Pronat, nën akuzë rivalët e Topit

Feb 3, 2012 | 13:00

Flamur Topi dhe Presidenti Bamir Topi

Falsifikimi, Hanke Topi paraqiti dokument me vitlindje 1850, është gjallë, por duhej të ishte 165 vjeçe

Prokuroria: U përdor certifikatë false në dëshminë e trashëgimisë

Prokuroria e Tiranës akuzon për falsifikim dokumentesh palën që ndodhet në konflikt pronësie me familjen e Presidentit Bamir Topi. Një hetim i nisur kohë më parë nga Prokuroria e Tiranës, sipas organit të akuzës, pretendohet se ka gjetur dokumente false te pala që pretendon pronësinë e disa trojeve në zonën e Linzës në Tiranë. Sipas Prokurorisë, këto prona i takojnë familjes së Presidentit Bamir Topi dhe vëllait të tij, mjekut të njohur, Flamur Topi, në cilësinë e trashëgimtarëve të Ali Agë Topit. E gjithë historia nis në vitin 1997, kur shtetasja Hanke Topi paraqet në gjykatë një certifikatë me të cilën pretendon se  ka qenë gruaja e shtetasit Ali Agë Topi dhe merr një akt trashëgimie për pronat e tij. Bazuar në këtë akt trashëgimie, mësohet se shtetasja në fjalë ka marrë një sipërfaqe rreth 10-12 dynymë tokë në periferi të Tiranës, në zonën e Linzës. Por ndërkohë, familja e Presidentit Bamir Topi ka aplikuar për këtë pronë duke qenë trashë-gimtare e saj. Pas aplikimit, kjo familje është njoftuar se një palë tjetër pretendonte të njëjtën pronë. Ajo që ka ndodhur ka qenë një histori disi e pazakontë. Kështu, sipas Prokurorisë, shtetasja Hanke Topi, e cila është gjallë sot, ka përdorur një certifikatë ku datëlindja e saj figuron 15 gusht 1850. Nëse kjo certifikatë do të ishte e vërtetë, sipas Prokurorisë, shtetasja që pretendon se është trashëgimtare e pronave duhej të ishte sot 162 vjeçe. Veç këtij fakti, Prokuroria thekson se certifikata e përdorur nga shtetasja në fjalë është dukshëm e falsifikuar, pasi kjo ka dalë nga ekspertiza, ndërsa përmbajtja e dokumentit është dukshëm e rreme.
Reagimi i Flamur Topit
Gazeta “Panorama” kontaktoi mbrëmë me mjekun e njohur, Flamur Topi, i cili është palë në procesin për pronat e trashëguara në Linzë të Tiranës. Flamur Topi theksoi se ai dhe i vëllai, Presidenti Bamir Topi, janë trashëgimtarët e pronave në fjalë. “Ne kemi pasur shtëpinë aty dhe gjithçka tjetër. Shtëpinë na e dogji gjermani sepse strehuam partizanët. Ne kemi dokumente autentike, siç është taksa e tokës e paguar në regjistër në kohën e Zogut, për shembull. Më pas kemi dokumentet kur u zbatua reforma agrare”, tha mjeku Flamur Topi. Ai theksoi se pala tjetër pretenduese në këtë çështje nuk figuron kurrkund, në letra, në dokumente apo në regjistra, me përjashtim të shkresave false.
Historia e pronës
Prokuroria e Tiranës, e cila ka nisur hetimet për çështjen e pronave në zonën e Linzës, ka arritur të zbardhë edhe veprimet e kryera me tokat në fjalë. Sipas vendimit të KKK të Këshillit të qarkut Tiranë të viti 1997, është njohur pronësia e trashëgimtarëve të ish-pronarit Ali Agë Topi mbi një truall me sipërfaqe 10 302 metra katrorë, i cili ndodhet brenda vijave kufizuese të fshatit Linzë, komuna Dajt e rrethit Tiranë. Pikërisht kjo pronësi dyshohet se është njohur mbi dokumentin fals, që ka qenë certifikata e shtetases Hanke Topi. Pas dhënies së trashëgimisë, me vendim të KKK Tiranë të vitit 2004, pretendentëve si trashë-gimtarë të ish-pronarit Ali Agë Topi u është kthyer një truall me sipërfaqe 9100 metra katrorë ndodhur në fshatin Linzë të komunës Dajt të rrethit Tiranë. Nga ana tjetër, mbi sipërfaqen e mësipërme të truallit kanë shfaqur pretendime pronësie trashë-gimtarët ligjorë të shtetasit Dalip Topi, dhe konkretisht shtetasi Fatmir Topi (kushëriri i Presidentit Bamir Topi), i cili së bashku me bashkëpronarë të tjerë, trashëgojnë një sipërfaqe toke prej 204 000 metrash katrorë të ndodhur në Linzë – Qesarak, Tiranë. Sipas hetimeve të Prokurorisë, në këtë pronë përfshihet dhe reparti ushtarak me sipërfaqe 28 500 metra katrorë. Sipas Prokurorisë, gjatë deklarimeve të tij, shtetasi Fatmir Topi ka pretenduar se një pjesë e pasurisë së trashëguar, konkretisht një sipërfaqe 10 300 m2, është marrë në mënyre të padrejtë nga shtetasi Ismail Topi dhe Hanke Topi, me të cilin nuk kanë asnjë lloj lidhjeje farefisnore. Hanke Topi, në vitin 1997, i është drejtuar Gjykatës së Tiranës për vërtetimin e faktit juridik të kësaj sipërfaqeje, duke përdorur një certifikatë false, sikur ajo kishte qenë gruaja e Ali Agë Topit, katragjysh i Presidentit Bamir Topi.

