TIRANE – Gjykata e Apelit në Tiranë liroi nga qelia tre nga ish-zyrtarët e Agjencisë së Kthimit e Kompensimit të Pronave, të arrestuar pas akuzave për “falsifikim dokumentesh” dhe “shpërdorim detyre”. Ndërkohë, një tjetër vendim i Gjykatës së Apelit la të pandryshuar masën e sigurisë “arrest me burg” për Bledar Dervishajn, ish-drejtorin e Zyrës Rajonale të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Tiranë. Vendimet gjyqësore të mësipërme, të shpallura në seancat gjyqësore të zhvilluara ditët e fundit, u konfirmuan nga burime pranë Gjykatës së Apelit. Sipas burimeve, masa e sigurisë “arrest me burg” është lehtësuar në “arrest shtëpie” për të dyshuarit: Merita Gjinali, ish-topografe e ZRKKP-së, Ali Aliaj, ish-përgjegjës i sektorit juridik në ZRKKP Tiranë dhe Dhimitër Papa, ish-topograf. Ndërkohë, Gjykata nuk ka ndryshuar masën e sigurisë së caktuar nga Shkalla e Parë për ish-drejtorin e ZRKKP-së Tiranë, Bledar Dervishaj. Ai do të vijojë të qëndrojë në masën e sigurisë “arrest me burg”. Sipas burimeve, vendimet janë shpallur vetëm me dispozitiv dhe arsyetimi i gjykatës do të mësohet pas zbardhjes së tyre. Për të arrestuarin e pestë të kësaj dosjeje, Njazi Ademi, burimet nuk konfirmuan gjykim të masës së sigurimit të tij në Apel. Zyrtarët e AKKP-së u “shënjestruan” nga prokuroria pas dyshimeve se janë të përfshirë në skandalin e spostimit të një sipërfaqeje trualli në bregdet që i takonte familjes Jenisheri. Sipas organit të akuzës, ata dyshohet të kenë falsifikuar dokumentet për realizimin e kësaj zhvendosjeje. Po sipas akuzës, në vend që familjes Jenisheri t’i kthehej dhe kompensohej një sipërfaqe trualli në tokë-arë, i janë kthyer 41 555 m2 tokë ranore në bregdetin e Kavajës. Masat e sigurisë “arrest me burg” u caktuan në mungesë për zyrtarët e AKKP-së në ditët e para të janarit të këtij viti. Pas arrestimit, ata u njohën zyrtarisht me to në Gjykatën e Shkallës së Parë më 12 janar. ar.ba











