Propozimi i Ramës për Asociacionin, reagon zyra e kryeministrit Kurti: Ndërmjetësues kemi shumë, nga Shqipëria presim mbështetje

Jun 9, 2023 | 22:51
SHPËRNDAJE

Zyra e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti ka reaguar pas propozimit të kryeministrit Edi Rama për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Në reagim theksohet se kjo është çështje e funksionalitetit të Kosovës. Më tej thuhet se ndërmjetësuesit nuk mungojnë dhe nga Shqipëria Kosova pret vetëm mbështetje.

“Çështja e kryetarëve të katër komunave në veri të vendit është çështje e respektimit të kushtetutës, sundimit të ligjit dhe ofrimit të shërbimeve ndaj qytetarëve tanë, që për shkak të bojkotit të diktuar nga Serbia u kishin munguar për plot 6 muaj.

Çështja e marrëveshjeve të mëhershme për asociacionin e komunave me shumicë serbe është çështje e funksionalitetit të shtetit të Kosovës, dhe kjo u dëshmua me draftin e prezantuar nga Ekipi Menaxhues që drejtohej nga deputetja e Vuçiqit që synonte një Republika Srbska në Kosovë dhe së fundmi me Non-paperin e Akademisë së Shkencave dhe e Artit e Serbisë që flet për “Botën Serbe”.

Në të dy rastet në pyetje është Kosova. Në të dy rastet rreziku është Serbia. Ata që janë të lirë në qëndrime dhe pa ndonjë ngarkesë, e kuptojnë këtë. Nga Shqipëria zyrtare presim mbështetje. Ndërmjetësues kemi shumë.”-thuhet në reagim për Top Channel.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura