
PS publikon paketën e ndryshimeve në Kodin Penal: Kryeministri dhe ministrat përgjigjen penalisht edhe pas mbarimit të detyrës.
“Falsifikimi i të dhënave statistikore nga nëpunësit të dënohet deri me 5 vjet burg”
Partia Socialiste propozon një paketë ndryshimesh në Kodin Penal, të cilat pritet të futen në mbledhjen e së hënës në Komisionin e Ligjeve. Në tryezën me temë “Drejtësia në sfidën e integrimit”. Deputetët socialistë të këtij komisioni kanë bërë 14 propozime, të cilat prekin hetimin e zyrtarëve të lartë pas lënies së detyrës, dënimin e zyrtarëve që falsifikojnë statistikat zyrtare, dënimin e personave që pengojnë zbardhjen e vendimeve të gjykatave, si dhe masa të forta për dhunën në familje.
Hetimi i Kryeministrit
Në propozimin e parë të deputetëve socialistë të Komisionit të Ligjeve është bërë një shtesë në nenin 45 të Kodit Penal, sipas të cilit Kryeministri dhe ministrat, pasi lënë detyrën, mund të hetohen për vepra penale që kanë kryer gjatë ushtrimit të detyrës. “Kryeministri dhe ministrat, edhe pas mbarimit të detyrës, i nënshtrohen juridiksionit të zakonshëm për veprat penale të kryera gjatë ushtrimit të funksioneve të tyre. Ministrat janë përgjegjës kolegjialisht për aktet e Këshillit të Ministrave dhe individualisht për aktet e institucioneve tyre. Përgjegjësia penale e Kryeministrit dhe e ministrave rregullohen me ligj të veçantë (pjesë përbërëse e Kodit)”, thuhet në dispozitën që propozon PS-ja. Një tjetër amendim i PS-së ka të bëjë me falsifikimin e statistikave zyrtare. Nisur nga akuzat e shumta të opozitës për INSTAT-in, veçanërisht në shifrat e botuara për rritjen ekonomike, është propozuar që personat që falsifikojnë këto të dhëna mund të dënohen me gjobë ose me burgim deri në pesë vjet. “Falsifikimi i të dhënave statistikore zyrtare dhe administrative nga nëpunësi publik në ushtrimin e funksionit të tij zyrtar, dënohet me gjobë ose me burgim deri në pesë vjet. Kur kjo vepër kryhet në bashkëpunim ose më shumë se njëherë apo ka sjellë pasojë të rënda në deformimin e tregut ose ekonominë e vendit, dënohet me burgim nga dy vjet deri në dhjetë vjet dhe me gjobë nga pesëqind mijë deri në dy milionë lekë”, thuhet në nenin 191/a që propozohet.
Gjyqësori
Sa u takon vendimeve të gjykatave, opozita kërkon që moszbardhja brenda afatit të parashikuar në ligj dhe pa shkaqe të përligjura të vendimit përfundimtar gjyqësor nga gjykata që ka dhënë vendimin, dënohet me gjobë ose burgim deri në dy vjet. Nisur nga situata që po kalon vendi për shkak të reshjeve të shumta të dëborës, por edhe precedentit të përmbytjeve të një viti më parë, opozita propozon masa të forta mosmarrjen e masave për menaxhimin e ujërave. Konkretisht, nëse nuk shmangen përmbytjet dhe kur janë shënuar dëme të mëdha në gjënë e gjallë, pronën dhe trashëgiminë kulturore, dënohet me gjobë ose burg deri në pesë vjet. Sa i takon veprës së prostitucionit, propozohet që “shtytja, ndërmjetësimi, dhënia ose marrja shpërblim për ushtrimin e prostitucionit, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet”. PS-ja ka bërë gjithashtu edhe disa amendime për dhunën në familje, të cilat rrisin masën me burg për dhunuesit.
