
Shoqata “Pronësi me drejtësi” dhe shoqata “Bregdeti” i bashkohen deputetit Alibeaj për ndryshimet.
“Bie ndesh me Kushtetutën, metodikën ta miratojë Parlamenti”
Shoqatat e pronarëve dalin kundër ndryshimeve në ligjin e kthimit dhe kompensimit të pronave, të propozuara nga qeveria. Në mbledhjen e djeshme të Komisionit të Ligjeve, shoqata “Pronësi me drejtësi” dhe shoqata “Bregdeti” e cilësuan ligjin si antikushtetues dhe kërkuan miratimin e një projekti të ri në Parlament. Agim Boçari, i shoqatës “Bregdeti”, u shpreh se: “Shqiptarët po vrasin njëri-tjetrin. Janë publikuar të dhëna nga Shoqata e Faljes së Gjakrave dhe janë mbi 6 mijë të vrarë për problemet e pronës dhe 5 mijë familje të ngujuara. Ju duhet t’i kërkoni Prokurorisë së Krimeve të Rënda ta hetojë këtë çështje. Për sa kohë prona nuk shkon tek i zoti, vrasjet do të shtohen. Ky projektligj është jashtë normave të Kushtetutës. Në këtë rrugë të gabuar ne po bëjmë disa përmirësime. Duhet të bëhet një ligj tjetër dhe ne ua sjellim të gatshëm që kthimi i pronës të jetë detyrim i shtetit”. Ndërsa përfaqësuesi i shoqatës “Pronësi me drejtësi”, Agim Toro, shprehu qëndrimin e tij kundër propozimit të bërë nga qeveria, që metodikën e vlerës së pronës ta përcaktojë qeveria. Ai kërkoi që Parlamenti të caktojë hartën e vlerës. “Metodologjia, thuhet që do të hartohet nga Këshilli i Ministrave. Edhe për këtë pikë, që të hartohet nga Këshilli i Ministrave, nuk jemi dakord. Qeveria është institucioni ekzekutiv i shtetit që ka një rrotacion të caktuar për një afat kohor të caktuar dhe, në qoftë se miratohet metodika sot, askush nuk e ndalon qeverinë tjetër që të bëjë një metodikë tjetër, sepse këtë të drejtë ia jep ligji. Metodologjia duhet të miratohet nga Kuvendi. Shtyrja e afatit është e nevojshme”, u shpreh Toro. Në të njëjtën kohë ai kërkoi që vlera e trojeve të ndryshojë, për shkak se në shumë zona ka mospërputhje me çmimet aktuale. “Metodika duhet të ndryshohet. Sidomos sa i përket vlerësimit të tokës bujqësore, truallit industrial dhe truallit turistik, që nuk i përgjigjet çmimit të tregut. Në Bathore, në çmimet e AKKP-së, çmimi i truallit është 1390 lekë për m2, kur të gjithë e dimë që në periferi nuk gjen sipërfaqe toke nën 100 euro për m2”, theksoi më tej përfaqësuesi i shoqatës “Pronësi me drejtësi”. Komisioni vendosi që në mbledhjen e së hënës të bëjë edhe shqyrtimin nen për nen, të propozuar nga qeveria, përpara se t’ia kalojë ato Parlamentit në seancën e ardhshme.
Debati në Komision
Agim Toro (shoqata “Pronësi me drejtësi”): Metodika duhet të ndryshohet. Sidomos sa i përket vlerësimit të tokës bujqësore, truallit industrial dhe truallit turistik, që nuk i përgjigjet çmimit të tregut. Në Bathore, në çmimet e AKKP-së, çmimi i truallit është 1390 lekë për m2, kur të gjithë e dimë që në periferi nuk gjen sipërfaqe toke nën 100 euro për m2. Metodologjia, thuhet që do të hartohet nga Këshilli i Ministrave. Edhe për këtë pikë që të hartohet nga Këshilli i Ministrave nuk jemi dakord. Qeveria është institucioni ekzekutiv i shtetit që ka një rrotacion të caktuar për një afat kohor të caktuar, dhe në qoftë se miratohet metodika sot, askush nuk e ndalon qeverinë tjetër që të bëjë një metodikë tjetër, sepse këtë të drejtë ia jep ligji. Metodologjia duhet të miratohet nga Kuvendi. Shtyrja e afatit është e nevojshme.
