Prosperitet për shumë, apo fatkeqësi për të gjithë?

Jun 16, 2012 | 11:59

JANEZ POTOÇNIK

Pas më shumë se një jave, liderët botërorë do të mblidhen në Brazil për Samitin Rio+20, për të vendosur mbi të ardhmen që duam. Njëzet vite pas samitit të parë mbi tokën, tema është ekonomia e gjelbër në kontekstin e zhvillimit të qëndrueshëm dhe uljes së varfërisë. Përse është e rëndësishme kjo konferencë dhe përse këto aspirata për një ekonomi të gjelbër? Ekonomia e gjelbër është ajo që reflekton përmirësim të mirëqenies së njerëzve dhe barazi sociale, duke reduktuar në mënyrë domethënëse rreziqet mjedisore dhe problemet ekologjike.  Rritja dhe zhvillimi në një ekonomi të gjelbër motivohet nga investime, të cilat reduktojnë presionin ndaj mjedisit dhe shërbimeve ndaj ndesh, duke theksuar eficiencën e energjisë dhe burimeve. E thënë më thjeshtë, sipas një diplomati afrikan: është strategjia jonë e mbijetesës. Ekonomia e gjelbër është një mjet drejt zhvillimit të qëndrueshëm. Nuk mund të ketë zhvillim të qëndrueshëm pa barazi sociale; nuk mund të ketë zhvillim pa menaxhimin e duhur të burimeve tona natyrore tek të cilat varen ekonomitë tona. Ne kemi nevojë për zhvillim të qëndrueshëm për të arritur prosperitet për shumë njerëz sesa fatkeqësi për të gjithë.
Ne kemi pasur disi progres që prej vitit 1992, por natyrisht, nuk ka qenë i mjaftueshëm. Miliona njerëz vuajnë ende sot nga uria. Nëse vazhdojmë të përdorim burimet në shkallën aktuale, në vitin 2050 do të kemi nevojë për ekuivalentin e më shumë se dy planetëve për të na mbajtur dhe aspiratat e shumë njerëzve për një cilësi më të mirë jetese nuk do të arrihen.
Më të varfrit në shoqëritë tona do të vuajnë më shumë nëse i përdorin burimet tona në mënyrë të paqëndrueshme, pasi jetët dhe jetesa e tyre varen drejtpërsëdrejti nga uji, toka, deti, pyjet dhe dheu. Ekzistojnë sfida të reja, të cilat përbëjnë kërcënim serioz ndaj zhvillimit të qëndrueshëm – që nga ndryshimet klimaterike dhe mungesës së ujit, deri te fatkeqësitë natyrore dhe humbjet e biodiversitetit dhe ekosistemit.
Megjithatë, ne kemi instrumentet për t’i ballafaquar këto sfida dhe për t’i transformuar ato në mundësi. Shumë vende mund të kalojnë shpejt drejt teknologjive eficiente dhe sistemeve të cilat do t’i mundësojnë ato të shfrytëzojnë burimet e tyre, që nga pyjet dhe biodiversiteti, deri te toka dhe mineralet, në mënyra që janë të qëndrueshme dhe mundësojnë mbështetjen e rritjes së konsumit. Vendet në zhvillim mund të kenë rreth 70 deri 85% të mundësive për të rritur produktivitetin e burimeve. Vende që mësojnë të shfrytëzojnë kapitalin e tyre natyror në një mënyrë inteligjente dhe të qëndrueshme do të jenë fitimtaret e së nesërmes. Sipas një raporti të Organizatës Ndërkombëtare të Punës, transformimi drejt një ekonomie të gjelbër mund të gjenerojë 15 deri 60 milionë punë të tjera në të gjithë botën gjatë dy dekadave të tjera, si dhe do të nxjerrë nga varfëria me qindra e mijëra punëtorë.
Kjo është arsyeja se pse Bashkimi Europian do të vazhdojë të luftojë që Rio+20 të dalë në një përfundim të fokusuar dhe ambicioz. Ne duam që të fillojmë diçka të pakthyeshme, diçka që ka ndikim real në jetët e njerëzve. Në fund të fundit, kjo është një konferencë për njerëzit – për ne, për të ardhmen tonë. Ne kemi sugjeruar qëllime dhe objektiva mbi burimet kryesore natyrore që mbështesin një ekonomi të gjelbër: uji, oqeanet, toka dhe ekosistemet, pyjet, energji të riciklueshme dhe eficiencë burimesh, përfshirë mbetjet. Këto objektiva janë thelbësore për një rritje të qëndrueshme dhe të lidhura ngushtë me çështjet e sigurisë së ushqimit, uljen e varfërisë dhe zhvillimin social. Këto qëllime do ta bënin sektorin privat të investonte, do të nxiste risi teknologjike dhe krijimin e vendeve të reja të punës. Një nga rezultatet e dëshiruara të Rios është se të gjitha kompanitë e mëdha private të renditura në bursat botërore duhet të përfshijnë në raportet e tyre vjetore riciklimin, ose, në të kundërt, të shpjegojnë pse nuk e bëjnë një gjë të tillë. Banka Botërore ka lançuar një iniciativë interesante, ku kompanitë do të përdorin mekanizma kontabël në statistikat e tyre. Ky mund të jetë fillimi i një realiteti të ri, ku kapitali natyror dhe riciklueshmëria ka vlerë. Por është e qartë se ndryshimi nuk do të ndodhë pa angazhimin e të gjithëve. Jo vetëm politikanët do të duhet të binden – gjithashtu kemi nevojë edhe për përfshirjen e bizneseve, shoqërive civile dhe individëve.
Ndërsa shumë vende kanë një strukturë më të mirë sot në krahasim me njëzet vjet më parë, më të varfërve do t’u nevojitet ende ndihmë për të pasur akses në edukimin, infrastrukturën dhe aftësitë e duhura. Kjo është arsyeja pse BE-ja mbetet donatori më i madh i ndihmave në botë. Në vitin 2011 dhamë 53 miliardë euro në ndihmë të zhvillimit – më shumë se gjysma e ndihmave në të gjithë botën. Dhe kjo është arsyeja se pse ne do t’i mbajmë premtimet tona. Pavarësisht krizës financiare aktuale, vendet e BE-së kohët e fundit riafirmuan këtë zotim, i cili do të shndërrohej në një ndihmë shtesë të rëndësishme për zhvillimin deri në vitin 2015, përfshirë projektet e lidhura me rezultatet e Rios.
Atëherë lind pyetja: çfarë të ardhme duam? Ja përgjigjja nga 17-vjeçarja Britani Trillford (Brittany Trilford) nga Zelanda e Re, fituesja  e konkursit “E ardhmja që duam” dhe që do të drejtojë udhëheqësit në Rio: ”Sinqerisht, unë do të isha e lumtur vetëm të kisha një të ardhme. Ta kisha të garantuar. Nuk e kam këtë tani”. Kjo nuk duhet vetëm për të ardhmen e brezit të Britanisë dhe të brezave të ardhshëm. Kjo tashmë është për ne, është e ardhmja jonë, të cilën ne e vëmë në rrezik nëse nuk i zgjidhim problemet e burimeve që nuk janë të pafundme, problemet e zhvillimit të paqëndrueshëm dhe problemet e varfërisë masive. Le të mos e humbasim mundësinë që kemi për të zgjedhur të ardhmen që duam – ndërsa ende kemi mundësi ta bëjmë këtë.
*Komisioneri i BE-së për Mjedisin

© Panorama.al

Te lidhura