Pronari i “Norga”: Raiffeisen s’do paratë, por pronat tona

Jun 3, 2011 | 10:13
Agron Haxhiraj, pronari i Birra “Norga”

“Raiffeisen Bank” kërkon pronat tona, jo paratë. Prandaj po shkatërron fabrikën dhe po sekuestron pajisjet tona, ende pa u marrë vendimi i Gjykatës së Apelit”. Sapo ka mësuar për sekuestron e fabrikave të Birrës “Norga” dhe asaj të pijeve freskuese, pronari Agron Haxhiraj është kthyer me urgjencë nga jashtë shtetit.Ai zbardh në një intervistë se banka nuk u ka kërkuar asnjëherë bashkëpunim, madje ka refuzuar dhe mundësitë e ofruara nga firma “A&B Grup”.
Zoti Haxhiraj, kur morët vesh se pronat tuaja janë bllokuar nga kompania private përmbarimore, me vendim-kërkesë të “Raiffesien Bank” për mosshlyerjen e kësteve të kredisë?

Protesta e djeshme para derës së fabrikës

Gjithçka e kam marrë vesh ditën e djeshme. U ktheva urgjentisht në Vlorë, edhe pse isha për kurim jashtë shtetit. Sot në mëngjes, me kërkesë të punonjësve, të cilët ishin mbledhur para fabrikës e kërkonin punë, erdha dhe u sqarova se çfarë kishte ndodhur.

Kur kanë nisur problemet tuaja me bankën, çka solli dhe sekuestrimin e objekteve të prodhimit?
Banka ka kryer padinë në Gjykatë ndaj kompanisë qysh në tetorin e vitit të kaluar, për mosshlyerjen e katër kësteve, të cilat nuk janë paguar për kredinë.
Sa kredi keni marrë në bankë?
Kemi marrë 18 milionë euro, ku vlera e pashlyer është në shifrën e rreth 10 milionë eurove në total. Aktualisht janë shlyer 8 milionë euro.
Sipas jush, cili është qëllimi i sekuestros së biznesit tuaj?
Sekuestro e biznesit tim nuk bëhet për mosmarrje të parave, por për të penguar biznesin dhe për ta dëmtuar atë drejtpërdrejt; jo duke e sekuestruar, por duke e shkatërruar atë plotësisht si kanibalë, nga persona anonimë dhe të paautorizuar, si dhe pa asnjë vendim gjyqi. Jam i informuar që edhe sot nuk është zbardhur ende vendimi i gjyqit.
“Raiffeisen Bank” reagoi me anë një deklarate se që kur kanë nisur problemet midis palëve, banka ka deklaruar se ju ka ofruar bashkëpunim, por ju nuk keni pranuar. Si e komentoni?
Ata janë gënjeshtarë dhe mashtrues. Jo vetëm që nuk na kanë ofruar bashkëpunim, por edhe kur kemi kërkuar ne bashkëpunim, ata s’na kanë afruar as dhe bashkëpunimin më të vogël. U kemi afruar bashkëpunim në të gjitha format e mundshme, me qëllimin për të mos shkatërruar gjithçka, për të vazhduar prodhimin dhe me prodhimin do të kryheshin pagesat, si dhe punëtorët do të punonin e s’do dilnin në rrugë. Por, në asnjë moment banka nuk ka pranuar bashkëpunim, sepse atyre nuk u interesojnë paratë, por pronat për qëllime që ata i dinë. Kanë vepruar arbitrarisht, duke dëmtuar kompjuterat dhe duke marrë nga fabrika pa procesverbal sasi të mëdha prodhimi, si dhe është ndaluar prodhimi në kohën kur ka qenë në proces e sipër. Kjo shkatërron gjithë sistemin dhe fabrikën. Nëse do të bllokohej dhe sekuestrohej, duhet të lejohej të përfundonte procesi i prodhimit që ishte në vazhdim dhe më pas le të kryheshin veprimet. Por, e thashë edhe më parë: ata duan shkatërrimin e pronës sime dhe jo paratë.
Banka ka deklaruar se kanë kryer disa rikonstruksione në fabrikë. Është e vërtetë kjo deklaratë?
Absolutisht jo, gjithçka është bërë nga vetë pronarët e fabrikës. Banka ka dhënë vetëm kredinë dhe asgjë më shumë.
Ju ka kërkuar banka të bëni një bilanc të fabrikës me ekspertë të përbashkët?
Kompania ka ekspertët e vet dhe ka gjithçka të hedhur me përpikëri jo vetëm në letra, por dhe në kompjutera, si dhe kemi paguar të gjitha detyrimet ligjore ndaj shtetit.
Gjithmonë sipas njoftimit të “Raiffeisen Bank”, kjo bankë ka deklaruar se kërkoi bashkadministrim të fabrikës edhe me ekspertë ndërkombëtarë, deri në pagesën e borxhit ndaj bankës dhe t’u hiqte detyrimet?
Kompania i ka administratorët e vet, ndoshta më të mirët në Republikë. Administrimi i kompanisë është bërë në mënyrë të shkëlqyer dhe s’ka pasur nevojë për këtë marrëveshje, por nuk është e vërtetë që banka ka kërkuar këtë bashkëpunim. Kemi qenë ne që kemi kërkuar bashkëpunim me ta dhe ata s’kanë pranuar, sepse u intereson shkatërrimi i pronave nga njerëz që duan shkatërrimin e kësaj kompanie dhe për të nxjerrë rreth 200 punëtorë pa punë. Them se duan shkatërrimin e pronës, sepse në radhë të parë nuk është paraqitur vendimi i gjykatës i formës së prerë i zbardhur, së dyti, nëse një biznes sekuestrohet më pas mirëmbahet, konservohet, pasi përfundojnë të gjitha proceset gjyqësore dhe pronari humbet të drejtën e pronës, ajo del në shitje. Por, përmbaruesit anonimë nxorën punëtorët me dhunë jashtë dhe më pas shkatërruan aparaturat kompjuterike dhe disa prej tyre i çmontuan, i larguan nga Vlora dhe nuk dihet ku i çuan. Pra, shkatërruan gjithë sistemin e fabrikës, prandaj them se ata nuk duan paratë, por pronat. Me sa kuptoj unë, me këto veprime arbitrare luhen interesa shumë të mëdha.
Çfarë procedurash do të ndiqni në vazhdim?
Do të ndjek rrugën ligjore, dhe pse vendimi, i cili po shqyrtohej në Gjykatën e Apelit në Tiranë, nuk ka marrë ende formë të prerë për të qenë i zbatueshëm, si dhe do t’i kërkoj në emër të punonjësve, të cilët janë mbledhur para fabrikës me të drejtën e tyre për punë, institucioneve të shtetit të marrin masa për parandalimin e kësaj masakre kanibalësh, sepse po shkatërrohet biznesi i cili kushton 30 milionë euro dhe po dalin pa punë shumë njerëz. Nuk është se fabrika ishte pa punë dhe pa të ardhura, por ajo ka qenë në ritmet më të mira të prodhimit e fitimeve dhe sidomos tani, në sezonin veror, që ishin të gjitha mundësitë për shlyerjen e kredive normalisht.