Agim Boçari (shoqata “Bregdeti”): Shqiptarët po vrasin njëri-tjetrin. Janë publikuar të dhëna nga Shoqata e Faljes së Gjakrave dhe janë mbi 6 mijë të vrarë për problemet e pronës dhe 5 mijë familje të ngujuara.
Fatos Hoxha: Futu në temë.
Agim Boçari: Jam tamam te tema, zotëri.
Shega Ligori: Keni të drejtë.
Agim Boçari: Ju duhet t’i kërkoni Prokurorisë së Krimeve të Rënda ta hetojë këtë çështje. Për sa kohë prona nuk shkon tek i zoti, vrasjet do të shtohen. Ky projektligj është jashtë normave të Kushtetutës. Në këtë rrugë të gabuar ne po bëjmë disa përmirësime. Duhet të bëhet një ligj tjetër dhe ne ua sjellim të gatshëm që kthimi i pronës të jetë detyrim i shtetit.
Ilir Rusmali: Lidhur me metodikën keni kundërshtime?
Agim Boçari: Unë kam kundërshtimin që i gjithë ligji dhe e gjithë platforma nuk qëndron. A ka një zgjidhje më të mirë?
Ilir Rusmali: Zgjidhja që keni ju mund të jetë e vlefshme, por ka lidhje me ligjin bazë. Ju jeni kundër ligjit bazë. Me projektligjin keni gjë?
Agim Boçari: Nuk qëndron. Ne vërejtjet tona i kemi këtu dhe mund t’jua paraqesim.
Shega Ligori: Ku i shikoni parregullsitë në këtë ligj? Çfarë duhet të ndryshojmë?
Agim Boçari: Kjo situatë është e papranueshme për ne për vetë faktin se do të kompensohem unë për pronën që e ka marrë ky tjetri që s’ka asnjë lidhje, as të blerë, as të dhuruar, as të trashëguar. Nëse prona është atdheu im, mua më është mohuar. Kemi kaluar nga diktatura në një hajdutëri. Njerëzit po vriten, shqiptarët janë kundër shqiptarëve.
Ministria
Në mbledhjen e së hënës, kur Komisioni i Ligjeve të nisë shqyrtimin e katër neneve të ardhura nga qeveria, pritet që të vlerësohen edhe kërkesat e relatorit të këtij projektligji, Enkelejd Alibeaj. Tri ditë më parë, ish-ministri i Drejtësisë bëri një sërë kritikash për draftin, duke kërkuar që ai të jetë më i qartë, ndërsa për Drejtorinë e Koordinimit duhet të jetë një strukturë që të miratohet me urdhër të Kryeministrit ose me 84 vota. Por, burime pranë Ministrisë së Drejtësisë bëjnë të ditur për gazetën se propozimet e Alibeajt do të rrëzohen si të pabazuara.
PS abstenon për titujt e pronësisë
Komisioni i Ligjeve miratoi dje në parim, vetëm me votat e maxhorancës, ndryshimet e ardhura nga qeveria në ligjin “Për kalimin në pronësi pa shpërblim të tokës bujqësore” dhe “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”. Deputetja Shega Ligori, e cila ishte e vetmja nga opozita e pranishme gjatë shqyrtimit të dy drafteve, abstenoi duke kritikuar qeverinë për politikën që po ndjek lidhur me këtë çështje. Në relacionin e ardhur nga qeveria lidhur me këto drafte, thuhet se “ndryshimet e propozuara janë një domosdoshmëri për shkak se fenomeni i mosplotësimit të akteve të marrjes së tokës në pronësi zë një peshë të madhe në problematikën e krijuar nga paqartësitë e vetë legjislacionit të ndarjes së tokës bujqësore apo zbatimit jokorrekt të tij”.
ADI SHKEMBI
© Panorama.al











