
Komisioni i Ligjeve do të marrë sot sërish në shqyrtim ndryshimet për Kodin Penal. Ja variantet që diskutohen.
PS: Qeveria s’ka struktura monitorimi nëse lejohet liberalizimi.
Komisioni i Ligjeve do të marrë sot sërish në shqyrtim ndryshimet për Kodin Penal. Pas miratimit të neneve për sanksionet në zgjedhje dhe ato të luftës ndaj terrorizmit, në axhendë janë ndryshimet në dispozitën për prostitucionin dhe dhunën në familje. Edhe gjatë mbledhjes së sotme, deputetët e shumicës dhe opozitës do të diskutojnë mbi dy variante: liberalizimin e prostitucionit duke hequr fare nenin 113 të Kodit Penal dhe vendosjen e dënimit me gjobë gjer në tre vjet burg edhe për klientët, pasi aktualisht dënohen vetëm prostitutat. Burime pranë opozitës bënë të ditur për gazetën se dy forcat kryesore janë më afër variantit të dytë. Kjo për shkak se liberalizimi i prostitucionit nuk i gjen ende të përgatitura strukturat shtetërore. Në propozimin e përbashkët të relatores Ermonela Felaj dhe Ministrisë së Drejtësisë, paragrafi i parë i këtij neni qëndron dhe shtohet një paragraf i dytë, në të cilin thuhet se “Dhënia e shpërblimit për përfitim personal të prostitucionit përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet”.
Kasmi
Lidhur me këtë çështje, zv.ministrja e Drejtësisë, Brikena Kasmi, flet për dy variantet mbi të cilat do të diskutohet sot. Sipas saj, liberalizimi i prostitucionit kërkon masa specifike nga shteti dhe nuk mund të hiqet tani nga ligji. “Duhet ta shikojmë, pasi liberalizimi nuk është një situatë që mund të hiqet tani nga Kodi Penal dhe OK, kemi liberalizimin. Liberalizimi do të shoqërohet me masa specifike, që kanë të bëjnë me kujdesin shëndetësor, me masat që kanë të bëjnë me ambientet të cilat do të ushtrohet. Pra, është pjesë e një analize të gjatë e të detajuar me efekte sociale e ekonomike”,- tha Kasmi. Ajo shtoi më tej se modeli francez dhe ai gjerman ku prostitucioni është i liberalizuar, tashmë ka dështuar. “Ka pasur standarde të ndryshme, p.sh. Franca e Suedia e kanë rifutur sërish ushtrimin e prostitucionit në Kodin Penal, duke e kriminalizuar si vepër penale. Është momenti që të rishikohet dhe të ketë një analizë të detajuar të rastit të ushtrimit të profesionit, duke përfshirë gjithashtu dhe klientelizmin, duke përfshirë dhe subjekte të tjera, por duke mbajtur në konsideratë të veçantë ushtrim të profesionit kur subjekti është i mitur”, u shpreh Kasmi. Komisioni i Ligjeve do të diskutojë disa amendamente edhe për dhunën në familje. Partia Socialiste nuk pranon një amendament të deputetit të PD-së, Gumi, ku thuhet: “Gjykata mund të vendosë caktimin e një periudhe sigurie, kur vepra penale, masa e dënimit të së cilës është mbi 5 vjet, apo kur kryerja e veprës penale është bërë me egërsi dhe mizori”. Në komentin e relatores Felaj thuhet se “për dënime mbi 5 vjet duhet të vuhet ¾ e dënimit që të mund të përfitohet liria me kusht. Veç kësaj, dispozita duket e panevojshme, sepse në Kodin Penal janë të rregulluara shumë mirë rastet e lirimit para kohe me kusht”.
Hetimi i Kryeministrit
Në mbledhjen e sotme, veç propozimeve të disa institucioneve, do të shqyrtohen edhe propozimet e PS-së, ku më i debatuari pritet të jetë ai për hetimin e Kryeministrit dhe ministrave pasi lënë postin. “Kryeministri dhe ministrat, edhe pas mbarimit të detyrës, i nënshtrohen juridiksionit të zakonshëm për veprat penale të kryera gjatë ushtrimit të funksioneve të tyre. Ministrat janë përgjegjës kolegjialisht për aktet e Këshillit të Ministrave dhe individualisht për aktet e institucioneve të tyre. Përgjegjësia penale e Kryeministrit dhe e ministrave rregullohen me ligj të veçantë (pjesë përbërëse e këtij Kodi)”, thuhet në dispozitën që propozon PS-ja.
Reforma zgjedhore, të “vegjlit” votë kundër PD-PS

Reforma zgjedhore duket se do të miratohet vetëm me votat e përfaqësuesve të dy partive kryesore PD-PS, pasi të “vegjlit” deklarojnë votën kundër. Kërkesa kryesore e partive të vogla nuk është marrë në konsideratë nga demokratët dhe socialistët në Komisionin e Reformës Zgjedhore dhe, për rrjedhojë, të “vegjlit” ndihen të mënjanuar. Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, deklaroi dje se vota dhe prania e të vegjëlve nuk luan asnjë rol në komisionin e dy të mëdhenjve. “Dy partitë kanë gjetur gjuhën për të groposur partitë e tjera dhe kanë probleme se si do të ndajnë raportet me njëra-tjetrën. Gjehen pretekste nga më të ndryshmet, qoftë të qëndrojnë brenda kuadrit të OSBE/ODHIR apo të bëjmë një reformë të plotë. Partitë e tjera nuk kanë ndonjë vlerë të madhe në votën e tyre, sepse vota e Partisë Demokratike dhe asaj Socialiste janë ato që determinojnë si konsensusin, edhe mosfunksioninimin apo vendimin e këtij komisioni. Kështu që prezenca është krejt formale, pa pikën e vlerës”, deklaroi Mediu. Më pesimist duket kreu i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, i cili thotë se produkti i reformës zgjedhore do të jetë si ai i vitit 2008. “Do të kemi një produkt të ngjashëm me ato të reformave të mëparshme zgjedhore, të cilat na çuan në mënyrë të përsëritur dhe sistematike në zgjedhje të dështuara dhe të kontestuara”, deklaroi Vangjel Dule.
Komisioni “Spahiu”, sot raporti
Komisioni Hetimor për nisjen e procedurave të shkarkimit të Kreshnik Spahiut nga nënkryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë do të miratojë sot raportin final. Pas përfundimit të hetimeve, raporti do t’i dërgohet për votim seancës së Parlamentit dhe do t’i nënshtrohet votimit. Kryetari i komisionit hetimor, Enkelejd Alibeaj, deklaroi se nuk e njeh dorëheqjen e Kreshnik Spahiut nga postet në KLD, sepse largimi duhet të ishte kërkuar prej institucionit të emërimit, që sipas tij është Kuvendi.Monumentet me qira, sot te Media
Shoqatat për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës do të jenë të ftuar sot në Komisionin Parlamentar të Medias dhe Edukimit, për t’u shprehur lidhur me nismën e Ministrisë së Kulturës për dhënien me qira të rreth 40 monumenteve në të gjithë Shqipërinë. Kjo nismë parashikon që subjektet private mund të marrin në përdorim objektet e trashëgimisë kulturore për t’i mirëmbajtur dhe për të ushtruar me to aktivitet fitimprurës. Kjo nismë pritet të shoqërohet me debate të ashpra në mbledhjen e sotshme.
ADI SHKEMBI
© Panorama.al