Punëtorët, në protestë te dera e fabrikës: Të rinisë puna

VLORE – Punëtorët e fabrikave të Birrës “Norga” dhe asaj të prodhimit të pijeve freskuese protestojnë për sekuestrimin dhe mbylljen e vendeve të tyre të punës. Në ditën e katërt të sekuestrimit të fabrikave të kompanisë “A&B Grup”, në pronësi të Agron dhe Bukurie Haxhirajt, veç pronarëve, edhe punonjësit kërkojnë zgjidhje, duke vijuar të qëndrojnë pranë objekteve për shumë orë. Gjatë ditës së djeshme, dhjetëra punëtorë janë mbledhur para godinave të fabrikave, duke kërkuar sërish të rinisë puna dhe të ruajnë vetë mjetet e tyre e fabrikën. Ata kanë denoncuar abuzimet që janë bërë deri më sot në fabrikë, duke deklaruar se punonjës të përmbarimit kanë shkatërruar sistemin e prodhimit, duke e bllokuar atë në proces e sipër, duke dëmtuar e stakuar barbarisht gjithë linjën e prodhimit të fabrikës “Norga”, jo vetëm tek sektori i prodhimit të birrës, por edhe tek ai i lëngjeve të frutave. Punonjësit e fabrikës, në total rreth 200 persona, kanë kërkuar të mos bëhen abuzime të tilla, duke kërkuar të rinisë puna, pasi kanë lidhur jetën dhe mbajnë familjet me këtë biznes prej vitesh. Të njëjtën gjë apelojnë dhe pronarët e fabrikës, sipas të cilëve mbyllja dhe sekuestrimi i ambienteve të prodhimit sjell lënien pa punë të qindrave punonjësve dhe pa ndihmë ekonomike qindra familje vlonjate. Përfaqësues të zyrës së Përmbarimit mbërritën në dyert e fabrikës së Birra Norga fillimisht më datë 30 maj, me qëllim bllokimin e saj. Pas ndërhyrjes së pronares, ata e shtynë për të nesërmen sekuestron, por këtë herë duke vendosur mbylljen edhe të fabrikës së pijeve freskuese dhe duke bllokuar plotësisht procesin e prodhimit.

