Pronat, maxhoranca rrëzon Alibeajn

May 2, 2012 | 11:22

Enkelejd Alibeaj

Ministria e Drejtësisë nuk e pranon qëndrimin e ish-ministrit për kthimin dhe kompensimin e pronave.

Qeveria del kundër për metodikën dhe Drejtorinë e Koordinimit.

Ministria e Drejtësisë nuk do të marrë parasysh vërejtjet e relatorit të ligjit për kthimin dhe kompensimin e pronave, të paraqitura nga deputeti i PD-së, Enkelejd Alibeaj.
Një ditë pas mbledhjes së Komisionit të Ligjeve, ku ish-ministri i Drejtësisë paraqiti një sërë kundërshtish për draftin e miratuar më parë në qeveri, Ekzekutivi është gati t’i rrëzojë ato si të pambështetura në ligj. Në mbledhjen e sotme të Komisionit të Ligjeve është parashikuar thirrja e grupeve të interesit, shoqata “Pronësi me drejtësi” dhe shoqata “Bregdeti” për të dhënë komentet e tyre mbi draftin dhe vetëm të hënën do të nisë shqyrtimi nen për nen.
Argumentet e Ministrisë
Argumenti i parë i përdorur nga Enkelejd Alibeaj në mbledhjen e së hënës në Komision ishte se ngritja e drejtorisë, e cila do të koordinojë procesin e kthimit dhe kompensimit të pronave, duhet të bëhet ose me shumicë të cilësuar votash, ose me urdhër të Kryeministrit. “Bazuar në këtë zgjidhje ligjore, është e nevojshme të sqarohet se përse nuk optohet (opsion, përzgjedhje) për ngritjen e një bukli të tillë strukturor brenda Ministrisë, me propozim të ministrit dhe urdhër të Kryeministrit, proces i cili do të ishte më i shpejtë, më fleksibël dhe për të ardhmen, e që do të pasohej edhe me miratimin e organikës përkatëse, sesa rregullimi në nivel ligjor. Së dyti, ligji 9000, që parashikon tërësisht instrumentet e arritjes së atij qëllimi të nenit 4 që projektligji mbart, është i tillë që miratohet me shumicë të cilësuar. Ndërkohë, projektligji i prezantuar nuk është i tillë”, thotë Alibeaj në relacionin e tij. Por, sipas Ministrisë, kjo drejtori nuk është një institucion kushtetues që të kërkojë 84 vota. “Nëse krijohet një institucion kushtetues, atëherë po kërkohet shumicë e cilësuar. Ndërsa kjo është një drejtori, e cila ngrihet me një urdhër ministri, apo me një vendim qeverie”, thanë burime pranë Ministrisë së Drejtësisë. Kritika e dytë e Alibeajt ka të bëjë me dispozitën që i atribuon qeverisë të përcaktojë hartën e vlerës së tokës. Sipas tij, “ka sens që metodologjia të përcaktohet në vendim të Këshillit të Ministrave. Tek e fundit, ajo disponon aktivitetet e nevojshme për zhvillimin e një projekti. Kriteret janë çështje që vetë projektligji ka tentuar t’i shterojë duke dhënë për shembull indikatorët si vlerë tregu, lloj prone, kategorizim prone, qëllim përdorimi. Nuk kuptohet se çfarë është dashur të thuhet më tepër me VKM”. Nga ana e saj, Ministria mbron me forcë idenë se duhet të jetë qeveria dhe jo Kuvendi që duhet të përcaktojë vlerën e tokës. “Nëse pas një periudhe kohe vlera e një zone të caktuar, ose e disa zonave, do të ndryshojë, do të ngrihet ose do të ulet, duke e bërë këtë me vendim Parlamenti, merr një kohë shumë më të gjatë se sa duke e caktuar me vendim qeverie”, shprehen zyrtarë të kësaj ministrie.

Vlera e tokës me mesataren e shitblerjeve të deklaruara në ZRPP
Kjo metodë, derisa të miratohet metodologjia e re

Qeveria ka parashikuar që deri në miratimin e akteve nënligjore, vlera e tokës të llogaritet si mesatare e shitblerjeve të deklaruara në ZRPP gjatë tre muajve të fundit. Në relacionin e Ekzekutivit thuhet se “vlerësimi i pasurive të paluajtshme, pas hyrjes në fuqi të këtij projektligji, deri në miratimin e akteve nënligjore në zbatim të nenit 3 të këtij projektligji, do të mund të kryhet bazuar në vlerat e tregut, duke u përcaktuar si mesatare e shitblerjeve të regjistruara në zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme (ZRPP) gjatë 3-mujorit paraardhës, nga data e paraqitjes së kërkesave nga të interesuarit në ZRPP”. Sipas deputetes Ligori, shifra që do të dalë nga mesatarja e shitblerjeve të deklaruara në ZRPP nuk është reale për shkak se qytetarët nuk deklarojnë shifrat fikse për të shmangur pagimin e taksave. “Transaksionet në letër, që bëhen në zyrat e Hipotekës, jo gjithmonë në Shqipëri pasqyrojnë realitetin për shkak të shmangies nga pagesat e taksave. Meraku im është që sa realë do të jemi?”, u shpreh deputetja socialiste.

Mbyllja e procesit në prill të 2014-s
Në mbledhjen e të hënës të Komisionit të Ligjeve, përfaqësuesja e Ministrisë së Drejtësisë kërkoi që afati për përfundimin e procesit të kthimit dhe kompensimit të pronave të shtyhet deri më 30 prill 2014. “Ky draft i është nënshtruar një konsultimi të gjerë me faktorë ndërkombëtarë dhe grupe interesi të caktuara dhe është parashikuar që përfundimi i procesit të kthimit, kompensimit dhe shqyrtimit të kërkesave, të jetë në një kohë më të gjatë dhe kërkojmë që ky afat, nga 30.4.2013, të bëhet 30.4.2014”, u shpreh përfaqësuesja e Ministrisë së Drejtësisë, Elona Syla në mbledhjen e Komisionit.

Vlera e pronës me vendim qeverie
Pika më e debatuar e atij drafti është në nenin 13 të ligjit ekzistues, ku sipas ndryshimeve të propozuara nga qeveria thuhet se “metodologjia dhe kriteret për vlerësimin e pronës miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Metodologjia synon vlerësimin e pasurisë së paluajtshme bazuar në vlerën e tregut sipas standardeve ndërkombëtare të vlerësimit të pasurisë së paluajtshme. Vlerësimi i pasurisë së paluajtshme sipas kësaj metodike do të kryhet bazuar në: ccmimin e tregut, llojin e pasurisë së paluajtshme dhe qëllimin e përdorimit të pasurisë së paluajtshme”.

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura