Pronat, Kuvendi miraton ligjin

May 11, 2012 | 12:39

Seanca e djeshme në Kuvend

Maxhoranca kalon me 73 vota pro ndryshimet në ligj. Braçe: Nano i dha pronat Topallit.

Mediu: Janë 6500 dosje në AKKP, asnjë kompensim fizik.

Parlamenti ka miratuar dje vetëm me votat e maxhorancës projektligjin “Për kth-imin dhe kompensimin e pronës”. Drafti i Ministrisë së Drejtësisë ka kaluar me 73 vota pro dhe 55 vota abstenim nga deputetët e opozitës. Projektligji i ri synon që vlera e tokës të rishikohet çdo vit dhe përmbylljen e procesit të kthimit dhe kompensimit të pronave deri në fund të vitit 2014. Kryetari i PR-së, Fatmir Mediu, njëherësh ministër i Mjedisit, theksoi se e drejta e pronës për vite me radhë është trajtuar ndesh me interesin e pronarëve të ligjshëm. Mediu ka shtuar se ka nevojë për një debat të gjerë të Agjencisë së Kthimit e Kompensimit për të parë a është e mjaftueshme infrastruktura, personeli e kualifikimi i atyre që do të merren me këtë çështje. “Duke pasur parasysh faktin se janë 6500 dosje dhe nuk kemi asnjë kompensim fizik deri tani, duke pasur parasysh faktin se nuk kemi një trajtim nga AKKP, unë mendoj se kjo do të duhet të përbëjë një shqetësim për të mundësuar një konsultim më intensiv”, theksoi Mediu. Ndërkohë që nënkryetari i Grupit të PS-së, Erjon Braçe, ka theksuar se ligji për kthimin dhe kompensimin e pronës është ligji që ka ndryshuar shumë herë një mandat qeverisës. Ndërkaq, seanca është përfshirë në debate midis kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli dhe deputetit Erjon Braçe. Topalli ironizoi qëndrimin e PS-së, që sipas saj, pronat në Tiranë i kaloi vetëm në duart e disa individëve. “Në kuadër të Rilindjes së PS-së, pikërisht për çështjet e së drejtës, zoti Rama i dha Besos së Tajvanit mezen e kryeqytetit. E kujt ishte ajo tokë? Apo edhe Fideli ishte pronar i vjetër Tiranës, apo dhe Besoja? Kjo është politika juaj dhe rilindja juaj”, theksoi Topalli. Gjatë replikave pa mikrofon, Braçe ka fajësuar ish-kryeministrin Fatos Nano që u mundësoi të djathtëve kthimin e pronës. “Ti more kompensimin dhe po bën pallate. Pronarët nuk kanë marrë asgjë. Ka faj Fatos Nano që ua ktheu pronën juve”, theksoi Braçe gjatë replikave në Kuvend.