Uldedaj: Të ndërhyjë Banka e Shqipërisë

Biznesi dhe bankat duhet të jenë më bashkëpunues dhe të ndërtojnë një marrëdhënie mes tyre. Për këtë duhet të ndërhyjë edhe Banka e Shqipërisë. Janë këto sugjerimet e deputetit të Partisë Demokratike dhe njëkohësisht anëtar i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, Gjokë Uldedaj, i cili analizon edhe veprimin e fundit të Raiffeissen Bank ndaj Birrës Norga.
Zoti Uldedaj, problemet e fundit mes biznesit dhe bankave duket se kanë hapur një fazë të re në marrëdhënien e tyre? Janë shënuar përplasjet e para që mund të cilësohen dhe konflikte mes tyre? Si e vlerësoni ju këtë situate?
Jemi përballë një situate komplekse. Është një çështje ekonomike ku ndërthuren shumë faktorë dhe marrëdhënie. Ekonomia shqiptare, parë në kontekstin e problematikave ekzistuese të biznesit shqiptar, është tani në një fazë intensifikimi marëdhëniesh të ndërsjella mes shtetit, bizneseve e bankave që kanë një marrëdhënie po specifike edhe me mbikëqyrësin e tyre, që është Banka e Shqipërisë. Një shprehje e qartë e kësaj marrëdhënieje komplekse është, sigurisht, ndërvarësia që krijohet edhe nga kreditimi. Tashmë, të gjitha palët, apo e thënë ndryshe aktorët e tregut, duhet të kuptojnë se jemi në një situatë të re. Tregjet, përveç integrimit në gjithë këto vite, kanë ndryshuar. Fuqia blerëse ndryshon edhe në ekonomitë e vogla, në varësi të situatave të tregjeve globale. Kjo ndodh edhe në Shqipëri. Për këtë arsye, edhe marrëdhëniet mes bankave dhe bizneseve nuk është më një marrëdhënie e thjeshtë kredidhënës e kredimarrës. Ky kuptim është tejkaluar dhe tregjet tashmë e kanë kushtëzuar një marrëdhënie të re. Biznesi dhe bankat së bashku janë aktorë të tregut, ata sigurojnë fitime të përbashkëta, janë njëlloj të ndërvarur nga tregjet. Ndaj dhe duhet që patjetër të mirëkuptohen mes tyre, pasi ata, në një kuptim real, janë partnerë biznesi.
Banka e Shqipërisë, bankat e nivelit të dytë tashmë janë ndërgjegjësuar për rolin e padiskutueshëm të biznesit privat në zhvillimin ekonomik të vendit dhe sigurimin e një rritjeje ekonomike reale dhe të qëndrueshme, që me fjalë të tjera do të thotë “klientelë e shëndoshë” e bankave, pra maksimizim i fitimeve të të dy komponentëve të binomit. Për një funksionim të një realiteti të tillë është e domosdoshme një politikë financiare e kryesuar nga Banka e Shqipërisë, shoqëruar me një ekspertizë të aftë dhe shkencore, kualifikim profesional e aftësi menaxheriale. Një sistem bankar është i aftë të gjenerojë kredi kur ai është i shëndoshë financiarisht dhe më tej kur ekonomia nuk është e ekspozuar ndaj risqeve të ndryshme. Ekonomitë e brishta, në përgjithësi, në thelbin e tyre konsiderohen me risk të lartë në normalitetin e vet, duke filluar që nga ai politik e duke përfunduar deri te risku operacional. Ky potencial i lartë, sigurisht që ndikon negativisht, duke i detyruar bankat që të jenë më të kujdesshme në politikat e tyre të kreditimit. Ne e kemi thënë shpesh që vendi ynë ka një sistem bankar të shëndoshë. E thotë edhe Banka e Shqipërisë një gjë të tillë. Por ne duhet të kuptojmë njëkohësisht se si ka ndodhur kjo, si është bërë e mundur një gjë e tillë. Nuk ka dyshim se kjo është e lidhur edhe me marrëdhënien korrekte të biznesit me bankat. Nuk ka dyshim se në këtë mes është i ndjeshëm edhe kontributi i biznesit. Gjendja e mirë e sistemit bankar duhet të na gëzojë të gjithëve edhe për një fakt tjetër. Duke qenë kështu, ende ka hapësira për bashkëpunim. E thënë me një gjuhë farë të thjeshtë, ka vend për të lëshuar diçka sot në emër të një fitimi të përbashkët në të ardhmen. Nëse gjithçka e shikojmë në një afat të shkurtër, ne humbasim perspektivën e zhvillimit. Kjo vlen njëlloj si për biznesin, ashtu edhe për bankat. Është e nevojshme që të kërkohen rrugë e mundësi bashkëpunimi për të konsoliduar një marrëdhënie në afat të gjatë. Për aktorët e tregut, për bankat sidomos, është koha për të reaguar me profesionalizëm dhe dashamirësi. Unë besoj se janë mundësitë për një ristrukturim të mirëmenduar të kredive, pa qenë nevoja për të kaluar në masa ekstreme apo konflikte me kredimarrësit. Është e nevojshme që me profesionalizëm të verifikohet gjendja dhe të gjenden rrugët e daljes prej saj në rastet kur ka probleme. Sigurisht, një rol specifik në këtë marrëdhënie ka edhe mbikëqyrësi, që në këtë rast është Banka e Shqipërisë, dhe sigurisht edhe mekanizmat e tjerë shtetërorë. Është e nevojshme eficenca e aftësive mbikëqyrëse të Bankës së Shqipërisë, me qëllimin e vetëm për të pasur një sistem bankar të fortë dhe të shëndoshë, duke ndjekur me shumë vëmendje marrëdhëniet bankë-biznes në kushtet imediate të krizës financiare. Gjithashtu, është e nevojshme që Banka e Shqipërisë të pranojë pa hezitim të bëhet palë apo të ofrojë ekspertizën e saj sa herë që të ideohen projekte, tavolina, forume, debate etj., të cilat do të synojnë në përmirësimin e klimës së biznesit në përgjithësi apo në shtimin dhe kanalizimin me efecient të kredisë bankare më në veçanti.
Si e gjykoni veprimin e Raifeissen Bank karshi kompanisë prodhuese “Birra Norga”?
Është një përgjigje që nuk mund të jetë e prerë në favor të njërës apo tjetrës palë. Veprimi i Raifeissen Bank është i mbështetur mbi termat e një kontrate kreditimi bankë-sipërmarrje, bazuar në një plan biznesi të pranuar nga të dyja palët. Nga ana tjetër, situata ekonomike financiare e Birrës Norga është e ndryshme nga plani i parashikuar i biznesit në momentin e aprovimit të kredisë. Ndikimi i krizës financiare globale e bën imediate një ristrukturim të kreditimeve në përgjithësi të biznesit, rast pas rasti. Duke mos dashur të futem në hollësi të rastit, sepse kjo nuk është detyrë e imja, më duhet të them se edhe në këtë rast është e pranishme e gjithë problematike që thamë më sipër. Madje, për të qenë të drejtë, duhet të themi se ishte ky rast që na bëri të artikulojmë të gjithë problemin si të tillë.
Si ndikojnë veprime të tilla në ekonominë shqiptare? Po në marrëdhëniet biznes-sektor bankar, çfarë efekti ka?
E parë me syrin e sipërmarrjes, nga konflikti gjithmonë dalin humbje të ndjeshme për palët. Ndaj, përkundër tij është më mirë mirëkuptimi dhe trajtimi me dashamirësi i problemeve. Në konflikt me bankën humbet, siç ishte rasti që ju sapo përmendët biznesi kredimarrës. Por kjo nuk do të thotë se nuk humbet edhe vetë baka. Marrëdhënia e tillë me një biznes ul edhe besueshmërinë ndaj saj. Ndaj është i domosdoshëm një trajtim me shumë kujdes i çdo marrëdhënieje në ekonomi. Ju më pyesni se si ndikojnë ngjarje të tilla në ekonominë e vendit? Sigurisht që jo mirë. Nëse priremi drejt konflikteve, biznesi trembet. Po ç’do të thonë një trembje e biznesit? Do të thotë më pak dëshirë për investime, do të thotë më pak kredimarrje e në këtë rast e pësojnë edhe vetë bankat; do të thotë më pak prodhim dhe më pak punësim. Tregu ynë financiar është një treg jo shumë i zhvilluar. Përvojat e vendeve të tjera, të tregjeve të zhvilluara, kanë krijuar tashmë mundësinë e eliminimit të përplasjeve kaq të forta. Ka shembuj pa fund të daljes nga këto situatë që duhet të theksohet fort, nuk vijnë thjesht nga probleme të menaxhimit të një biznesi të caktuar. E parë në plan të gjerë, situata ka ndryshuar dhe krijuar këto problem.
A mendoni se banka mund të kishte gjetur një rrugë tjetër përveç sekuestrimit të pronave dhe ekzekutimit direkt të kolateralit?
Këtë sapo e thashë. Unë jam i bindur se ka hapësira të mjaftueshme për të negociuar mes palëve. Në një afat të shkurtër, problemi mund të duket me një natyrë të theksuar konfliktuale, por në afat më të gjatë mund të mos jetë fare kështu. Një vlerësim i situatës me këtë optikë nxjerr mundësi për një bashkëpunim më të mirë. Vetëm nëse janë shteruar të gjitha këto mundësi, mund të kalohet në masa drastike, siç ishte rasti i ekzekutimit direkt të kolateralit. Megjithëse edhe këtu duhet një trajtim me shumë kujdes, pasi gama e problemeve që dalin është vërtet e gjerë.
A ka aktorë të tjerë që mund të përfshihen në këtë situatë? Si dhe çfarë zgjidhje mund t’i jepet?
Unë nuk mund të jap receta, por ajo që mund të them është se ashtu si Banka e Shqipërisë, edhe institucione të tjera shtetërore që nisin nga Ministria e Ekonomisë, kanë mundësi për të ndërhyrë. Mjafton të kujtoj vetëm një fakt. Ka mbështetje shtetërore për bizneset kredimarrëse ku shteti merr përsipër pagesat e interesave. Pra, jo se po jap një zgjidhje, por ajo që dua të them është se ekzistojnë mundësi. Jo më kot fola për mirëkuptim. Çështja është për t’i shërbyer ekonomisë dhe zhvillimit, dhe kjo nis nga mirëkuptimi i biznesit. Aktorë të tillë, si Tatimet, Doganat, kanë se çfarë hapësirash të krijojnë, por sigurisht, gjithçka duhet mirëstudiuar me detaje. Por, nuk mund të rri pa përmendur në fund fare se të gjithë këto hapësira që kërkohen, nga biznesi nuk duhen parë thjesht si lehtësim. Përkundrazi, vetë sipërmarrësit duhet të kuptojnë se në kushtet e reja të tregjeve nevojitet më shumë përgjegjësi e mirëmenaxhim. Në finale janë ata që do t’i paguajnë detyrimet dhe është e ditur për të gjithë se bankat nuk janë në treg për të falur para.

© Panorama.al

Te lidhura