Hysi
Deputetja e PS-së tha dje në tryezën e opozitës se “sulmet politike ndaj Prokurorisë kanë mundur të dobësojnë veprimtarinë e saj. Prokuroria në disa çështje me rëndësi është treguar apatike në funksionalitetin dhe eficiencën e saj. Ajo që është e rëndësishme, ne mendojmë se respektimi i lirive dhe të drejtave të njeriut në një proces penal është jetik. Zvarritjet e disa proceseve gjyqësore (si për shembull Gërdeci), kultura e pandëshkueshmërisë së zyrtarëve me funksione publike kanë bërë që publiku të mos ketë besimin te drejtësia në përgjithësi dhe drejtësia penale në veçanti”.
Propozimet e PS për Kodin Penal
Neni 45/a shtohet
Zbatimi i ligjit penal ndaj Këshillit të Ministrave
Kryeministri dhe ministrat, edhe pas mbarimit të detyrës, i nënshtrohen juridiksionit të zakonshëm për veprat penale të kryera gjatë ushtrimit të funksioneve të tyre.
Ministrat janë përgjegjës kolegjialisht për aktet e Këshillit të Ministrave dhe individualisht për aktet e institucioneve tyre.
Përgjegjësia penale e Kryeministrit dhe e ministrave rregullohen me ligj të veçantë (pjesë përbërëse e këtij Kodi).
Neni 191/a shtohet
Falsifikimi i statistikave zyrtare dhe administrative
Falsifikimi i të dhënave statistikore zyrtare dhe administrative nga nëpunësi publik në ushtrimin e funksionit të tij zyrtar, dënohet me gjobë ose me burgim deri në pesë vjet.
Kur kjo vepër kryhet në bashkëpunim ose më shumë se njëherë apo ka sjellë pasojë të rënda në deformimin e tregut ose ekonominë e vendit, dënohet me burgim nga dy vjet deri në dhjetë vjet dhe me gjobë nga pesëqind mijë deri në dy milionë lekë.
Neni 59 ishte
Pezullimi i ekzekutimit të vendimit me burgim
Për shkak të rrezikshmërisë së pakët të personit dhe rrethanave të kryerjes së veprës penale, gjykata, kur jep dënim me burgim gjer në pesë vjet, mund të urdhërojë që i dënuari të vihet në provë duke u pezulluar ekzekutimi i dënimit, me kusht që gjatë kohës së provës të mos kryejë vepër tjetër penale po aq të rëndë apo më të rëndë. Afati i provës është tetëmbëdhjetë muaj gjer në pesë vjet.
Neni 59 bëhet
Pezullimi i ekzekutimit të vendimit me burgim dhe vënia në provë
Për shkak të rrezikshmërisë së paktë të personit, moshës, kushteve shëndetësore apo mendore, mënyrës së jetesës dhe të nevojave, veçanërisht atyre që lidhen me familjen, shkollimin ose punën, rrethanave të kryerjes së veprës penale, si dhe të sjelljes pas kryerjes së veprës penale, gjykata, kur jep dënim me burg deri në pesë vjet, mund të urdhërojë që i dënuari të mbajë kontakte me shërbimin e provës dhe të vihet në provë, duke pezulluar ekzekutimin e dënimit, me kusht që gjatë kohës së provës të mos kryejë vepër tjetër penale.
Gjykata urdhëron që i dënuari të përmbushë një apo më shumë detyrime, të parashikuara në nenin 60 të këtij Kodi.
Afati i provës është 18 muaj deri në 5 vjet.
Nëse i dënuari nuk mban kontakte me shërbimin e provës apo nuk përmbush detyrimet e parashikuara në nenin 60, siç është urdhëruar nga gjykata, gjykata vendos zëvendësimin e dënimit të parë me një dënim tjetër, zgjatjen e afatit të mbikëqyrjes, brenda periudhës së provës, ose revokimin e pezullimit të ekzekutimit të vendimit.