Debate në Kuvend për pronat
Fatmir Mediu:
Duke pasur parasysh faktin se janë 6500 dosje dhe nuk kemi asnjë kompensim fizik deri tani, duke pasur parasysh faktin se nuk kemi një trajtim nga AKKP-ja, unë mendoj se kjo do të duhet të përbëjë një shqetësim për të mundësuar një konsultim më intensiv.
Eduard Halimi: Shqetësimi i zotit Mediu në lidhje me kapacitetet e AKKP-së për mbledhjen e të dhënave, manualin e përdorimit, mbledhjen e rekordeve dhe implementimin e rekordeve është i drejtë, por puna për këtë proces ka nisur në Ministrinë e Drejtësisë që në muajin shtator të vitit 2011, dhe sot që ne flasim ky proces ka mbaruar.
Erjon Braçe: Do të ishte mirë që ky projektligj, para se të vinte në Parlament, duhet të ishte mirë sikur të ezaurohej njëherë brenda për brenda qeverisë. Shumë mirë bën Mediu që flet si deputet në sallën e Kuvendit, por, problemi është që ai është ministër i së njëjtës qeveri. Mbase ndonjëherë është më mirë të sillesh si deputet për të respektuar njërzit që të kanë votuar, sesa të rrish në një qeveri që s’i bindet vullnetit të njerëzve që e kanë votuar.
Fatmir Mediu: Zoti Braçe, unë jam në kabinetin e qeverisë si deputet i PR-së dhe qëndrimin tim e shpreh si në kabinetin e qeverisë, sidomos për ligjet me karakter problematik siç është çështja e pronave, ashtu siç kam të drejtën time në sallën e Kuvendit, me të drejtën e ligjbërësit dhe amendimit të ligjit. Unë vlerësoj dhe qëndrimin tuaj për këtë çështje kohët e fundit dhe shpresoj që të jetë i sinqertë. Se kur kam folur unë për pronarët dhe pronën e ligjshme, ju flisnit bejlerë dhe agallarë. Kur flisja unë për pronën private, ju thoshit e drejta është shteti.
Eduard Halimi: Është sarkazëm që një forcë politike, familja e së cilës për 45 vjet me radhë i mori, i rropi dhe i shkatërroi pronat, dhe për 8 vjet që ishte në pushtet, fondi për kompensimin fizik të pronave ishte 0, nga viti 1997 deri në vitin 2005 fondi që qeveria e PS-së alokoi për kompensim fizik për ish-pronarët është zero. 37 milion dollarë janë dhënë për pronarët për kompensim financiar dhe 90 mijë hektar janë mbledhur deri sot për kompensimin fizik të pronarëve.
Jozefina Topalli: Në kuadër të rilindjes së PS-së, pikërisht për çështjet e së drejtës, zoti Rama i dha Besos së “Tajvanit” mezen e kryeqytetit. E kujt ishte ajo tokë? Apo edhe Fideli ishte pronar i vjetër Tiranës, apo dhe Besoja? Kjo është politika juaj dhe rilindja juaj. Nga marsi i 1997 deri në mars të 2005, zero kompensimi financiar për ish-pronarët. Kjo është rilindja juaj për shqiptarët. Ku ka tokë, pronat ia keni dhënë falas Besos.
Erjon Braçe: Ka faj Fatos Nano që ua ktheu pronën juve.
Jozefina Topalli: Pse more keni kaq urrejtje për ish-pronarët, po çlirohuni nga kjo urrejtje.
Erjon Braçe: Ti ke urrejtje moj. Ti more kompensimin dhe po bën pallate. Pronarët nuk kanë marrë asgjë.
Jozefina Topalli: Të gjithë ish-pronarët, përveç kompensimit financiar që i është vendosur çdo vit, dhe mund të them që vetëm ne do ta bëjmë të mundur këtë kompensimin fizik.

Vlerësimi nga qeveria, jo nga Parlamenti
Vlerësimi i çmimit të pronës me miratimin e ligjit për kthimin dhe kompensimin e pronave nuk do të bëhet më në Parlament, por do jetë qeveria ajo që do të miratojë metodologjinë. Metodika e re do të ketë të përfshira pikërisht këto gjetje të raportit të titulluar “Standardet e vlerësimit të një grupi pronash të paluajtshme”. “Një manual i qartë, i plotë dhe i saktë i mbledhjes së të dhënave është thelbësor dhe duhet të hartohet, përditësohet dhe mirëmbahet si i tillë. Manuali i shkruar duhet të shpjegojë mënyrën se si duhet të mblidhen dhe regjistrohen zërat për çdo të dhënë. Fotografitë, shembujt dhe ilustrimet janë gjithmonë të dobishme në këtë drejtim”, thuhet në raportin e ministrit të Drejtësisë.

Raporti i Shoqatës Ndërkombëtare
Sipas raportit të hartuar nga Shoqata Ndërkombëtare e Vlerësuesve, “vlerat e tokës duhet të rishikohen çdo vit. Së paku një herë në katër deri në gjashtë vjet pronat duhet të inspektohen fizikisht dhe të rivlerësohen. Qasja e krahasimit të shitjeve është metodë parësore në vlerësimin e tokës dhe preferohet gjithmonë kur janë të disponueshme shitjet e mjaftueshme. Në mungesë të shitjeve të mjaftueshme, teknika të tjera të përdorura në vlerësim masiv (grup pronash) përfshijnë caktimin e tokës, abstraksionin, përdorimin e parashikuar, kapitalizimin e rentës në terren dhe kapitalizimin e mbetur i tokës”.

FATION BINJAKU

© Panorama.al

Te lidhura