Falsifikimi
Nga burime të Prokurorisë është thënë dje se gjatë verifikimit të regjistrave të Gjendjes Civile ka rezultuar se certifikata e shtetases Hanke Topi nuk është lëshuar nga Prefektura dhe përmbajtja e saj është tërësisht e rreme. “Shtetasja Hanke Topi është kërkuese dhe është ende gjallë. Ndërkohë, në dosjen hetimore, sipas akuzës, rezulton se një shtetase me emrin Hanke Topi figuron e datëlindjes 15.08.1850”, thekson Prokuroria.

Hanke Topi: Dokumentet autentike i kemi ne
Pala kundërshtare: Topi na i mori pronat me presion gjykatës

TIRANE – Pala kundërshtare me Presidentin e Republikës, Bamir Topi, në çështjen e pronave në Linzë të kryeqytetit, pretendon se ka të drejtë në kërkesat e saj. “Hanke Topi dhe fëmijët e saj pretendohet se zotërojnë të gjithë pasurinë në zonën e Qesarakës dhe sipas të gjitha dokumenteve që ata pretendojnë, Presidenti Bamir Topi nuk figuron trashëgimtar. Përfaqësuesit e trashë-gimtarëve të kësaj prone, Hanke Topi, 93 vjeçe dhe dy fëmijët e saj, Ismail Topi dhe Aishe Topi, pretendojnë se Presidenti i Republikës u ka marrë 46 dynymë tokë bazuar në ligjin 7501, edhe pse nuk ka qenë pjesëtar i kooperativës bujqësore, por ishte regjistruar si i tillë në komunën Dajt vetëm për të marrë tokën. “Ne jemi pronarë të ligjshëm të tokës me akt trashëgimie nr. 7215/9739, datë 14 nëntor 1995. Pronën e kemi trashëguar nga gjyshi ynë, Ismail Topi, i biri i Ali Agë Topit”, kanë thënë personat përfaqësues të palës në konflikt pronësie me Presidentin e vendit, Bamir Topi. Sipas familjes në fjalë, në vitin 1865 Ali Agë Topi ishte nënprefekt i Durrësit dhe komandant i Xhandarmërisë turke. Ai kishte vetëm një djalë, Ismail Topin, dhe për shkak se kishte shumë prona, mori djalin e vëllait, Dalipin (gjyshi i Bamir Topit), për të ndihmuar djalin e tij, Ismailin, në punët e bujqësisë në pronat e tij. Djali i Ali Agë Topit, Ismaili, u martua në Ndroq, sipas familjes rivale me Presidentin. Sipas saj, pas vdekjes së Ali Agë Topit, të gjitha pronat i gëzon djali i tij, Ismail Topi. Familja pretendon se pas vdekjes së Ali Agë Topit, të gjitha pronat i kanë kaluar atij që pretendohet se ishte djali i tij, pra Ismail Topit. Në dokumentet e përkthyera pretendohet se Ali Agë Topi ka 10 mijë metra katrorë tokë. Për këtë pronë, sipas palës kundërshtare, Presidenti Topi ka hedhur në gjyq Hanke Topin, ndërsa procesi po vazhdon në Gjykatën e Lartë.

TRAZHGIM SOKOLAJ

© Panorama.al

Te lidhura