“Pezullimi i ekzekutimit të dënimit me burgim nuk zbatohet për personat e dënuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike” të parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal”.
Neni 313/1 shtohet
Moszbardhja e vendimit gjyqësor:
Moszbardhja brenda afatit të parashikuar në ligj dhe pa shkaqe të përligjura të vendimit përfundimtar gjyqësor nga gjykata që ka dhënë vendimin, dënohet me gjobë ose burgim deri në dy vjet.
Neni 153/a shtohet
Mosmarrja e masave për menaxhimin e ujërave:
Mosmarrja e masave që lidhen me:
a) parashikimin dhe menaxhimin e ujërave për të shmangur përmbytjen e territorit;
b) parandalimin, pakësimin dhe riaftësimin e çdo dëmtimi që prek popullatën, gjënë e gjallë, pronën, trashëgiminë kulturore dhe mjedisin nga përmbytjet, prej personit përgjegjës dhe kur kanë ardhur pasoja të rënda, dënohet me burgim nga tre gjer në dhjetë vjet.
Neni 201/a shtohet
Mosmarrja e masave për ndikimin në mjedis
Mosmarrja e masave parandaluese ndaj subjekteve që shkaktojnë ndotje të matshme të ajrit për treguesit e përcaktuar, dëmtime të përbërësve të ekosistemit, prishje të cilësisë së ujërave për treguesit e përcaktuar, nga personat e ngarkuar për kontrollin dhe parandalimin e dëmtimit të mjedisit, dënohet gjobë ose burg deri në pesë vjet.
Neni 84, shtohen dy paragrafë
Kanosja
Po kjo vepër e kryer në mënyrë të përsëritur, ndaj personit që ka ose ka pasur një marrëdhënie të ngushtë familjare me autorin e veprës, me pasojë dhunimin e rëndë të integritetit dhe/ose vetëbesimit të tij, dënohet me burgim nga 6 muaj deri në 2 vjet.
Këto vepra që kryhen nga një burrë kundër një gruaje, me të cilën ai është ose ka qenë i martuar, ose ka bashkëjetuar në kushte të ngjashme me martesën, me pasojë dhunimin e rëndë të integritetit të gruas dhe vetëbesimit të saj, dënohen me burgim nga 6 muaj deri në 3 vjet.
Neni 90, shtohet paragrafi
Dëmtime të tjera me dashje
Po kjo vepër, kur është kryer ndaj personit që ka pasur ose ka një marrëdhënie të ngushtë familjare me autorin e veprës, dënohet me burgim gjer në një vit.
Neni 90/a shtohet
Dëmtime të tjera me dashje për arsye të marrëdhënieve familjare
Rrahja, si dhe çdo vepër tjetër dhune, e kryer në mënyrë të përsëritur, ndaj personit që ka pasur ose ka një marrëdhënie të ngushtë familjare me autorin e veprës, me pasojë dhunimin e rëndë të integritetit dhe/ose vetëbesimit të tij, përbën krim dhe dënohen me burgim nga 6 muaj deri në 2 vjet.
Po kjo vepër, që kryhet nga një burrë kundër një gruaje, me të cilën ai është ose ka qenë i martuar, ose ka bashkëjetuar në kushte të ngjashme me martesën me pasojë dhunimin e rëndë të integritetit të gruas dhe vetëbesimit të saj, dënohet me burgim nga 6 muaj deri në 5 vjet.
Neni 114 ishte
Shfrytëzimi i prostitucionit
Shtytja, ndërmjetësimi ose marrja shpërblim për ushtrimin e prostitucionit dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.
Neni 114 bëhet
Shtytja, ndërmjetësimi, dhënia ose marrja shpërblim për ushtrimin e prostitucionit dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.
Shtohet neni 121/a
Përndjekja
Përndjekja e paautorizuar e një personi në forma të tilla, si:
a) ndjekja nga pas; b) kontaktimi drejtpërdrejt ose nëpërmjet mjeteve të komunikimit elektronik ose nëpërmjet të tretëve; c) përdorimi i të dhënave personale për të porositur shërbime ose mallra në emër të dikujt në mënyrë të paautorizuar ose nxitja e të tretëve të marrin kontakte me të në mënyrë të padëshiruar; d) kërcënimi i viktimës ose një personi të afërt me të, me dëmtimin e jetës, shëndetit ose lirisë; e) si dhe kryerja e çdo veprim tjetër të krahasueshëm për nga forma dhe pasojat me përndjekjen me qëllim vendosjen e viktimës në një situatë të rëndë psikologjike për të jetuar normalisht, dënohet me burgim deri në 3 vjet ose me gjobë.
Kur kjo vepër ka sjellë si pasojë rrezikimin serioz të jetës dhe shëndetit të viktimës ose të një personi të afërt me viktimën, dënohet me burgim deri në 5 vjet.
Kur vepra ka sjelle si pasoje vdekjen e viktimës ose të një personi të afërt me të, vepra dënohet deri nga 3 deri ne 10 vjet.
Neni 320 shtohet paragrafi
Mosekzekutimi pa shkaqe të përligjura i vendimit të gjykatës
Kryerja e veprimeve me qëllim që të mos ekzekutohet ose pengohet ekzekutimi e vendimit gjyqësor që përmban urdhër mbrojtjeje ose urdhër të menjëhershëm mbrojtjeje përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me burgim deri në dy vjet.
Neni 124/a shtohet
Abuzimi fizik dhe emocional i fëmijës
Çdo tentativë ose çdo dëmtim fizik ose plagosje e fëmijës, e cila nuk është aksidentale dhe që ka ardhur si pasojë e rrahjes, torturës, shkundjes, djegies, goditjes, pickimit, përdorimit të substancave, kafshimit ose mbytjes së fëmijës nga prindërit, motra, vëllai, gjyshi, gjyshja, kujdestari ligjor, të afërmit ose çdo person tjetër që e ka për detyrë të kujdeset për fëmijën përbën krim dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.
Çdo veprim që shkakton dëmtime të shëndetit fizik, mendor, moral dhe social të fëmijës dhe që, ndër të tjera, kanë sjellë si pasojë kufizimin e lirisë së lëvizjes, sjellje degraduese, kërcënuese, frikësuese, diskriminuese, përqeshëse ose forma të tjera të trajtimit armiqësor ose refuzues nga prindërit, motra, vëllai, gjyshi, gjyshja, kujdestari ligjor, një i afërm i familjes ose çdo person tjetër që ka për detyrë të kujdeset për fëmijën përbën krim dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.
Abuzimi fizik ose emocional i fëmijës kur ka shkaktuar plagosjen e rëndë, vetëvrasjen apo vdekjen e fëmijës, dënohet me burgim nga pesë gjer në pesëmbëdhjetë vjeç.
Neni 43/a shtohet
Heqja ose kufizimi i së drejtës prindërore
Heqja ose kufizimi i së drejtës prindërore jepet nga gjykata ndaj njërit apo të dy prindërve, birësuesve ose kujdestarit ligjor të fëmijës kur është kryer abuzimi fizik apo emocional ose çdo formë tjetër abuzimi ndaj fëmijës.
Heqja ose kufizimi i së drejtës prindërore bëhet për një periudhë kohë që gjykohet e përshtatshme nga gjykata, në varësi të rrezikshmërisë së veprës së kryer, autorit të saj, mjeteve dhe metodave të përdorura për kryerjen e veprës penale.
Kodi Penal, PD s’jep konsensus
Juristët e PD i cilësojnë si të panevojshme propozimet për hetimin e ministrave
“PS kërkon të shtyjë miratimin e ligjeve me 84 vota”

Partia Demokratike rrëzon propozimet e PS-së për Kodin Penal. Ekspertët e maxhorancës e cilësojnë paketën me ndryshime propozuar dje, si një veprim të opozitës për të shtyrë akoma më shumë miratimin e këtij ligji me tre të pestat në Parlament. “Në rastin më të keq, Partia Socialiste kërkon ta shtyjë miratimin e Kodit Penal në kalenda, ndërsa në rastin më të mirë po tregon se si nuk duhet të hartohen dispozitat”, tha dje për gazetën një nga juristët e PD-së.
Kundërshtitë e PD
Sipas demokratëve, janë të paktën tri pika të cilat nuk mund të pranohen për asnjë lloj arsye. E para është propozimi i opozitës për zbatimin e ligjit penal ndaj anëtarëve të Këshillit të Ministrave. Sipas maxhorancës, në legjislacionin aktual, zyrtarët e lartë (përfshi Kryeministrin dhe ministrat), mund të hetohen për veprimet e kryera gjatë ushtrimit të detyrës, sikundër mund të hetohen edhe pasi të lënë detyrës. Në këtë mënyrë, PD-ja mendon se futja e kësaj dispozite në Kodin Penal është e panevojshme. Çështja e dytë për të cilën demokratët nuk bien dakord është propozimi i nenit 191/a “falsifikimi i statistikave zyrtare dhe administrative”. PD-ja thotë se legjislacioni që ka vendi ynë dënon zyrtarët për shpërdorim detyre në rast se ata falsifikojnë statistikat zyrtare. Sipas maxhorancës, edhe kjo dispozitë është e papranueshme dhe e panevojshme. Kundërshtia e tretë e shumicës ka të bëjë me dispozitën që propozohet për dënimin me gjobë ose me burgim deri në dy vjet të gjyqtarëve që nuk zbardhin, sipas afateve të parashikuara në ligj, vendimet gjyqësore. Në këtë pikë PD-ja ka dy argumente: së pari aktualisht për të gjitha vendimet, pjesa e diapozitivit zbardhet në moment dhe u jepet palëve; së dyti, në ligj parashikohet masë disiplinore nëse gjyqtari nuk e zbaton detyrimin që ka për ta zbardhur vendimin. Këto tri çështje, sipas demokratëve, janë të mjaftueshme për t’i rrëzuar propozimet e opozitës.
Kodi Penal
Komisioni i Ligjeve ka parashikuar të shqyrtojë të hënën ndryshimet në Kodin Penal, si pjesë e marrëveshjes mes maxhorancës dhe opozitës, të firmosur më 14 nëntor, për ligjet me shumicë të cilësuar. Përveç katër drafteve të ardhura nga qeveria, deputetët po punojnë edhe mbi disa propozime të bëra nga shoqëria civile, si dhe disa propozime të bëra nga institucionet e pavarura. Në mbledhjen e së hënës pritet që Komisioni të shqyrtojë edhe propozimet e bëra nga PS-ja, të cilat, me sa duket, nuk do të pranohen dhe pritet ta shtyjnë akoma më shumë kohën e miratimit të këtij ligji. Pas miratimit të Kodit Civil në mbledhjen e së enjtes të Parlamentit, duket se Kodi Penal nuk do të arrijë të jetë gati për javën e ardhshme.
Abdiu
Sipas ish-kreut të Gjykatës Kushtetuese, Fehmi Abdiu, “Kodi ynë Penal duhet të bëhet patjetër i ri. Është ndryshuar nëntë herë, është amenduar aq shumë, sa 51 për qind e dispozitave ose janë shtuar, ose janë hequr. Gjithë kjo mori ndryshimesh është bërë në kohë të ndryshme. Kodi bazë ka humbur fizionominë e tij. Kodi ekzistues është prekur shtatë herë nga Gjykata Kushtetuese në dispozita të veçanta, por më e rëndësishme nga këto është heqja e dënimit me vdekje”.
ADI SHKEMBI
© Panorama.al











