
Tiranë, Prokuroria e merr të pandehur. I dyshuari: Letrat u morën zyrtarisht, të riekspertohen
Përfaqësuesi i familjes Toptani, Qemal Mulla, tapi false në gjyq
Prokuroria i njofton akuzën për falsifikim dokumentesh “rivalit” të gjyqtarit Skerdilajd Konomi në konfliktin për pronësinë e 275 hektarëve tokë në bregdetin e Durrësit, në Hamallaj dhe te Gjiri i Lalzit. Fillimisht avokati i tij e më pas vetë Qemal Mulla, përfaqësues i familjes Toptani, janë paraqitur dje në zyrat e Njësisë Task-Force kundër krimit ekonomik dhe korrupsionit. Ky institucion i komunikoi shtetasit Qemal Mulla akuzën e falsifikimit të dokumenteve zyrtare dhe përdorimit të këtyre dokumenteve. Shkresat, që dyshohet se janë false, janë paraqitur nga i akuzuari në gjyqin për pronat në bregdetin e Durrësit, me qëllim fitimin e tyre. Objekti i akuzës bën fjalë për dy shkresa të marra nga Mulla në Arkivin e Shtetit, në cilësinë e përfaqësuesit të familjes Toptani. Këto shkresa ishin paraqitur si prova në gjykatë, në procesin kundër gjyqtarit të Vlorës, Skerdilajd Konomi. Gjatë qëndrimit në Prokurorinë e Tiranës, ditën e djeshme, përfaqësuesi i familjes Toptani, shtetasi Qemal Mulla, mësohet se nuk e ka pranuar akuzën e ngritur ndaj tij. Ai ka thënë para hetuesve se nuk ka falsifikuar ndonjë dokument dhe shkresat e marra nga Arkiva e Shtetit për pronësinë e trojeve në bregdetin e Durrësit nuk kanë qenë dokumente të marra dorazi prej tij.
Gjyqi për pronat
Sipas hetimeve të Prokurorisë, ish-gjyqtari i Vlorës, Skerdilajd Konomi, i vrarë me eksploziv në makinë më 9 shtator 2011, hapi gjyq për pronat e trashëguara nga familja e tij në bregdetin e Durrësit në Hamallaj. Bëhet fjalë për pronën me sipërfaqe 1 575 900 m2, e ndodhur në fshatin Hamallaj (sektor) të rrethit të Durrësit, në ZK 1925, për pronën me sipërfaqe 25 597 200 m2, e ndodhur në fshatin Rrushkull, në ZK 3241, si dhe për pronën me sipërfaqe 1 820 000 m2, e ndodhur po në fshatin Hamallaj në Durrës. Gjyqi për këto prona u hap nga pretendentët si trashëgimtarë, pasi në vitin 2007, Agjencia Qendrore e Pronave anuloi vendimin e dhënë nga Komisioni i Durrësit për dhënien e pronës në fjalë familjes Konomi dhe trashëgimtarëve të tjerë. Pikërisht në këtë gjyq, që familja Konomi dhe të tjerët hapën, sipas Prokurorisë, përfaqësuesi i familjes Toptani, shtetasi Qemal Mulla, dyshohet se ka paraqitur dy dokumente false me qëllim fitimin e pronësisë së tokës në fjalë. Dokumentet e falsifikuara, sipas Prokurorisë, dyshohet se janë dy tapi të vjetra që janë tërhequr nga Arkivi i Shtetit dhe janë paraqitur në gjykatë kundër familjes së gjyqtarit të vrarë të Vlorës, Skerdilajd Konomi. Ky i fundit e fitoi gjithsesi gjyqin në Gjykatën e Lartë, e cila më 16 qershor 2011 i dha të drejtë familjes Konomi dhe të tjerëve duke i njohur si pronarë të truallit në bregdet.
Hetimi
Konflikti i pronësisë për tokën në bregdet ka qenë paralel, në gjykatë dhe në prokurori. Gjatë kohës që zhvillohej procesi civil, palët në mosmarrëveshje, konkretisht Skerdilajd Konomi dhe trashëgimtarët tjerë dhe familja Toptani, bënë padi të ndërsjella në Prokurorinë e Durrësit duke akuzuar njëra-tjetrën për falsifikim dokumentesh. Këto padi u hetuan nga Prokuroria e qytetit bregdetar, e cila vendosi që dosjen e padisë së bërë nga gjyqtari Konomi kundër familjes Toptani, ta transferojë për hetime në Prokurorinë e Tiranës. Prokuroria e Tiranës filloi hetimet në lidhje me padinë e bërë nga ish-gjyqtari i Vlorës dhe pasi ekspertoi dy dokumentet e përdorura në gjyq nga përfaqësuesi i familjes Toptani, arriti në përfundimin se ato kanë qenë të falsifikuara. Krejt ndryshe mendon i pandehuri Qemal Mulla dhe avokati i tij, të cilët kanë dorëzuar disa kërkesa dje në Prokurorinë e Tiranës. Sipas burimeve jozyrtare, i pandehuri në këtë proces këmbëngul se dokumentet nuk janë false dhe se për të vërtetuar këtë, do të kërkojë një ekspertizë të dytë për shkresat në fjalë.
Pronat
* Prona me sipërfaqe
1 820 000 m2, e ndodhur në fshatin Hamallaj (sektor) të rrethit të Durrësit.
* Prona me sipërfaqe
25 597 200 m2, e ndodhur në fshatin Rrushkull, në ZK 3241, me indeks harte të papërcaktuar, pasi zona është jashtë sistemit të ZVRPP Durrës.
* Prona me sipërfaqe
1 575 900 m2, e ndodhur në fshatin Hamallaj (sektor) të rrethit të Durrësit.
TRAZHGIM SOKOLAJ
© Panorama.al











