin tonë, veçanërisht përsa i përket rishikimit të parashikimit të dënimit penal të femrave, të cilat, për shkak të rrethanave të ndryshme kanë zgjedhur të shesin marrëdhënien seksuale. Për të luftuar efektivisht prostitucionin, sigurisht që prioritet absolut kanë sot në kushtet e proceseve integruese e globalizuese zgjidhjet ligjore me natyrë edukative, parandaluese dhe rehabilituese dhe jo dënimi penal apo edhe administrativ i individëve të përfshirë në këtë aktivitet, aq më tepër i femrave, që shpesh, në një formë apo një tjetër, i janë futur kësaj rruge në mënyrë të imponuar./Gazeta Panorama 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura